E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Tiranës: Leka, i dënuar në SHBA për disa vepra penale



Menjëherë pas përfundimit me sukses të aksionit, vetë kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ka dalë në një konferencë për shtyp duke dhënë detaje lidhur me ngjarjen. Sipas tij, rreth orës 12:30, një person i armatosur ka vjedhur me armë filialin e bankës Raiffeisen që ndodhen në ambientet e brendshme të Hotel Rogner. “Menjëherë në vendin e ngjarjes u afruan Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr.1 dhe 2 të Policisë së Tiranës, të cilët bënë të mundur një kufizim të shpejtë të zonës. Patrullat e Përgjithshme të Policisë konstatuan që një person i armatosur po largohej me shpejtësi në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe bënë një kufizim më të ngushtë të zonës dhe pikërisht në rrugën ‘Abdul Frashëri’ në Tiranë përballë me Librin Universitar, mundën që të ndalin autorin e vjedhjes me armë. Në këto kushte, grabitësi mori peng një kalimtare të rastit”, – deklaroi Vocaj. Në vendin e ngjarjes u afruan me shpejtësi edhe forca të tjera të Policisë së Tiranës dhe të Repartit RENEA. Është negociuar me rrëmbyesin përreth 30 minuta dhe është synuar që të ruhej qetësia e tij, deri në organizimin e operacionit për kapjen dhe neutralizimin e tij. “Autori është shtetasi Romeo Llesh Leka, lindur në Lezhë dhe me vendbanim të papërcaktuar. Autori është i moshës 25 vjeç dhe në vitin 1998 ka emigruar së bashku me familjen e tij në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në SHBA është arrestuar disa herë për “trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”, “vjedhje me armë”, “vjedhje banke” dhe për “posedim të armëve të zjarrit”. Në gusht të vitit 2007 është deportuar nga autoritetet e emigracionit të SHBA-ve dhe ka jetuar te të afërm të tij në Durrës, Kavajë, Burrel dhe Tiranë”, – u shpreh drejtori i Policisë së Tiranës.
Përveç ngjarjes së sotme, Leka është i dyshuar si autor i vjedhjes me armë të mbetur në tentativë të filialit të bankës “Union Bank” e ndodhur më datë 18.03.2010 në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, si dhe i tentativës së vjedhjes me armë ndodhur dy net më parë në Unazë të Re në Tiranë. Në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet të Rënda dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vazhdon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të tij.

Dëshmia e pengut
Lori H.: “Më tha se nuk do të vras derisa t’i largohet policisë”

Lori H., vajza 19-vjeçare, e cila është marrë peng paraditen e djeshme në Tiranë, ka rrëfyer në një intervistë ekskluzive për "Ora News" momentet e tmerrit. Ajo me imtësi tregoi ngjarjen që nga momenti kur 25-vjeçari Romeo Leka e kapi për xhupi dhe i vendosi pistoletën në kokë. "Më kapi prej xhupi dhe më vuri pistoletën në kokë”, - rrëfen Lori, duke shtuar se më pas pengmarrësi lëshoi lekët në tokë. Ndërkohë ajo rrëfen se në fillim u ndje e tronditur, por më pas e mblodhi veten duke e përballuar gjithë këtë ngjarje. "Isha shumë e qetë dhe as vetë nuk e kuptoj pse isha aq e qetë", - tregon Lori, duke treguar se pengmarrësi i ripërsëriste se nuk do ta vriste, por se po e përdorte vetëm për t'u larguar nga forcat e policisë. Gjithashtu 19-vjeçarja tregon edhe bisedat e saj me pengmarrësin, duke theksuar se me të ai tregohej shumë i qetë, ndërsa me forcat e policisë ishte shumë i acaruar. "Dukej i droguar, por mua më thoshte se nuk do të më vriste", - vazhdon rrëfimin Lori, duke shtuar se i gjuante me shkelma paratë e vjedhura në bankë dhe i thoshte se gjithçka po bëhet për lekët. Lori tregon edhe përpjekjen e pengmarrësit për të grabitur një makinë të parkuar, duke i thyer xhamat, por që nuk dinte ta ngiste, prandaj kishte vazhduar "xhiron" deri te Presidenca. Gjithashtu 19-vjeçarja Lori H. theksoi se edhe pse e nisi keq praktikën e saj si juriste, beson se në të ardhmen ajo do të përpiqet që me profesionin e saj të vendosë drejtësi.

