Shtëpitë e ish-pronarëve, Qeveria do t’u japë kredi 3500 familjeve
Opozita kërkon trajtimin e tyre sipas vendimit të Kushtetueses. Braçe: “Kreditimi është antikushtetues, zbatoni vendimet e GJK-së”
Eljona Ballhysa
Qeveria do t’u japë kredi rreth 3500 familjeve që kanë zënë shtëpitë e ish-pronarëve. Ministri i Transporteve u shpreh dje në seancë parlamentare se Këshilli i Ministrave ka gati listën e përfituesve në të gjitha rrethet e vendit. Sipas tij, rreth 3500 familjeve do t’u jepet kredi në mënyrë që të largohen nga shtëpitë e ish-pronarëve. Por Olldashi sqaroi se interesat e kredisë do të paguhen nga shteti, ndërsa këto familje do të paguajnë vetëm shumën fillestare të kredisë. Por kjo mënyrë e re trajtimi u cilësua antikushtetuese nga opozita. Deputeti socialist Erion Braçe tha se këto familje duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë siç janë trajtuar familjet në vitin 1992 dhe në përputhje me dy vendime të Gjykatës Kushtetuese.
Opozita
Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, Braçe citoi pjesë të programit politik të qeverisë, në të cilën PD-ja angazhohej në zgjidhjen e çështjes së strehimit të familjeve që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve. Duke e cilësuar antikushtetues trajtimin e këtyre familjeve me kredi, Braçe përmendi dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, të cilat, sipas tij, duhet të zbatohen nga qeveria për zgjidhjen e çështjes së strehimit. Gjykata Kushtetuese ka vendosur në vitin 2007 shfuqizimin e Nenit 9 të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” që parashikonte trajtimin me kredi nga qeveria të qiramarrësve që kanë statusin e të pastrehëve. “Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se Neni 9 i ligjit në shqyrtim është në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit dhe, si i tillë, duhet të shfuqizohet si i papajtueshëm me Kushtetutën”, - shkruhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë në këtë vendim ka konstatuar se “një pjesë e qiramarrësve të banesave ish-pronë private kanë përfituar banesë në kushtet e Nenit 1 të Ligjit Nr. 8647, datë 24.07.2000, “Për disa ndryshime në Ligjin Nr. 8030, datë 15.11.1995, “Për kontributin e shtetit për familjet e pastreha”. Për pasojë, një trajtim më i pafavorshëm i pjesës tjetër të qiramarrësve, të cilët janë në të njëjtat kushte me të parët, përbën një diskriminim jokushtetues”. Pikërisht një trajtim të tillë kërkoi dhe deputeti i PS-së Braçe gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend. Ai tha se qeveria duhet t’u sigurojë strehim këtyre banorëve.
Qeveria
Nga ana tjetër, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka shpjeguar se qeveria do të marrë përsipër të paguajë interesat e kredive që do t’u sigurojë këtyre familjeve të pastreha. Ai tha se programi i strehimit të të pastrehëve është tagër i pushtetit vendor dhe çdo bashki, sipas tij, duhet të sigurojë strehim për familjet e pastreha. “Ne kemi evidentuar listën e këtyre familjeve. Janë rreth 3500 të tilla në të gjithë vendin. Qeveria tashmë ka gati listën dhe ne kemi vendosur t’i trajtojmë këto familje me kredi, ndërkohë që interesat e kredisë do të paguhen nga qeveria”, - është shprehur Olldashi.
20 Shkurt 2009