E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, KLSH: Të reformohet sistemi

Komisioni i Ekonomisë

Skema e pensioneve duhet të reformohet, dhe kjo duhet të bëhet sa më shpejt. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku, e bëri këtë thirrje dje nga Komisioni i Ekonomisë, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Financave, Ridvan Bode. Në Komision u diskutua projektligji për buxhetin faktik të vitit të kaluar dhe kontrolli i KLSH-së mbi zbatimin e tij.
Skema e pensioneve
Problematika që shfaq skema e pensioneve në vend është vënë në fokus të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kreu i tij, Robert Çeku, u shpreh dje se ka ardhur koha që reformimi i skemës të merret seriozisht dhe të bëhen ndërhyrjet e duhura në mënyrë që buxheti mos të harxhojë më aq para për deficitin që ka skema. Kështu, fillimisht nga Çeku u kërkua që të luftohet informaliteti në këtë fushë, i cili, sipas kontrolleve të KLSH-së, është masiv. Nga verifikimet e bëra nga institucioni rezulton se në shkallë vendi, një numër i konsiderueshëm subjektesh të biznesit të madh deklarojnë dhe paguajnë kontribute vetëm për një person. Nga të dhënat që kemi marrë nga disa drejtori rajonale, kjo përqindje është shumë e lartë. Fenomen i tillë takohet në Shkodër, Vlorë, Tiranë, Elbasan, Durrës, pra në qytetet kryesore të vendit, tha Çeku. Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij ishte edhe fakti që shumica e punonjësve të sektorëve përkatës rezultojnë se paguajnë kontribute në bazë të pagës minimale. Konstatohet se një numër i madh subjektesh kanë paguar kontributet me paga minimale. Konkretisht, në kontrollet e bëra në listë-pagesat e dërguara rezulton se 18.6 për qind e kontribuuesve deklarohen dhe paguajnë kontribute me pagë minimale. Shifra është e lartë dhe po shkon 20 për qind, shtoi ai. Në këtë prizëm ai propozoi që Drejtoria e Tatimeve dhe Instituti i Sigurimeve të marrin seriozisht nënshkrimin e një marrëveshjeje për uljen e informalitetit, që do të ndihmonte në rritjen e të ardhurave në skemë.
Lidhur me pensionet, kanë reaguar edhe deputetët Arben Malaj dhe Florion Mima. Sipas Malajt, skema e dështuar i merr buxhetit mjaft para dhe ky problem do të vazhdojë kështu nëse nuk ndërhyhet për vite të tëra, kurse Mima kërkoi që opozita, nga ana e saj, të bëhet aktive dhe të bashkëpunojë për reformimin e skemës së pensioneve.
Ministri Bode
Ministri i Financave, Ridvan Bode, paraqiti para Komisionit të Ekonomisë buxhetin faktik 2010, diskutimi i të cilit u shoqërua me debate në fund të mbledhjes. Në asnjërën prej pikave të paraqitura nga Financat si arritje të vitit të kaluar, opozita nuk ka dhënë miratimin e saj, duke kundërshtuar fort, sidomos te të ardhurat e mbledhura nga Tatimet. Kështu, përplasje kishte lidhur me investimet ku opozita këmbënguli që ndërhyrjet në buxhet në mes të vitit shkurtuan me shumicë investimet për sektorët prioritarë si arsimi dhe shëndetësia. Avokaturën e maxhorancës e ka bërë, nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu, i cili ka vënë theksin në miliardat që qeveria harxhoi për këta sektorë dhe për të tjerë si infrastruktura dhe bujqësia. Pikë tjetër debati ishin të ardhurat nga TVSH-ja dhe akciza, ku opozita akuzoi për korrupsion dhe evazion fiskal në administratën tatimore, por kjo ka përfunduar në një seri akuzash të ndërsjella mes ministrit Bode dhe deputetit Arben Ahmetaj, për akcizën te cigaret. Opozita deklaroni se në Shqipëri hyjnë 7 mijë tonë cigare, ndërkohë që Bode dha detaje se janë 4.2 mijë tonë cigare që hyjnë në vit në vend.

