Penolope Cruz
Penelope Cruz është shtatzënë. Ajo do të martohet së shpejti me aktorin Javier Bardem. Janë këto dy lajme, i pari i hedhur poshtë ndërsa i dyti i pakonfirmuar, që këto ditë kanë pushtuar botën e madhe të revistave e gazetave gosip. Kuriozitetit nuk mundi t’i shpëtojë as David Letterman, që me ironi i kërkoi përgjigjet nga aktorja kur e kishte ftuar në shoun e tij. “Nuk flas për jetën private”, përsërit Cruz prej vitesh, pikërisht që nga koha kur vëmendja e medias është përqendruar tek ajo. E ardhur në Los Anxhelos në kohën e “Vanilla Sky” në krah të Tom Cruise, në vitin 2001, ishte aktorja më e paguar dhe më e përfolur për fundin e martesës mes Nicole Kidman-it dhe Cruise, gjë që nuk mund të kalonte pa lënë gjurmë. E kishte joshur në jetë, ashtu si në film? Dyshimi ishte se ndoshta ishte një dashuri e lindur në momentin e daljes së filmit, megjithatë imazhet e çiftit së bashku u shfaqën në media deri në vitin 2004.
Ndërkaq kinemaja amerikane kishte zbuluar se burrat dashuronin edhe brunet dhe Penelope Cruz, imazhi përfaqësues i bukurisë latine, kishte nisur të ngjitej dukshëm në klasifikimet e aktoreve më të dëshiruara, shoqëruar me shumë thashetheme të pashmangshme mbi raportet e saj me partnerët e filmit: nga Nicolas Cage te Matt Damon apo Matthew McConaughey. “Në fillim më vinte inat teksa lexoja lajme mbi një histori të sajuar dashurie, apo për një martesë të ardhshme, por shpejt kuptova se nuk isha e vetme. Për një personazh publik është thuajse e pamundur të shmangësh fotografët dhe kuriozitetin e një lloji të caktuar shtypi.
Por si ka mundësi t’i kërkosh një njeriu vetëm sepse është i famshëm se me kë shkon në shtrat? Nuk është e drejtë, gjithmonë kam qenë e turpshme dhe e rezervuar. Më në fund mësova të mos u kushtoj më rëndësi atyre që shkruhen. Tani nuk mërzitem më, nuk dua të harxhoj më energji”, tregon ajo. Pedro Almodovar, regjisori që e njeh më mirë se kushdo tjetër konfirmon: “Penelope është vërtet shumë e rezervuar. Kjo varet edhe nga momentet që jeton. Kur është vërtet e dashuruar është shumë xheloze mbi privatësinë e saj, aq sa bëhet pothuajse krejtësisht e paafrueshme”.
Por, meqë edhe në këtë periudhë është kështu për sa i përket lidhjes me Javier Bardem, ndoshta është e dashuruar me të vërtetë. Ajo 36 vjeçe, ai 40, u takuan për herë të parë në vitin 1992, kur ai ishte një model i të brendshmeve intime, protagonist i Jamon Jamondi, Bigas Luna, ndërsa ajo, një 17-vjeçare që sapo kishte xhiruar filmin e parë. Që atëherë janë ndarë e lidhur shumë herë, deri në takimin fatal në vitin 2008, gjatë xhirimeve të filmit “Vicky Cristina Barcelona”, me regji të Woody Allen. Nëse argumenti për Bardem-in, shokun e jetës së saj është një tabu, Penelope Cruz flet me kënaqësi për rrugën e saj profesionale.
Pas kandidaturës për “Oskar” me filmin “Volver” të Almodovar, statuja si aktorja më e mirë jo protagoniste erdhi një vit më vonë me filmin e Woody Allen. Po një vit më vonë, edhe Bardem do të merrte “Oskar” për rolin tij në filmin “Nuk është një vend për pleqtë”, duke u bërë i pari aktor spanjoll që mori një çmim të tillë. “Nuk është një rastësi fantastike? Javier dhe unë kemi nisur së bashku dhe brenda dy vjetëve arritëm të njëjtin objektiv. Shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Por, është e vërtetë”, thotë aktorja. Ajo tregon se vazhdon ta mbajë statujën e vogël në shtëpinë e saj në Madrid, duke e zhvendosur nga një dhomë në tjetrën, para se të vendosë që t’i gjejë një vend përfundimtar. “E kam ëndërruar shumë dhe ende më duket një ëndërr e pamundur”. Një takim me Penelope Cruz është gjithmonë befasues. E bukur, tërheqëse dhe shumë seksi. “Unë një vajzë seksi? Nuk ka mundësi. Peshoj më pak se 50 kilogramë”.