Historiku i grabitjeve të bankave

Historia e grabitjeve të bankave

Bankat e nivelit të dytë janë kthyer në gjahun e preferuar të grabitësve. Vetëm brenda tre muajve janë grabitur dy filiale bankash në kryeqytet. Kjo vjen dhe si pasojë e sigurisë së ulët të këtyre bankave. Më 17 shkurt persona të paidentifikuar ende grabitën në mes të ditës filialin e bankës BKT, që ndodhej në rrugën “Myslym Shyri”. Ata arritën të grabisnin rreth 5 milionë lekë dhe të zhdukeshin pa lënë gjurmë. Edhe pse policia ngritit grupe të shumta pune për identifikimin dhe arrestimin e tyre, deri sot nuk ka asnjë person përgjegjës për këtë ngjarje.
Historitë e grabitjes së bankave kanë ardhur gjithnjë në rritje, por edhe në perfeksionim të metodave të përdoruara nga grabitësit. Në mars 2009, në Lezhë, punonjësi i postës sulmohet nga dy persona të maskuar në dalje të bankës dhe i rrëmbehen 5 milionë lekë që duhet t'u shpërndaheshin pensionistëve. Grabitësit u kapën një muaj më pas dhe rezultoi se ishin persona me precedentë për vjedhje të shumta. Në tetor 2009, në Skelë të Vlorës, persona të maskuar godasin një filial banke duke përvetësuar shuma të konsiderueshme. Për hajdutët Policia e qytetit bregdetar vendosi 30 mijë euro shpërblim, por pas kërkimeve arriti të gjejë të braktisur dhe të djegur vetëm automjetin me të cilin autorët ishin larguar nga vendngjarja. Në qytetin e Korçës, roja i një filiali banke plagoset gjatë përleshjes me grabitësit, ndërsa këta të fundit arrijnë të marrin me vete 700 euro. Një 30-vjeçar i maskuar hyri në nëntor 2009 në një bankë në Fier në mes të ditës, duke vjedhur shuma të konsiderueshme. Në Tiranë, grabitjet kanë qenë më të shumta, por shumat e grabitur në to kanë qenë të vogla, që variojnë nga 500 deri në 700 mijë lekë.

Siguria e bankave

A janë të sigurta bankat shqiptare? Kjo është pyetja që shtrohet nga çdokush sa herë që shënohet një grabitje banke. Edhe pse Policia e Tiranës, në bashkëpunim me drejtuesit e shoqërive private të policëve janë munduar të bëjnë maksimumin për ruajtjen e këtyre objekteve, grabitja e djeshme e filialit të një banke që ndodhet brenda njërit prej hoteleve më të frekuentuara në Tiranë tregon të kundërtën.
Vetëm dy ditë pas grabitjes së bankës në rrugën “Myslym Shyri”, strukturat e Policisë së Tiranës u vunë në alarm, duke kërkuar nga policitë private angazhimin maksimal për parandalimin e rasteve të tilla. Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, gjatë një takimi me përfaqësuesit administrativë dhe drejtuesit teknikë të shoqërive të ruajtjes dhe sigurisë fizike ka kërkuar marrjen e më shumë masave për sigurinë e bankave. Në vendimet e marra në këtë takim është rënë dakord që veç ndryshimeve në ligjin përkatës, të shtohet numri i armëve që mban personeli sigurisë në banka dhe të bëhet një zgjedhje më e mirë e rojeve të sigurisë. “Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë u shpreh angazhimi për mbështetjen e Shërbimit të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike, si dhe për trajnimin e personelit të sigurisë që shërben në sigurimin e bankave të nivelit të dytë. Nga strukturat e Policisë së Tiranës janë marrë masa dhe janë përcaktuar detyra konkrete për mbajtjen në kontroll të bankave dhe filialeve të tyre që ushtrojnë aktivitet në juridiksionin e qarkut Tiranë”, - thuhej në njoftimin e Policisë së Tiranës të asaj kohe. Edhe pse ky takim u komentua gjatë si një zgjidhje për të rritur sigurinë e bankave, rasti i djeshëm tregon se bankat mbeten sërish të rrezikuara nga grabitësit.

20 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›