E Diel, 1 Nëntor 2026

The New York Times Kryemnistri Mehmet Shehu, ftesë perëndimit

Autori i Lajmit: Nga David Binder
UASHINGTON - Megjithëse vazhdon spekulimi rreth vdekjes së kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu, nuk ka dalë ndonjë e dhënë e fortë që të sfidojë versionin zyrtar se ai kreu vetëvrasje. Zoti Shehu, i cili ishte për 25 vjet krahu i djathtë i udhëheqësit shqiptar, Enver Hoxha, është raportuar zyrtarisht se ka kryer vetëvrasje në natën e 17 dhjetorit, në një “moment krize nervore”.
Këtë javë vendi i zotit Shehu është zëvendësuar nga Adil Çarçani, që ka qenë zëvendëskryeministër që nga viti 1974. Disa gazeta në Jugosllavi, të cilat ishin përfshirë në një luftë fjalësh me Shqipërinë rreth minoritetet etnik shqiptar në provincën jugosllave të Kosovës, kanë hedhur dyshime rreth informacioneve zyrtare shqiptare se zoti Shehu bëri vetëvrasje.
Revista e përjavshme “NIN” citon burime Perëndimore dhe konstaton se atë e kishin vrarë ose e detyruan që të vriste veten pas një konflikti, rreth politikës që duhej të ndiqej në të ardhmen, me zotin Hoxha në mbledhjen e Komitetit Qendror; e konkretisht për çështjen e hapjes së Shqipërisë ndaj botës.
Publikohet raporti në vijim
Në një raport të mëvonshëm, revista konstaton, por pa dhënë burimin, se Mehmet Shehu ishte qëlluar kur ai i kishte drejtuar pistoletën zotit Hoxha në mbledhjen e Komitetit Qendror. Revista “NIN” dhe media të tjera jugosllave theksojnë se atje nuk ishte mbajtur zi kombëtare dhe se nuk ishte zhvilluar funeral shtetëror, por ishte publikuar vetëm një nekrologji e përmbledhur në gazetën partiake “Zëri i popullit”, në vend që të shprehnin vlerësime për njeriun që kishte qenë një nga kandidaturat më të besueshme për të zëvendësuar zotin Hoxha.
Në kundërshtim, kur vdiq Hysni Kapo, në vitin 1979, një tjetër udhëheqës i lartë shqiptar, ai ishte përcjellë me një ceremoni funerale shtetërore për në Varrezat e Dëshmorëve që nga qendra e Tiranës, kryeqyteti i vendit.
Diplomatët shqiptarë këtu thonë se nuk ishte një ditë zie kombëtare për shkak se veprimi i zotit Shehu konsiderohej një akt i “turpshëm”, “i drejtuar kundër partisë”. Prandaj prehja në Varrezat e Dëshmorëve ishte tjetër problem për zotin Shehu, thonë ata.
Ata shtojnë se atje kishte pasur pak vetëvrasje nga zyrtarët që nga fillimet e para të partisë në vitin 1941, edhe pse ata mund të kishin qenë të kërcënuar në një mënyrë të ngjashme.
Diskutohet për sëmundjen e papërcaktuar
Një diplomat shqiptar këtu (në SHBA, - shën. red.) tha se atje kohët e fundit nuk ishte zhvilluar ndonjë mbledhje e Komitetit Qendror përpara vdekjes së kryeministrit. Ai hodhi poshtë spekulimet për një luftë për pushtet brenda partisë.
Diplomatët shqiptarë thonë se zoti Shehu kishte qenë mjekuar tri herë në Francë që në fillimet e vitit 1970, për një sëmundje ende të paspecifikuar. Ka gjasa të ketë qenë kancer; dhe spekulohet se kjo mund të ketë qenë arsyeja që solli më pas shkatërrimin nervor të tij.
Kjo ngjarje ishte e befasishme dhe vuri në mëdyshje diplomatët Perëndimorë. Në ditët para vdekjes së tij, zoti Shehu priti vizitorë të huaj të rëndësishëm; përfshirë zëvendëskryeministrin rumun Cornel Burtica dhe një delegacion ekonomik grek.
“Në Kongresin e Partisë së Punës së Shqipërisë, të mbajtur në nëntorin e vitit të kaluar, zoti Shehu shfaqi pjekurinë e tij, por foli me një ton të prerë, ndonëse pati përpjekje për bllokimin e shpërndarjes së fjalimit të tij”, - thonë burime diplomatike.
Vitin e kaluar, zoti Shehu, i cili luftoi në Luftën Civile të Spanjës dhe më pas me forcat partizane shqiptare në Luftën e Dytë Botërore, dha dorëheqjen nga posti i tij shtesë i ministrit të Mbrojtjes. Por, lëvizja nuk ishte dukur si reflektim i ndonjë pakësimi të partneritetit Hoxha-Shehu.
Nuk duken shenja fërkimesh
Diplomatët Perëndimorë thonë se nuk kishin informacione të besueshme për dyshime në skemën rreth versionit shqiptar të ngjarjeve. “Nëse përflitet diçka, - thonë diplomatët, - ata nuk kishin të dhëna të një ndarje midis dy drejtuesve shqiptarë; pasi të dy ata u përkushtuan në linjën besnike”. Në fjalimin e mbajtur në Kongresin e nëntorit, zoti Hoxha theksoi se Shqipëria kishte zgjeruar marrëdhëniet e saj me vendet e tjera, veçanërisht pas ndarjes së saj me Kinën në vitin 1978, dhe do të vazhdojë të zhvillojë këtë politikë.
Ai kishte thënë fjalë të ngrohta për Greqinë, Turqinë, Francën, vendet skandinave dhe vendet neutrale të Europës. Madje ai sinjalizoi një ndryshim në drejtim të Gjermanisë Perëndimore, duke thënë se atje nuk kishte pengesa të pakapërcyeshme për vendosjen e marrëdhënieve me Bonin zyrtar. (“The New York Times” më 17 janar 1982)