E hollë dhe me një fytyrë engjëllore, Penelope e gjatë 1.68 centimetra, është jo vetëm një vajzë e turpshme dhe e rezervuar, por edhe shumë e kulturuar. E ardhur nga një familje borgjeze, e para e tre fëmijëve, babai i saj, Eduardo, ka qenë tregtar ndërsa e ëma, Encarna, parukiere. Penelope ka lindur në periferi të Madridit më 28 prill të vitit 1974 dhe është rritur në një vend të vogël ku nuk kishte as teatër, ndaj ideja për t’u bërë aktore dukej thuajse një çmenduri. Askush nuk e nxirrte bukën e gojës, me ndonjë punë që kishte lidhje me artin”. Por nuk mendonin kështu prindërit kur e regjistruan në një shkollë baleti. “E bënë sepse ishte mënyra e vetme për të nxjerrë energjitë që kisha. Pas një-dy orësh lodhjeje dhe djersitjeje në stërvitje kthehesha më e qetë në shtëpi. Më pëlqente, teksa performoja përpara njerëzve nuk kisha më turp, çuditërisht”. Dashuria për kinemanë nisi kur isha 8 vjeçe, kur në shtëpi sollën një videoregjistrues ‘Betamax’ dhe mbrëmjet e familjes së bashkuar që shihnin filma u bënë zakon. “Në kohën e lirë shihja filma. Merrja me qira nga një të ri çdo ditë, fiksoja batutat, i përsëritja me shoqet, madje ribënim edhe skenat që më kishin pëlqyer më shumë. Falë ‘Betamax’ zbulova Billy Wilder, Audrey Hepburn, Anna Magnani, Sophia Loren. Dhe u dashurova me botën e grave të tij. Ishte e njëjta botë që shihja në sallonin e nënës, kur duke u hequr sikur bëja detyrat, dëgjoja fjalët e tyre, sekretet, problemet me fëmijët, martesën, divorcet, pasiguritë, ëndrrat dhe fantazitë: gjithçka që gjeta në kinemanë e Almodovar. Salloni i nënës ishte shkolla ime e parë për aktore”.
Takimi me Almodovar ndodhi falë Jamon Jamon. “Nuk kam ndonjë kujtim të këndshëm nga ai film. Nuk isha eksperte. Shumë vonë e kuptova se çfarë kërkonte regjisori. Pastaj duke u rritur kuptova se seksi është pjesë e jetës dhe nuk ka asgjë të keqe që kinemaja ta tregojë”, thotë ajo. Por falë atij filmi, Almodovar e kuptoi talentin e saj, ndaj në vitin 1997 i dha një tjetër rol të rëndësishëm në filmin “Carne tremula”, atë të një nëne që lindi fëmijën në autobus. “Për mua, Penelope shprehte ndjenjën e mëmësisë”, mbështet Almodovar. E cilësuar si simbol i bukurisë mesdhetare, Penelope Cruz në ekran ka qenë spanjolle, meksikane, greke, kolumbiane dhe italiane. Në karrierën e saj të shpejtë dhe intensive numërohen më shumë se 50 filma. “Fati luan rolin e tij, por edhe unë kam punuar shumë. Kam punuar gjithmonë, kam pranuar atë që më kanë ofruar, isha e droguar pas punës. E droguar por e lumtur. Kam bërë edhe filma të shëmtuar, por nuk mohoj asnjë”. Për sa i përket parave që fiton, ajo tregon se i pëlqen shumë t’i harxhojë, duke blerë veshje të shtrenjta, edhe pse në pjesën më të madhe të kohës preferon të qëndrojë me xhinse dhe bluza pambuku. Po, më pëlqen t’i shoh të varur në dollap.
Pastaj mora një apartament në Nju Jork dhe bleva dy shtëpi në Madrid, që mbetet gjithmonë qyteti im, jeta ime. Më pëlqen të punoj në Amerikë, por nuk do të mund të jetoja kurrë në Europë, ku jeta më duket shumë artificiale në krahasim me Europën”. Deri tani ka bërë katër-pesë filma në vit dhe gjithmonë përkrah Almodovar-it, mësuesit të saj në xhirim dhe mikut të cilit i tregon edhe sekretet më të shenjta. “Tani dua të bëj vetëm një film në vit. Të kem më shumë kohë dhe të luaj edhe rolin e plakave apo zonjushave të thyera në moshë”.
Filmi i fundit është “Nine”, ku luan përkrah emrave të mëdhenj të kinemasë, si Nicole Kidman, Marion Cotillard dhe Sophia Loren. “Nine” për të është një tjetër ëndërr e realizuar, sepse “adhuroj të kërcej dhe këndoj. Pastaj munda të njoh nga afër Sophia Loren-in. Kur hanim më qortonte se haja pak, ndërsa unë i kërkoja këshilla për gjithçka. Sophia është simbol i kinemasë, ajo që i bëri njerëzit të dashuroheshin me kinemanë”.