E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri histori komike nga de Sica

"Dje, sot nesër" (Ieri, oggi, domani) sjell sërish në ekranin e madh në Muzeun Historik Kombëtar Sophia Loren dhe Marcello Mastroiannin, përsëri nën drejtimin e Vittorio de Sica-s. Filmi i vitit 1963 është një triptik mbi natyrën e jetës në çift.


Tri situata në kohë dhe vende të ndryshme tregojnë se sa e madhe apo sa cinike dhe e interes është marrëdhënia midis një burri dhe një gruaje që interpretohen mjeshtërisht prej Lorenit dhe Mastroiannit. "Dje, sot nesër", e quajtur një "antologji e komedisë", është njëherësh një tablo e jetës sociale italiane e viteve '50-'60.


Episodi i parë, "Adelina" është shkruar nga Eduardo De Filippo, i dyti "Ana" nga Alberto Moravia dhe i treti, "Mara", nga Cesare Zavattini.


Sophia Loren, protagoniste e tre episodeve, interpreton tre gra krejtësisht të ndryshme.
Tek "Adelina", ajo është një napolitane e re që jeton duke shitur cigare kontrabandë dhe që rregullisht arrestohet nga policia.


Megjithatë Adelina, i del mbanë të shmangë burgun duke rënë vazhdimisht shtatzënë. I shoqi Karmine nuk arrin t'i përgjigjet të shoqes dhe t'i dalë për zot shtëpisë. Kjo pjesë sjellë atmosferën napolitane, solidaritetin e provincës në ditët e vështira të fqinjit


Tek "Ana", është gruaja e pasur që ankohet se i ka ardhur në majë të hundës jeta mondane dhe se po digjet nga dashuria për Renxon, një intelektual i ri por jo i sërës së saj. Por një incident nxjerr në pah të vërtetën


Në episodin "Mara", një prostitutë e bukur, që i fton klientët në apartamentin e saj, papritur, në mënyrë të pavullnetshme josh një seminarist të ri. Xhovani, i magjepsur nga Mara, provon një tundim të madh për të hequr dorë nga seminari. Por Mara, e bind të riun të ndjekë rrugën që kish zgjedhur, dhe ajo vetë kthehet në jetën e saj.
Filmi 119 minuta.


Më 1965 fitoi Çmim Oscar si Filmi më i Mirë i Huaj. Po atë vit fiton një BAFTA Marcello Mastroianni si aktori më i mirë i huaj.


"Vështrime italiane" po ndiqet me interes nga spektatorë të rinj dhe të vjetër. Një spektator i rregullt i këtyre seancave është regjisori Dhimitër Anagnosti me të shoqen, aktoren Roza Anagnosti.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›