E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, ISSH-ja zbardh formulën e llogaritjes së këstit mujor

Shtesa e pensionit, caktimi i saj dhe masa individuale. Kufijtë minimalë dhe maksimalë të pensionit të pleqërisë

Jonida Tashi

Instituti i Sigurimeve Shoqërore zbardh formulën e llogaritjes së masës të këstit mujor të pensionit. Në bazë të ligjit aktual për sigurimet shoqërore, pensioni mujor i pleqërisë llogaritet në bazë të formulës së mëposhtme. Pp = Mpb + Sh, ku: Pp është pensioni i plotë mujor i pleqërisë; “Mpb” është masa e pensionit bazë, i cili u jepet të gjithë personave të siguruar, që duhet të sigurojë një standard minimum jetese. Ky komponent korrektohet çdo vit me indeksin e çmimeve të disa mallrave të përzgjedhura, siç parashikohet në rregulloren e ISSH-së dhe përcaktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave. Aktualisht, masa pensionit bazë është 9515 lekë në muaj. Por, specialistët e pensioneve shpjegojnë se ka një historik të zhvillimit të pensionit bazë, që fillon me pensionin minimal të vitit 1991 dhe që rritet çdo vit sipas një politike të përafrimit me minimumin jetik të llogaritur. “Sh” është shtesa mbi pensionin bazë. Ky komponent llogaritet, është individual, varet nga madhësia dhe zgjatja e periudhës së kontributeve dhe është 1 për qind për çdo vit sigurimi shumëzuar me “bazën mesatare të vlerësueshme” (paga mbi të cilën janë paguar kontributet).
Llogaritja
Këshilli i Ministrave miraton çdo vit koeficientin e indeksimit të bazës së vlerësueshme duke përdorur shkallën e rritjes së kontributeve mesatare individuale të vitit përkatës me atë të vitit paraardhës. Koeficientet e reja të indeksimit për llogaritjen fillestare të pensioneve, sipas viteve, janë: Për vitin 2007 1.00; për vitin 2006 1.04; për vitin 2005 1.02; për vitin 2004 1.12; për vitin 2003 1.10; për vitin 2002 1.09; për vitin 2001 1.14; për vitin 2000 1.07; për vitin 1999 1.09; për vitin 1998 1.05; për vitin 1997 1.22; për vitin 1996 1.09; për vitin 1995 1.37; për vitin 1994 1.32.
Aktualisht, baza mesatare e vlerësueshme llogaritet si mesatare e pagave që ka marrë i punësuari gjatë gjithë viteve të punës dhe mbi të cilat janë paguar kontribute. Duke qenë se përpara vitit 1994 nuk ka të dhëna për pagat individuale, për efekt të llogaritjes së bazës mesatare të vlerësuar llogaritjet bëhen në bazë të pagave referuese të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, që i përgjigjen llojit të punës apo profesionit të dokumentuar në regjistrat themeltarë dhe në librezën e punës të punonjësit. Pensioni i pleqërisë ka kufijtë e vet minimalë dhe maksimalë. Pensioni minimal përcaktohet çdo vit nga Këshilli i Ministrave. Pensioni maksimal është dyfishi i pensionit minimal. Gjithashtu, pensioni i pleqërisë nuk mund të jetë më i lartë se 75 për qind e pagës mesatare neto të indeksuar të tre viteve rresht në dhjetë vitet e fundit të punës. (Pp = Paga neto x 75 për qind). Kjo presupozon dhe një shkallë zëvendësimi të pagës në momentin e pensionimit.
Ligji
Ligji për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë përcakton se shuma fillestare e pensionit mujor të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit që u jepet të gjithë personave të siguruar caktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa shtesa është 1 për qind për vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Këshilli i Ministrave indekson çdo vit bazën e vlerësimit individual në lidhje me zhvillimin e kontributeve mesatare të paguara. Në ligjin e Sigurimeve Shoqërore cilësohet që çdo vit, duke filluar nga data 1 janar, baza e vlerësuar, vjetore, individuale indeksohet me koeficientin që llogaritet si raport i kontributit mesatar për çdo person të siguruar, të mbledhur në vitin e fundit kalendarik, kundrejt të njëjtit tregues të vitit pararendës. Indeksimi i pensioneve bëhet sipas procedurave dhe koeficienteve të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit përkatës. Ndërsa rillogaritja e masës së pensionit dhe indeksimet bëhen në bazë të pagave të dokumentuara e të paraqitura në dosjen individuale të pensionit dhe mbi të cilat është caktuar masa e pensionit fillestar. Për rillogaritjen e pensioneve rillogaritet baza e vlerësuar dhe u indeksohet paga neto. Paga neto e tre viteve rresht, në dhjetë vitet e fundit të punës, rillogaritet duke përdorur të njëjtat koeficiente indeksimi, si edhe për rillogaritjen e bazës së vlerësuar. Masa e re e pensionit, e rillogaritur sipas vendimit, rritet radhazi, sipas përqindjeve të rritjes së pensioneve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave për rritjen e pensioneve. Masa e pensionit që rezulton pas rillogaritjeve dhe zbatimit të rritjeve, është masa përfundimtare e pensionit individual.

