Pengmarrje në Toulouse

Një person i armatosur mban peng katër persona në një bankë në qytetin e Toulouse në Francë. Ai pretendon se është militant i grupit terrorist Al-Qaeda dhe ka kërkuar të negociojë me forcat speciale që vranë autorin masakrës në Tuolouse, Mohamed Merah, pak kohë më parë.
Lajmi u konfirmua nga policia franceze, e cila bëri të ditur se pengmarrësi ka qëlluar disa herë në ajër brenda ambienteve të bankës, ku mban katër pengjet, por nuk dihet nëse ka pasur të lënduar. Mësohet se mes pengjeve është edhe drejtori i bankës.
Sipas policisë franceze, autori ka hyrë në bankë për të kryer një grabitje, por tentativa e tij ka dështuar dhe për pasojë ai ka mbajtur peng katër persona. Nuk dihet ende nëse pretendimet se ai bën pjesë në grupin terrorist janë të vërteta apo jo.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka evakuuar nxënësit e një shkolle që ndodhej aty pranë, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm. Ndërkohë vijojnë negociatat me pengmarrësin për lirimin pengjeve.