Athina kërcënon kreditorët: Pranoni paktin, ose faliment
Raporti konfidencial tregon se humbjet e eurozonës do të ishin 1 trilion euro.
Greqia ka kërcënuar të shpallë falimentimin, nëse ndonjëri nga kreditorët privatë të saj nuk merr pjesë në projektin e ristrukturimit të borxhit. Deklarata rrit presionin mbi bono-mbajtësit privatë, kryesisht banka europiane, të cilët, sipas marrëveshjes duhet të falin 53.5 për qind të borxhit prej 206 miliardë eurosh, që u detyrohet vendi në krizë. Agjencia greke e menaxhimit të borxhit publik tha në një deklaratë se Athina nuk parashikon disponueshmëri fondesh për të bërë pagesa për kreditorët e sektorit privat që refuzojnë të marrin pjesë në marrëveshje. Kërcënimi i është drejtuar në fakt 14 për qind të kreditorëve privatë, të cilët zotërojnë bono greke bazuar në ligjet ndërkombëtare. Ndërsa 86 për qind e kreditorëve, të cilët zotërojnë bono sipas ligjeve greke, janë paralajmëruar në të njëjtën deklaratë se Greqia do të përdorë të ashtuquajturën klauzolë aksion kolektiv për ta bërë marrëveshjen detyruese për çdo mbajtës bonosh. Deklarata i ka bërë politikëbërësit europianë nervozë, pasi nëse Greqia shpall falimentimin, eurozona do të humbasë rreth 1 trilion euro dhe kjo do të thotë rrezik për të gjitha vendet e tjera, jo vetëm brenda saj. Nëse ndodh, do të ishte hera e parë në 60 vjet që një vend i zhvilluar do të falimentonte. Por marrëveshja, e cila duhet të finalizohet deri më 8 mars, është e dhimbshme për sektorin privat, pasi disa prej tyre përballen me humbje prej rreth 75 për qind. Çarls Blitzer, ish zv.drejtor i ndarjes së kapitalit të tregjeve në FMN, tha se njoftimi është i pari që dërgon Athina, se nuk ka ndër mend të paguajë ndonjë bono-mbajtës të huaj që nuk merr pjesë në ristrukturim. Ndërkohë, organi që përfaqëson një sërë bankash private të Athinës që mbajnë bono qeveritare ka paralajmëruar se kostoja e daljes së Greqisë nga eurozona është rreth 1 trilion euro. Instituti Internacional i Financave që përfaqëson bankat në botë mbi borxhin 206 miliardë euro që u detyrohet Greqia, tha se dëshiron që të nënshkruhet marrëveshja. Ne rast të kundërt, thuhet se BQE ka gjasa të humbasë shumë të ardhura. Reuters shkruan se falimentimi kaotik i Greqisë do të sillte patjetër nevojën e mbështetjes financiare të Spanjës dhe Italisë, me një vlerë prej 350 miliardë eurosh, ndërsa humbjet do të shkonin në mbi 1 trilion euro për gjithë eurozonën. Dokumenti që ka rënë në dorë të Reuters, konsiderohet konfidencial.
Barroso
Presidenti i KE-së, Hose Manuel Barroso, u është përgjigjur raportimeve të disa mediave mbi kërkesat e trojkës ndërkombëtare në Greqi për një paketë të re ndihme për këtë vend, duke e hedhur poshtë këtë opsion. Barroso e konsideroi lajmin për bisedimet mbi një paketë të tretë ndihme për Greqinë të parakohshëm dhe të gabuar. Mendoj se është e papërshtatshme për të folur për një paketë të tretë, kur ne nuk kemi filluar ende lëvrimin e së dytës, tha Barroso në një televizion austriak.