E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr në Kuvend, Bizhga dhe Strazimiri konfrontohen fizikisht



Seanca maratonë e Kuvendit nuk mund të kalonte pa incidente. Ashtu siç ndodh rëndom në të tilla seanca që zgjasin pafundësisht, edhe gjatë seancës së djeshme dy deputetë, një nga PS-ja dhe një nga maxhoranca, u konfrontuan fizikisht. Pas fjalës së mbajtur nga deputeti i PD-së, Igli Cara, i cili gjatë fjalës së tij ka akuzuar, por pa e përmendur me emër deputetin socialist Gazmir Bizhga. Deputeti socialist më pas ka kërkuar 2 minuta replikë, por drejtuesi i seancës nuk ia ka dhënë fjalën pasi nuk i është përmendur emri. Gjatë kërkesës për replikë deputeti socialist është sharë nga deputeti i PD-së, Genti Strazimiri. Më pas dy deputetët janë konfrontuar fizikisht. Por, për të ndalur sherrin kanë ndërhyrë punonjësit e Gardës dhe seanca është ndërprerë për 5 minuta. Pas rifillimit të seancës fjalën e ka marrë deputeti Bizhga. “Me parafolësin kam pasur miqësi dhe më ka thënë se PD-ja nuk vjen në pushtet sa kohë është Berisha kryetar. Unë nuk kam pasur asnjëherë agjenci doganore në Portin e Durrësit. Parafolësi im, që sot drejton degën lokale të PD-së së Durrësit, është promovuar nga një klan mafioz që sot ka zënë ekonominë e Durrësit. Ai sot nuk është përfaqësuesi i vetvetes, por i një grupi klanor që fijet e tij fillojnë në Durrës dhe përfundojnë në qeveri”, - është shprehur Bizhga. Fjalimi i tij ka nxitur një tjetër sherr mes tij dhe deputetëve të PD-së, dhe veçanërisht deputetit Strazimiri, që është përpjekur ta godasë, por që nuk është lejuar nga punonjësit e Gardës.

20 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›