Ndikimi i rritjes së fundit të pensioneve në këstin mujor
Rritja e re e pensioneve, që do të zbatohet në muajin maj të këtij viti, parashikohet që t’i shtojë mesatarisht 1 mijë lekë çdo përfituesi të pagesës së pleqërisë. Sipas premtimit për rritjen e pensioneve, të bërë nga kryeministri i vendit, Sali Berisha, pensionistët do të përfitojnë në muajin maj një rritje prej 10 përqindësh për pensionet e qytetit dhe 20 për qind për ata të fshatit. Në rritjen e re të pensioneve parashikohet që të përfshihen pensionistë që marrin pension pleqërie, familjar dhe invaliditeti, si në qytet, ashtu dhe në fshat. Sipas skemës së re të rritjes, për vitin e ardhshëm pensioni i plotë minimal i qytetit do të rritet 10 për qind, ose në masën 951 lekë në muaj, duke përfshirë këtu edhe kompensimet kjo masë pritet të arrijë në nivelin 12226 lekë. Në të njëjtën përqindje do të rriten edhe pensionet e plota maksimale të qytetit. Por këta pensionistë që marrin këtë lloj pensioni do të përfitojnë një rritje akoma edhe më të madhe, pavarësisht se përqindja është e njëjtë. Kështu, sipas llogaritjeve paraprake, një pensionist që trajtohet me pension maksimal qyteti do të marrë një shtesë prej 1900 lekësh në muaj dhe si pasojë, të ardhurat mujore kapin nivelin e 21433 lekëve. Ndërkohë, ashtu siç është vepruar edhe gjatë viteve të kaluara, pritet që kjo rritje të mos cenojë kompensimet e ndryshme që përfitojnë pensionistët. Specialistët e ISSH-së sqarojnë se të gjithë pensionistët, pa përjashtim, përveç rritjes së re të vitit 2008, do të vazhdojnë të përfitojnë edhe kompensimet e përfituara me vendime të veçanta të qeverisë. Sipas kësaj skeme rritjeje do të procedohet edhe për pensionet e fshatit. Kjo kategori pensionistësh do të përfitojë një rritje në masën 20 për qind. Kjo shifër, e përkthyer në vlerë monetare, do të thotë një rritje prej 1040 lekësh në muaj, duke filluar nga muaji maj i vitit të ardhshëm. Kështu, pas kësaj rritjeje pensioni i plotë i pleqërisë në fshat do të arrijë në masën 6240 lekë në muaj. Ndërsa të ardhurat mujore të pensionistëve të fshatit, që kanë pensione të plota mbas kësaj rritjeje pritet të arrijnë nga 6240 lekë në 7130 lekë në muaj.

Formula e llogaritjes së këstit mujor të pensionit

Pp = Mpb + Sh
Pp - Pensioni i plotë mujor i pleqërisë
Mpb - Masa e pensionit bazë që u jepet të gjithë personave të siguruar, që duhet të sigurojë një standard minimum jetese
Sh - Shtesa mbi pensionin bazë

Rritja e pensioneve në maj sipas kategorive

Të ardhurat minimale për pensionin e plotë të qytetit:
Ishte
9515 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 11275 lekë
Bëhet
10466 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 12226 lekë
Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit:
Ishte
19030 lekë + 350 + 150 = 19530 lekë
Bëhet
20933 leke + 350 + 150 = 21433 lekë
Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit:
Ishte
5200 + 200 + 690 = 6090 lekë
Bëhet
6240 + 200 + 690 = 7139 lekë

20 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›