Rritet akciza për ambalazhet, kartoni, plastika dhe qelqi konsiderohen mallra luksi
Ervin KOÇI
Ministria e Financave shumë shpejt do të shtrenjtojë një pjesë jo të vogël të produkteve të konsumit, pas disa ndryshimeve që do të bëjë në taksat doganore. Edhe pse taksat doganore nuk do të prekin direkt produktet e konsumit, ato do të përdoren për ambalazhet e tyre, të cilat duket se do të taksohen veçmas. Sipas një projekti që prek direkt akcizën, si një prej taksave kryesore që vilet nga doganat për një pjesë të mallrave, materialet e qelqit, kartonit, letrës, plastikës dhe disa të tjera, të cilat përdoren si ambalazhe për produkte të ndryshme, do të pësojnë një rritje të akcizës. Vendosja e akcizës për to, do të ndikojë në koston e produktit final, kryesisht te fasonët, të cilët nuk po përjetojnë një situatë të favorshme. Reagimi i parë i tyre lidhet me lëndën e parë, kartonin që përdoret kryesisht për ambalazhimin e këpucëve, i cili do të ketë akcizë 5 lekë për kilogram. Po kështu rritje do të pësojnë edhe produkte të tjera ambalazhi si qelqi, letra, plastika etj. Sipas fasonëve, taksa e re do të favorizojë tregtarët e huaj dhe jo vendas, pasi malli i tyre mund të blihet jashtë më lirë, pa taksa doganore. Por absurditeti nuk përfundon këtu. MF-ja po mendon që të lehtësojë nga barra e akcizës disa mallra që në të gjitha doganat e botës konsiderohen si produkte luksi dhe kanë taksa jo të vogla. MF-ja mendon të heqë pikërisht taksën e akcizës për kafenë, me justifikimin se i përafrohet nivelit të Bashkimit Europian, vendet e së cilit nuk e aplikojnë.
Kafeja
Aktualisht norma e taksës së akcizës për kafenë e konsideruar si produkt luksi, është 70 lekë për kilogram. Por MF-ja në projekt-draftin e ri ka propozuar që ta bëjë zero, vetëm për llojin “kafe jo e pjekur e dekafeinizuar ose jo” (me kod doganor 09 01 11 00 09 01 12 00). “Ky propozim bëhet në kuadër të përafrimit të listës së mallrave të akcizës në Shqipëri me vendet e BE-së dhe të rajonit”,- sqaron MF-ja në relacionin që shoqëron projektligjin. Aktualisht norma e kësaj takse aplikohet vetëm nga Kosova, ndërsa vendet e rajonit e kanë hequr nga përdorimi. Gjatë vitit 2009 janë zhdoganuar 6 mijë e 913 tonë kafe, me vlerë rreth 2 miliardë e 246 milionë lekë. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganës, nga artikulli kafe janë siguruar rreth 1 miliard e 200 milionë lekë. Duke parë grafikun mbi ecurinë e zhdoganimit, nivelin më të lartë të importit kafeja e ka pasur në muajin prill dhe tetor, respektivisht me 700 dhe 900 tonë. Kujtojmë që vitin e kaluar, MF-ja vendosi rritje takse për kafenë, me 25 lekë, duke sjellë rritje çmimi në treg, ndërsa pas 6 muajsh përgatitet të marrë vendimin për ta hequr.
Taksat
Varianti i ri i qeverisë u mësua rastësisht në mbledhjen e fundit të Këshillit Konsultativ të Biznesit (KKB), që drejtohet nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Në mbledhje ishte parashikuar diskutimi edhe i projektligjit “Për taksat kombëtare”, ku parashikohen ndryshime të taksës së mjedisit për makinat e përdorura të importit, si dhe rritje me 1 lek/litri për karburantet. Edhe pse ishin në rend të ditës, Këshilli Konsultativ nuk i mori në shqyrtim, por miratoi vetëm ligjin e ri për minierat. Nga 22 projektligje dhe vendime që prekin direkt biznesin, të miratuara këtë vit nga qeveria, KKB-ja ka shqyrtuar vetëm 4 të tilla, duke treguar edhe një herë mungesën e transparencës.
Bulqizë, taks-forca bllokon shfrytëzimin pirat të minierave të kromit
Shfrytëzimi i paligjshëm i burimeve të kromit, shfrytëzimi i punës së fëmijëve dhe aksidentet e shumta, detyruan organet shtetërore në qarkun e Dibrës të krijojnë një task-forcë në qytetin e Bulqizës për hetimin dhe zgjidhjen e shumë problemeve. Në këtë takim përfaqësuesit e Inspektoratit të Punës akuzuan kompanitë që kanë marrë licenca dhe koncesione kromi për nxitje të punës së të miturve dhe stoqet e rrezikshme të kromit, duke ja blerë kromin e mbledhur fëmijëve. Ndërsa drejtuesit e Zyrës Tatimore akuzuan se shumë licenca janë dhënë nga ana e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit në një kohë kur kompanitë nuk kishin asnjë leje minerare. Drejtori i Policisë së qarkut, Ilia Nasi tregon se ka nisur një hetim për abuzime dhe vjedhje të kromit. Në takim ai deklaroi se disa nga kompanitë e licencuara lëshojnë fatura fiktive për të blerë kromin e mbledhur në mënyrë të jashtëligjshme. Ndërkohë që në Bulqizë vijonin diskutimet disa kilometra më tej në stoqet e rrezikshme të kromit disa qindra vetë vijonin mbledhjen e mineralit.
20 Mars 2010