E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, Malstrom: Kosova ka bërë përparim

PRISHTINE- “Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm drejt përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave.” Deklarata është bërë nga Komisionerja Europiane për Çështjet e Brendshme gjatë Forumit Ndërministror BE – Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Ohër të Maqedonisë, nën kryesimin e Presidencës polake të Bashkimit Europian.

Malstrom përshendeti progresin e arritur. Për herë të parë deklaroi se ekspertët e Komisionit Evropian të cilët vizituan Kosovën muajt e kaluar, kanë vlerësuar pozitivisht arritjet dhe se KE do të rekomandojë në muajt e ardhshëm fillimin e dialogut formal për liberalizimin e vizave me Kosovën.

“Dërguam nje mision para një muaji dhe konfirmuam se në Kosovë është bërë përmirësim i dukshëm", deklaroi Malmstrom duke theksuar megjithate se ka ende shumë punë për të bërë. Prishtina nuk ka marrë ende udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave që do të saktësojë kushtet që duhen përmbushur në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shengen. Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk ka përfituar ende nga liberalizimi i vizave.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›