E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet e emigrantëve, ndryshon sigurimi vullnetar

Autori i Lajmit: Entela Duraj

Ndonëse ende nuk është konkluduar një marrëveshje përfundimtare për njohjen e periudhave të sigurimit për emigrantët shqiptarë, specilasitë në ISSH japin rekomandimet e para se si duhet vepruar. Nisur nga disa përgjigje të letrave të ardhura në ISSH nga emigrantë shqiptarë në Itali dhe Greqi mësohet se: “ata shtetas shqiptarë të cilët do të sigurohen vullnetarisht duhet të kenë parasysh që të mos sigurojnë periudha që kanë punuar dhe siguruar më parë në Greqi apo Itali. Kjo duke shpresuar në një marrëveshje të mundshme bilaterale ndërmjet Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë për bashkimin e periudhave kontributive respektive në të dy vendet. Muajt e fundit kanë qenë të shpeshta takimet dhe negociatat midis Shqipërisë dhe vendeve fqinje për bashkimin e viteve të punës të emigrantëve shqiptarë, dhe më pas përfitimin e pensionit kur të mbushin moshën. “Jam emigrant në Greqi. Jam i siguruar në Shqipëri por jam i vetsiguruar njëkohësisht edhe në Greqi. Ju lutem më sqaroni nëse ka mundësi të përfitoj pension si nga Greqia dhe nga Shqipëria. Nëse jo, ISSH ka ndonje lidhje me UGAN në mënyrë që vitet e siguruara këtu në Greqi të njihen nga ISSH, kështu që unë dhe të tjerë emigrantë të mos paguajmë në dy vende sigurime?, shkruhet në një letër të ardhur në Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Naim Balluku përgjigjet: “Ende nuk ka një marrëveshje për bashkimin e periudhave të kontributeve me Greqinë. Duke qenë se keni vjetërsi pune në Shqipëri, mund të përfitoni pension sipas legjislacionit shqiptar. Pra në rast se keni një vjetërsi në pune jo më pak se 35 vite, përfitoni një pension të plotë. Në rast se keni një vjetërsi jo më pak se 15 vite, përfitoni pension të pjesshëm, që llogaritet si raport i vjetërsisë që keni me vjetërsinë e përgjithshme që kërkohet për të përfituar pension të plotë (35 vite). Në rast se nuk i plotësoni 15 vite, ju rekomandoj ti kompletoni nëpërmjet sigurimit vullnetar. Por duhet të keni parasysh, që me sigurimin vullnetar të mos siguroni periudha që keni punuar në Greqi, duke shpresuar në një marrëveshje të mundshme bilaterale ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë për bashkimin e periudhave kontributive respektive në të dy vendet.”

Përfitimet
• Pension të pjesshëm kur kanë jo më pak se 15 vite të siguruara
• Pension të plotë kur kanë jo me pak se 35 vite sigurimi
• Pensione invaliditeti, kur janë tërësisht të paaftë për punë. Këto pensione i përfitojnë ata persona që kanë qenë të siguruar në Shqipëri, bazuar në një formulë: moshë, minus 20 pjestim për 2, është vjetërsia kontributive për pension invaliditeti të plotë. Për vjetërsi kontributive më të vogël, proporcionalisht me periudhën e siguruar jepet pension invaliditeti i reduktuar.
• Invalidëve u jepet një shtesë për fëmijët që kanë në ngarkim, prej 5 për qind të pensionit, kur janë nën moshën 18 vjeç, apo 25 vjeç kur vazhdojnë arsimin e lartë.
• Kur humb jetën personi që ka qenë i siguruar në Shqipëri, përfitojnë pension familjar fëmijët nën moshën 18 vjeç ose 25 vjeç kur vazhdojnë arsimin e lartë, sipas formulës së mësipërme. Për invalidët që kanë nevojë për përkujdesje jepet dhe një shtesë në masën 15 për qind të pensionit

