E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet e ushtarakëve, Kushtetuesja vendos brenda muajit

Autori i Lajmit: Entela Duraj

Vendimi i Gjykatës Kshtetuese për pensionet suplementare të ish/ushtarakëve pritet të merret brenda muajit. Të paktën kështu konfirmojnë për gazetën burime nga Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë. Sipas tyre ky vendim pritet të përshpejtohet për shkak të ndërrimit të anëtarëve të Kushtetueses. “Se cila palë do të merrte vendimin më të drejtë për ne, nuk mund ta themi me saktësi. Anëtarët aktualë e njohin më mirë problemin duke qenë se kanë pasur të bëjnë më shpesh me çështjen tonë, por nuk përjashtohet mundësia e një vendimi të drejtë edhe nga anëtarë të rinj të cilët mund ta gjykonin problemin më me asnjanësi,” shprehen përfaqësues të Shoqatës. Ish ushtarakët në rezervë i janë drejtuar për të disajtën herë qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse, që të mos bëhen pengesë për zbatimin e ligjit për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura. Ata kanë deklaruar se nëse nuk do të gjendet një zgjidhje e afërt, përgjegjësit do të duhet të përballen me padi në organet e Prokurorisë. Drafti i miratuar vite më parë iu nënshtrua ndryshimeve nga qeveria, që sipas ushtarakëve cenon të drejtat dhe përfitimet e tyre financiare. Në këto kushte mjaft shoqata ankimuan ligjin në Gjykatën Kushtetuese duke e cilësuar atë të papajtueshëm me ligjin themeltar të shtetit. Në nëntor të vitit 2009-ës Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e zbatimit të tij, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar se cili ligj do të lihet në fuqi. Një nga argumentet me të cilët ushtarakët i janë drejtuar Kushtetueses është se në krahasim me ligjet e mëparshme, ky ligj, në vend që të përmirësojë, përkundrazi përkeqëson situatën e tyre ekonomike, çka, sipas tyre, përbën shkelje të sigurisë juridike, sipas të cilës, çdo ligj i miratuar duhet të jetë më i mirë se ai paraardhës. “Ky ligj përbën shkelje të Kushtetutës, pasi mohon disa të drejta, të cilat ish-ushtarakët i kishin fituar më anë të ligjeve, që janë miratuar vite më parë,” janë shprehur ish/ushtarakët. Një pikë tjetër tepër e kundërshtuar nga ish-ushtarakët ka të bëjë me faktin se, sipas ligjit të ri, nëse përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, që nuk kanë lidhje me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit që ai përfiton për vjetërsi shërbimi ulet në nivelin e një pensioni bazë.

Unifikimi i gradave
Ky ligj ndryshon skemën e pensioneve të parakohshme dhe atyre suplementare të ushtarakëve. Për pensionet e parakohshme janë hequr gradat (të cilat nuk do të merren parasysh për rillogaritjen), ndërsa për pensionet suplementare të pleqërisë është vendosur të merret parasysh 1 për qind e pagës për vjetërsinë. Kjo gjë ndikon në uljen e masës së pensionit për këto kategori. Fatkeqësisht, ky ligj prek edhe ata që janë në detyrë tani, pasi sjell uljen e masës së pensionit, çka ndikon në demotivimin e tyre. Shoqata e ish-ushtarakëve del zyrtarisht kundër këtij projekti.

Ky lajm është publikuar: 22/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›