273 miliarde leke
vlerësohet të jenë të ardhurat në buxhet për vitin e kaluar sipas buxhetit faktik 2010 të Ministrisë së Financave. Në buxhetin e konsoliduar, të ardhurat vlerësohet se janë 324 miliardë lekë

300 miliarde leke
vlerësohet se ishin shpenzimet e buxhetit për vitin e kaluar sipas buxhetit faktik të vitit 2010 të Ministrisë së Financave. Sipas buxhetit të konsoliduar, ishin 362 miliardë lekë

38 miliarde leke
është deficiti buxhetor i vitit 2010 sipas buxhetit faktik të Ministrisë së Financave. Financimi i këtij deficiti u bë në mënyrë të plotë nga një sërë burimesh dhe huamarrjesh

Debati për buxhetin
Bode:
Opozita prej dy-tre vitesh këmbëngul krizë, krizë, krizë dhe nuk ka. Nuk flasim me vlerësime, por me shifra dhe me rakordimin e llogarive me bankat, dhe këto janë fakte. Ju thoni pse shkurtuat shpenzimet? Sot sfida në botë është shkurtimi i shpenzimeve dhe po shkurtojnë pagat, pensionet dhe pastaj shpenzimet. Ne bëmë të mundur shkurtimin e shpenzimeve duke rritur pagat e pensionet në vitin 2010, dhe kemi ruajtur një vlerë investimesh publike qendrore dhe lokale prej 7 përqindësh. Kemi çuar deficitin 3 për qind. Më i ulëti historik. Tregoni dhe histori këtu që kemi ndërhyre 2-3 herë në buxhet. Dhjetë herë do të ndërhyj për ti treguar botës që ne jemi të përgjegjshëm. Borxhin gjithashtu e ulëm.
Ahmetaj: Borxhi është më i lari në rajon.
Bode: Ore zotëri, kur ti me defterët e tu bëje Çiçikovin me Tatimet dhe Doganat dhe realizoje me një nivel taksash 2 herë më të lartë nga sot, gjithsej të ardhura 13.9 për qind, sot i ke dy herë më të larta. Ti më përmende mua TVSH-në dhe të tjera. TVSH-në e ke pasur në kohën tënde 6.9 për qind të GDP-së. Nuk po të them në vlerë totale, që është bërë trefish i arkëtuar. Arkëtoje kur ishe drejtor i Përgjithshëm gjithsej 6.9, sot arkëtohen 9.2.
Ahmetaj: Arritje… për 20 vjet 2 për qind rritje.
Bode: Është e njëjta taksë, funksionon me të njëjtën rritje.
Ahmetaj: Jo, këtu del korrupsioni.
Bode: E kam rritur 50 për qind rendimentin fiskal krahasuar me kohën tënde, kupton apo jo? Që do të thotë që gjysmën e taksës e ke vjedhur kur ke qenë.
Ahmetaj: E ke vjedhur ti, jo unë!
Bode: Akcizat që mi përmende dhe që më the. Ke pasur gjithsej 2700 tonë kafe. Janë 9 mijë tonë kafe. Ku janë 6 mijë tonë kafe kur ke qenë zoti drejtor. Akciza e cigares është rritur në fund të shtatorit të 2010-s. Duhet ta dish që deri në shtator u fut gjithë sasia e cigareve për tu konsumuar deri në fund të vitit 2010.
Kodheli dhe Ametaj: Janë 7000 tonë cigare.
Bode: Atë 7000 gjeje ti ku e konsumon, se Shoqata e Tregtarëve të Cigareve deklaron se Shqipëria konsumon 4000 tonë cigare. Veç po i pi Rama nja 3 mijë tonë cigare te PS-ja. Deri në 4200 tonë është tregu i cigareve në Shqipëri. Megjithatë, kur ne u tregojmë hënën, shikoni hënën, jo gishtin tonë. Se më duket po shikoni gishtin. Merruni me atë që po ju themi. Mos u merrni me Çiçikovë.
Opinione rreth buxhetit dhe Kontrollit
Robert Çeku (KLSH): Çështja është në fushën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Problemi themelor që dua të tërheq është problemi i informalitetit në këtë fushë. Nga verifikimet e bëra nga institucioni rezulton se në shkallë vendi, një numër i konsiderueshëm subjektesh të biznesit të madh deklarojnë dhe paguajnë kontribute vetëm për një person. Nga të dhënat që kemi marrë nga disa drejtori rajonale, kjo përqindje është shumë e lartë. Fenomen i tillë takohet në Shkodër, Vlorë, Tiranë, Elbasan, Durrës, pra në qytetet kryesore të vendit. Duke marrë në konsideratë sa thamë më sipër, ne gjykojmë se është i nevojshëm materializimi në praktikë i masave të parashikuara për skemën e pensioneve. Mund të ketë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›