Kodi Zgjedhor, mungon Partia Socialiste
Tryeza e diskutimeve për reformën zgjedhore, edhe pse një nismë që u bën jehonë nevojave për përmirësim ligjor, ka prezantuar një mangësi të theksuar politike. Mungesa e Partisë Socialiste në këtë iniciativë, jo vetëm përcjell tensionin e ditës, por bën të ditur se selia rozë, rreth kësaj çështjeje preferon një zgjidhje dypalëshe me Partinë Demokratike. Përveç kësaj, deklarimet e pakta të PS-së rreth reformës zgjedhore janë kushtëzuar me zbardhjen e procesit elektoral të 28 qershorit 2009, si një instrument që, sipas saj, do të hapte rrugën e amendimeve të duhura. Por ajo që mund të hetohet në sjelljen e dy partive të mëdha është akordi i heshtur për të mos prekur thelbin e Kodit Zgjedhor aktual, i cili, edhe pse nuk prodhoi rezultatin maksimal, sërish konfirmoi efektin e plotë në raport me pastrimin e skenës politike. Një Kod Zgjedhor që detyron koalicionet e bën marrëdhënien me partitë e vogla një formë varësie të njëanshme, aq më tepër kur aktualisht vendimmarrja përcaktohet nga vetëm 6 forca politike përballë 13 që ishin në legjislaturën e kaluar. Përgjysmimi i panoramës parlamentare, i shoqëruar me një përfaqësim invalid nga ana e të mbijetuarve nga partitë e vogla, ka vërtetuar si të dobishëm Kodin e tanishëm, i cili për këtë arsye do të jetë kuadër normativ edhe për zgjedhjet e ardhshme. Në këtë kontekst, por edhe në logjikën e marrëdhënieve me PS-në, do parë edhe mungesa e partive të majta, të cilat me sa duket do ta kërkojnë mbijetesën te një marrëveshje me Partinë Socialiste si partia më e madhe e opozitës. Duke pasur parasysh këto zhvillime, por edhe prononcimet e deritanishme, duket se dy do të jetë temat e forta të diskutimit për reformën: ideja e votimit elektronik për zonat pilot, si dhe përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Si për çështjen e parë ashtu edhe për të dytën, PS-ja ka sinjalizuar kontestimet e veta, të cilat sipas ofertës së hapur të Berishës për Kodin mund të marrin fizionominë që do të sugjerojë opozita. Sa i përket problemit të vjetër të votimit të emigrantëve, është tanimë e qartë se edhe për raundin e ardhshëm elektoral ky premtim apo detyrim i klasës politike nuk do të mund të mbahet. Rreth 1 milion shqiptarë do të mbeten praktikisht jashtë të drejtës së votës, edhe pse partitë politike kryesore aktualisht kanë formalizuar prezencën e tyre në emigracionin shqiptar. Në kuadër të Kodit të ri Zgjedhor pritet që sugjerime të dorëzojë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili është organi më i specializuar për administrimin e procesit elektoral në Shqipëri.
#