E Diel, 1 Nëntor 2026

Kënd lojërash brenda spitalit të fëmijëve

Risia Vogëlushët me probleme në zemër, që u trajtuan në spital, dhuruan arushat e tyre për pacientët e vegjël

Fëmijët e shtruar në pavijonin e spitalit pediatrik në QSUT, nga sot do të kenë një sallë argëtimi, ku do të mund të harrojnë për pak kohë gjatë ditës mungesën e plotë të shëndetit të tyre. Kjo sallë u realizua në sajë të shoqatës “Një botë për një zemër”, në bashkëpunim me spitalin pediatrik në QSUT.

Kjo dhomë do të shërbejë për të gjithë fëmijët që janë të shtruar në spital dhe nuk mund të dalin jashtë ambienteve të tij. Lodrat janë mundësuar nga prindërit e disa fëmijëve, të cilët kanë kaluar ditë në këto ambiente. “Salla me lodra, e ndërtuar në katin e parë të pavijonit ku janë të shtruar fëmijët me probleme kardipatike, u ndërtua brenda disa ditësh, falë mbledhjes së shumë lodrave nga shumë fëmijë, të cilët iu përgjigjën thirrjes sonë që të kontribuonin për bashkëmoshatarët e tyre”, u shpreh gjatë promovimit të kësaj salle presidenti i shoqatës “Një botë për një zemër”, Agim Baçi.

Ndërkaq, kanë shfaqur hapur gëzimin e tyre prindërit dhe mjekët e infermierët e pavijonit, të cilët këtë sallë e shohin si një alternativë që do të mund t’u lehtësojë fëmijëve qëndrimin gjatë ditëve që ata do të duhet të jenë të shtruar në pavijonet e pediatrisë. “Dua të falënderoj QSUT-së dhe shefin e spitalit pediatrik që përkrahën menjëherë këtë iniciativë, duke i gjetur ambientet e nevojshme për sallën e argëtimit”, u shpreh Baçi. Drejtuesit e QSUT, duke përshëndetur këtë iniciativë të shoqatës, u kanë drejtuar thirrje prindërve dhe bizneseve të ndryshme, që të kthejnë sytë për më shumë vëmendje ndaj fëmijëve që janë të shtruar në spital. “Pavarësisht përmirësimeve të vazhdueshme, ne besojmë se fëmijët kanë nevojë për angazhimin e gjithë shoqërisë, por sidomos nga prindër e biznese që kanë mundësi të kontribuojnë”, thanë drejtuesit e QSUT-së.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›