Mehmet Shehu kundër izolimit të vendit

Zyrtarë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara besojnë se kryeministri i Shqipërisë është vrarë muajin e kaluar dhe nuk pranojnë vetëvrasjen, siç e trajton radioja shtetërore shqiptare këtë kohë. Amerikanët thonë se kanë marrë me rezerva informacionet e shtypit jugosllav dhe se kryeministri Mehmet Shehu ishte vrarë gjatë një takimi të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Megjithatë, ata thonë se nuk kishin parë ndonjë fakt për një informacion të tillë. Çështja kryesore e kësaj jave në revistën “NIN” të Beogradit fliste rreth “dyshimeve” se zoti Shehu, udhëheqësi i dytë shqiptar për nga rëndësia pas Enver Hoxhës, i cili është kryetar partie, ka rënë viktimë e “skemave të lojës së nivelit të lartë”.
Duke cituar burime Perëndimore të paidentifikuara, “NIN” thotë se takimi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës ka qenë thirrur mbrëmjen e 17 dhjetorit dhe se atje kishte pasur një konflikt midis zotit Hoxha dhe zotit Shehu gjatë zhvillimit të punimeve. Fijet Perëndimore raportuan çështjen
Revista thotë se sesioni ishte mbajtur për të diskutuar për përfshirjen më të madhe të shqiptarëve në tregtinë me Perëndimin. Zoti Shehu, si kryetar i qeverisë, ishte shprehur në favor të lidhjeve më të ngushta me Perëndimin, ndërsa thuhet se Enver Hoxha e kishte kundërshtuar. “NIN” thotë se zoti Shehu ishte takuar me delegacione tregtare të Greqisë dhe Rumanisë, si dhe me disa ambasadorë të vendeve Perëndimore një javë përpara vdekjes së tij. Ajo që del në përfundim është se ai “ishte i detyruar të kryente vetëvrasjen, ose për ndryshe do ta vrisnin”.
Zyrtarë amerikanë thonë se janë të sigurt se 68-vjeçari Shehu ka qenë viktimë e lojës së ndyrë, gjë që bazohet në atë që ata e interpretojnë prej “shtjellimit të përmbajtur të vdekjes së tij nga Radio Tirana. Gazetat shqiptare po raportonin se ngjarja nuk është marrë vesh akoma nga Perëndimi.
Citohet “kriza nervore”
Në orën 7 të pasdites së 18 dhjetorit, partia dhe qeveria shqiptare njoftuan përmes Televizionit se “që pa zbardhur mëngjesi i 18 dhjetorit të vitit 1981, në një momente krize nervore, shoku Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, vrau veten”. Kjo u ndoq me një nekrologji të shkurtër,-thotë një analist. Një tjetër thekson se në kundërshtim me praktikën e zakonshme të vendeve komuniste nuk ishte thënë asnjë fjalë lavdëruese në nekrologjinë e përgatitur për zotin Shehu.
“NIN” thotë se Radio Tirana “nuk transmetoi më asnjë lajm tjetër në lidhje me këtë ngjarje” dhe se më pas vazhduan të jepeshin programet muzikore si çdo ditë.
Jugosllavët dhe amerikanët thonë se atje nuk kishte pasur të dhëna të mëparshme të një çarjeje midis zotit Shehu dhe zotit Hoxha. Ata kujtojnë se në Kongresin e Partisë, të mbajtur në nëntor, zoti Shehu mbajti një fjalim të gjatë fill pas fjalës së hapjes nga zoti Enver Hoxha.
Shenjat e kaluara flasin për tension
Por, amerikanët thonë se ata kishin konstatuar në shtypin shqiptar shenja tensioni në radhët e udhëheqjes për planin e ri 5-vjeçar, i cili ishte miratuar pas zgjatjes së konsiderueshme në Kongresin e Partisë, i cili u mbajt në nëntor. Gjithashtu, ata citojnë në një artikull të shkruar në numrin e tetorit të gazetës partiake “Rruga e Partisë” kritikën për politikën e izolimit. Por amerikanët thonë se nuk kishin të dhëna se zoti Shehu dhe zoti Hoxha kishin pikëpamje të kundërta rreth kësaj çështjeje.
Vdekja e zotit Shehu shtroi çështjen e pasardhësit jo vetëm për postin e kryeministrit, por përfundimisht, edhe të asaj se kush do të jetë Sekretar i Parë i Partisë. Kjo për shkak se zoti Hoxha, i cili është 73 vjeç, vuan nga sëmundja.
Zyrtarët amerikanë thonë se logjikisht, pasardhës i zotit Shehu në detyrën e kryetarit të qeverisë mund të jetë Adil Çarçani, një ekspert ekonomie, i cili ka qenë që prej vitit 1974 në postin e zëvendëskryeministrit. “NIN” gjithashtu përmend edhe Ramiz Alinë, ish-udhëheqësi i rinisë komuniste dhe ministër e Arsimit, që ka qenë zyrtar i nivelit të dytë në Sekretariatin e Partisë. Parlamenti ka planifikuar të mblidhet më 14 janar dhe pikërisht në atë kohë pritet të bëhen edhe ndryshimet në kabinetin qeveritar.

Ky lajm është publikuar: 09/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›