E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet e 1500 ushtarakëve për verifikim në Ministrinë e Mbrojtjes



Anilejda Shëmbitraku

Burime pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore kanë deklaruar për gazetën “Albania” se rreth 1500 dosje të ushtarakëve, të cilët kërkojnë pensione suplementare, janë dërguar për t’u verifikuar në Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas ISSH-së, fati i pensioneve të këtyre personave do të përcaktohet vetëm në momentin që Ministria do të bëjë verifikimin e të gjitha dokumentacioneve.
Rishikimi
Burimet kanë bërë të ditur se ISSH-ja ka kërkuar informacion pranë institucioneve përkatëse për të gjithë emrat që kanë dorëzuar kërkesën. Ndërsa tashmë ka nisur dhe kthimi i përgjigjeve zyrtare prej vetë ministrive, SHISH-it, Gardës, Ministrisë së Rendit etj. Sipas udhëzimit mbi këtë çështje, të dhënat e paraqitura prej rezervistëve verifikohen në dosjet përkatëse që kanë ministritë apo institucionet e tjera të përkatësisë. Ndërsa vetëm pas kësaj ISSH-ja merr vendimin për dhënien e pensionit të rillogaritur apo përfitimit suplementar. Në proces janë përfshirë rezervistët, të cilëve u ka lindur e drejta që nga një korriku i 2009-s, personat e dalë në pension përpara korrikut të vitit 1991, si dhe lista e personave që kanë aplikuar për procesin e rillogaritjes. Ndërkohë, deri në mbyllje të vitit pritet të publikohet edhe lista e trajtimeve për kategoritë që duhet të përfitojnë nga 1 korriku i vitit të shkuar.

Kërkesa
Kërkesa, së bashku me dokumentet e nevojshme, paraqitet nga vetë i interesuari në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të rrethit ku ndodhet. Kërkesa regjistrohet në regjistrin e kërkesave për pensionet e parakohshme, për vjetërsi shërbimi dhe për pensionet suplementare të ushtarakëve në datën e paraqitjes. Në këtë regjistër, i cili plotësohet në të gjitha rubrikat që ka, regjistrohet edhe kërkesa për rishqyrtimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe të pensionit suplementar të ushtarakut. Kur kërkesa për pension nuk shoqërohet me të gjitha dokumentet e nevojshme brenda 10 ditëve nga data e paraqitjes së saj, njoftohet i interesuari për mangësitë e dokumenteve. Në rast se brenda 30 ditëve nga data e njoftimit ai nuk paraqet dokumentet plotësuese, i kthehen zyrtarisht të gjitha dokumentet e paraqitura duke bërë shënimet përkatëse në regjistër.

DOKUMENTACIONI
Çfarë duhet të dorëzojnë ushtarakët:

1- Për të përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi:
a- fotokopje të letërnjoftimit elektronik të nënshkruar nga vetë personi ose certifikatë personale me fotografi.
b- certifikatë familjare;
c- deklaratë individuale për gjendjen e punësimit;
d- vërtetim nga zyrat e tatim-taksave nëse ushtron veprimtari ekonomike si punëdhënës ose i vetëpunësuar;
e- vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive nëse ka përfituar ose jo tokë, sipas Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën” të ndryshuar dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore, vetëm nga personat që janë banorë në fshatra.
2- Për të përfituar pension suplementar pleqërie apo suplementar invaliditeti, fotokopje të letërnjoftimit elektronik ose certifikatë personale me fotografi.
3- Për të përfituar pension suplementar familjar:
a- certifikatë familjare;
b- certifikatë vdekjeje.
4- Për të përfituar pension suplementar familjar, në rastet kur personat kanë humbur jetën në detyrë dhe për shkak të saj:
a- certifikatë familjare;
b- certifikatë vdekjeje;
c- vërtetim nga prokuroria e rrethit gjyqësor për shkakun e vdekjes.

Institucionet
Dokumentacioni që plotësohet nga ministritë

1- Nga ministritë dhe institucionet përgjegjëse:
a- vërtetim për periudhën e shërbimit dhe pagën referuese;
b- vërtetim për periudhën e trajtimit me pagesë kalimtare;
c- vëshmi penaliteti;
d- vërtetim i pagës referuese të gradës ose të funksionit më të fundit, për përfituesit sipas nenit 21 të Ligjit Nr. 10 142, datë 15.5.2009;
e- vërtetim kronologjik për kontributet suplementare të paguara, sipas muajve.
2- Nga drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore:
a- vërtetim për llojin dhe masën e pensionit sipas Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
b- vendim i Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë.

22 Dhjetor 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›