Pengmarrje spektakolare në mes të ditës nga Kryeministria te Presidenca
Thimi Samarxhiu
TIRANË – Për rreth një orë Tirana është mbuluar nga tmerri. Një ngjarje e pazakontë deri sot ndodhi mesditën e djeshëm në një nga rrugët më të frekuentuara të Tiranës. Një person i armatosur, pasi kishte arritur të grabiste një filial banke, ka përshkuar në këmbë rrugën nga Kryeministria drejt Presidencës me një pistoletë në dorë dhe me një qese, brenda së cilës ndodheshin lekët e grabitura. Sapo ka pikasur që policia i ishte vënë nga pas, i riu, që më vonë u identifikua si Romeo Leka, mori peng një kalimtare të rastit dhe me pistoletë në dorë kërcënonte se do ta vriste nëse nuk i plotësoheshin kushtet. Por aventura e tij zgjati vetëm 30 minuta, pasi ishte ndërhyrja e forcave RENEA që çoi në neutralizimin e tij dhe në lirimin e vajzës që ishte marrë peng.
Ngjarja
Ka qenë ora rreth 12:30 kur një i ri, fare pranë tri institucioneve më të rëndësishme të vendit, Kryeministrisë, Kuvendit dhe Presidencës, grabiti një filial banke i cili gjendet brenda njërit prej hoteleve më të njohur në vend. Pas grabitjes, 25-vjeçari i lindur në Lezhë, Romeo Leka, ka dalë nga ambientet e hotelit dhe me qetësi është drejtuar drejt Presidencës, ku ka hyrë në rrugën që të çon pranë Librit Universitar. Policia e Tiranës ishte njoftuar lidhur mbi grabitjen dhe ishte vënë në ndjekje të autorit. Përballë Librit Universitar, Leka ka pikasur që po ndiqej nga forca të shumta policie dhe pranë derës së një supermarketi ka marrë me forcë një vajzë nën kërcënimin e armës duke e mbajtur peng. Në këto momente policia është tërhequr, pasi i riu kërcënonte se do ta vriste vajzën nëse ata afroheshin.
Përreth 30 minuta, Leka, së bashku me vajzën e marrë peng, ecte nëpër rrugën që lidh Librin Universitar me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Forca të shumta policie kishin rrethuar të gjithë zonën, duke e bërë të pamundur arratisjen e grabitësit.
Gjatë kohës kur Leka lëvizte nëpër rrugë, ai kërcënonte herë pas here policët dhe vajzën duke u drejtuar atyre pistoletën. Sipas dëshmitarëve okularë, të cilët ishin të shumtë për shkak se kjo zonë është një ndër më të frekuentuarat në Tiranë, grabitësi u ka kërkuar policëve një makinë me të cilën do të largohej. Për këtë gjë ai disa herë është munduar që të ndalonte makina të rastit, por pa sukses. “Në një moment, personi i armatosur u ul në disa shkallë bashkë më vajzën, e cila qante nga frika. Ai herë e përkëdhelte në flokë dhe herë i mbështeste kokën në gjoks”, – na thotë njëra prej dëshmitareve, e cila ishte shitëse në njërin prej shumë dyqaneve pranë vendngjarjes. Ajo vazhdon më tej duke na thënë se grabitësi u kërkoi diçka për të pirë policëve. “Ishte vetë shefi i Policisë së Tiranës që i dha pijen e kërkuar grabitësit duke ia afruar. Pasi mori atë që kishte kërkuar, djali i dha dhe një shishe vajzës, madje bëri dhe gëzuar me të. Vajza kishte mbushur sytë me lot, por nuk kishte ç’të bënte”, – deklaroi dëshmitarja okulare me inicialet T. P.
Një tjetër dëshmitar na thotë se i riu, në një moment nxori nga qesja paratë që kishte grabitur dhe filloi t’i gjuante ato me këmbë duke i shpërndarë në të gjithë rrugën. Me pistoletë në dorë drejtuar policisë ai u kërkonte një makinë. “Pasi i shpërndau lekët në tokë, ai vajti dhe mblodhi disa prej tyre të cilat më pas ja futi vajzës që kishte marrë peng në çantë”, – deklaron një tjetër dëshmitar.
Arrestimi
Pas gati 30 minuta negociatash nga vetë drejtori i Policisë së Tiranës, sërish Romeo Leka nuk është dorëzuar. Disa herë Tonin Vocaj i ka bërë thirrje të riut që të dorëzohej dhe të linte të lirë vajzën, por thirrjeve të tij i riu u është përgjigjur me kërcënime për ta vrarë vajzën. Rruga “Abdyl Frashëri” ishte tërësisht e bllokuar nga forca të shumta policie, të cilat kontrollonin situatën dhe prisnin momentin e duhur për të ndërhyrë. Por, pas negociatave të shumta dhe dështimit të tyre kanë zbritur në aksion Forcat Speciale RENEA. Rreth 5-6 efektivë të armatosur i janë drejtuar grabitësit duke i bërë thirrje të dorëzohet dhe të hedhë armën. I ndodhur në këto kushte, Romeo Leka ka hedhur armën në tokë dhe e ka lënë të lirë vajzën, e cila për rreth 30 minuta ishte kthyer në peng të tij. Forcat e RENEA-s e kanë neutralizuar Lekën, i cili dhe në momentin e arrestimit buzëqeshte. Por, rezistenca e tij ka vazhduar dhe brenda furgonit të policisë, ku ky i fundit është konfliktuar me efektivët e RENEA-s, por këta të fundit e kanë bllokuar duke e dërguar grabitësin në zyrat e policisë.
20 Mars 2010