Eleminim i punës
së fëmijëve

Raporti i ILO: Tërhiqen nga puna 700 fëmijë shqiptarë
Midis shqetësimeve në rritje mbi ndikimin e rënies ekonomike, Zyra Ndërkombëtare e Punës në një studim të fundit të saj paralajmëroi se përpjekjet për të eliminuar format më të këqija të punës së fëmijëve po ngadalësohen, duke bërë thirrje për rigjallërimin e fushatës globale për ti dhënë fund këtij fenomeni. Në raportin e saj, që pregatitet një herë në 4 vjet, Zyra Ndërkombëtare e Punës (ILO) deklaroi se numri global i fëmijëve që punojnë është zvogëluar nga 222 milion në 215 milion, ose 3 përqind, gjatë periudhës 2004-2008, duke bërë që të ketë “një ngadalësim të reduktimit në nivel global”. Raporti gjithashtu shpreh shqetësimin që kriza ekonomike globale do të “pengojë më tej” progresin drejt synimit për eliminimin e formave më të këqija të punës së fëmijëve deri më 2016. Përsa i përket Shqipërisë punën e fëmijëve ILO e ka vlerësuar si mjaft shqetësues. Edhe pse Shqipëria është prekur vonë nga ky fenomen, për fat të keq, është përhapur si gjeografikisht, ashtu edhe në fusha të ndryshme të ekonomisë. Qeveria shqiptare, duke e konsideruar si një fenomen që mund të vihet nën kontroll, ka filluar të reagojë dhe tregues për këtë është edhe ngritja e Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Puna, pranë Ministrisë së Punës. Kjo është vlerësuar si një arritje në krahasim me vendet e tjera dhe është konsideruar si masë pozitive e marrë nga Qeveria, qoftë nga raportet e OKB, ashtu edhe ato të BE. Shqipëria ka ratifikuar konventa kryesore të ILO dhe të gjitha konventat e organizatave ndërkombëtare në lidhje me të drejtat e fëmjëve dhe shfrytëzimin e tyre. Në mbështetje të tyre ka edhe akte ligjore dhe nënligjore të hartuara gjatë gjithë këtyre viteve. Duke qenë se aktualisht nuk ka ende të dhëna për punën e fëmijëve në Shqipëri, ILO po financon realizimin me INSTAT të studimit të parë serioz kombëtar për punën e fëmijëve, që pritet të sjellë një hartë mbi shtrirjen e fenomenit dhe të specifikave të tij. Ky studim do ti hapë rrugë nisjes së një programi kombëtar për mbrojtjen e fëmijëve nga puna dhe që do të përfshijë të gjitha strukturat në nivel qendror dhe lokal. Për studimin do të punojnë 150 specialistë të INSTAT, të cilët në maj nisin intervistimin e 8 640 familjeve në të gjithë vendin. Veç kësaj ILO, përmes programi kombëtar "Mbi eleminimin e punës së fëmijëve", ka arritur të krijojë një sistem që ka mundësuar tërheqjen nga puna të 700 fëmijëve, nga Tirana, Shkodra, Elbasani, Korça dhe Berati, të vlerësuara si qytetet me problematikën më të madhe. Sipas Ministrisë së Punës tashmë ka përfunduar draft-ligji integral për të drejtat e fëmijëve, i cili parashikon jo vetëm të drejtat e fëmijëve, por edhe detyrimin e çdo institucioni për ti mbrojtur këto të drejta. Për herë të parë, detyrimet e institucioneve për garantimin e të drejtave të fëmijëve janë konkrete si në fushën e arsimit, shëndetësisë, mbrojtja nga puna, nga dhuna e nga trafikimi. Projektligji pritet të hyjë për miratim në një nga mbledhjet më të afërta të këshillit të Ministrave. Përsa i përket evidentimit dhe eleminimit të punës së fëmijëve, Inspektoriati Shtetëror i Punës, i cili inspekton zbatimin e legjislacionit të punës e ka në prioritetin e tij këtë kategori. Gjatë vitit 2009 Inspektorati është orientuar, ndër të tjera, edhe drejt kontrollit të mbi eliminimin e punës informale të fëmijëve, si dhe forcimin e zbatueshmërisë së Legjislacionit të Punës, në punësimin e kësaj kategorie. Nëpërmjet forcimit të kontrollit është synuar zbatimi i legjislacionit të punës i cili konsiston në eliminimin e punësimit të fëmijëve në sektorë të vështirë pune.

Procedura për sigurimin vullnetar nga familjarët

Ja cila është procedura që ndiqet kur shtetasi shqiptar me banim jashtë shtetit dëshiron të sigurohet vullnetarisht në Shqipëri:
1. Autorizon një person tjetër për të bërë sigurimin vullnetar.
2. Personi i autorizuar kryen të gjitha procedurat që kryejnë qytetarët që ndodhen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
b. Procedura që ndiqet kur personi i interesuar është emigrant në Republikën Greke.
1. Personi i interesuar paraqitet pranë Degës së Bankës Amerikane të Shqipërisë në Greqi, ku merr të gjithë informacionin e nevojshëm për skemën e sigurimit vullnetar.
2. Dega e Bankës Amerikane në Greqi, në emër të ISSH-së, lidh një marrëveshje me personin e interesuar, i cili kryen pagesën përkatëse në këtë bankë.
3. Personi i interesuar paraqet pranë kësaj banke, një dokument identifikimi, si kopje pasaporte ose certifikate personale.
Sqarime për emigrantët
1 – Sigurimi vullnetar mund të kryhet për periudha pas datës 1 tetor 1993, kohë kur ka hyrë në fuqi kuadri ligjor përkatës.
2 - Për të marrë një pension të pjesshëm duhet një vjetërsi pune prej 15 vjetësh. Nëse qytetari ka 13 vite e 3 muaj, atëhere atij i duhen edhe 1 vit e 9 muaj të bëjë sigurim vullnetar për të përfituar pension të pjesshëm. Nëse qytetari dëshiron të plotësojë vitet për pension të plotë pleqërie, invaliditeti dhe familjar, atëhere atij i duhen edhe 21 vite e 9 muaj për të siguruar.
3 – Për të marrë pension të pjesshëm, nëse do të mbulojë periudha të kaluara me sigurim vullnetar, qytetari duhet të paguajë 1 vit e 9 muaj me masën e tanishme të sigurimit vullnetar, që është 3140 lekë për një muaj. Pra ai duhet të paguajë: 21 muaj x 3140 = 65 940 lekë gjithsej.
4– Në rastin kur qytetari nuk ka librezë pune, ai mund të shkojë në zyrat e arkivës së sigurimeve shoqërore në DRSSH (p.sh.Berat) për të marrë prej andej dokumentin e duhur.
5-Nëse qytetari dëshiron pension më të lartë, ai mund të mbulojë me sigurim vullnetar me masën e tanishme të gjitha vitet që nga 1 tetori 1993 dhe të vazhdojë të bëjë sigurimin vullnetar për çdo vit kalendarik deri sa të plotësojë vjetërsinë e nevojshme prej 35 vitesh për të marrë pension të plotë. Vazhdimi i sigurimit mund të bëhet duke parapaguar dhe në të tilla raste përfitohen zbritjet përkatëse.

Ky lajm është publikuar: 09/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›