E Diel, 1 Nëntor 2026

Task-Forcë Berisha i tërheq veshin Mediut për mjedisin

Autori i Lajmit: Redaksia

Qeveria njoftoi ngritjen brenda javës të një task-force që do të zgjidhë problemin e ndotjes në të gjithë vendin. Shqetësimi kryesisht vjen nga zonat turistike pas informacioneve që ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, i ka servisur kryetarit të qeverisë. Ndaj dhe kryeministri Berisha kërkoi dje në mbledhjen e qeverisë ndërhyrje emergjente të një grupi pune. Task-forca do të përcaktojë modalitetet e ndërhyrjes në terren sikurse masa që do të zbatohen për herë të parë në vendin tonë siç është për shembull heqja shumë shpejt nga përdorimi i qeseve plastike. Kryeminitri listoi disa prej masave duke paralajmëruar dhe ndëshkime të rrepta për shkelësit. “Do të bëhet një hetim shumë i rreptë dhe do të përcaktohen sanksione ligjore shumë të rënda, sepse në këtë mënyrë ne bëjmë figurën më të shëmtuar”,- ka pohuar Kryeministri gjatë mbledhjes së djeshme.
Gjithashtu, kryeministri Berisha theksoi se është e domosdoshme të ndërmerren masa të tilla si ndalimi i përdorimit të qeseve plastike, në favor të përdorimit të qeseve të letrës, si edhe për shishet plastike, edhe nëpërmjet përcaktimit të stimujve për arritjen e këtij qëllimi. “Zoti ministër i Mjedisit, duhet të konsiderohet në mënyrë shumë serioze ndalimi i përdorimit të qeseve plastike dhe kalimi tërësisht tek letra. Këtë e kanë bërë disa vende, Franca etj, deri edhe Ruanda. Të përcaktojmë një datë, përtej së cilës nuk do të mund të përdoren më qeset plastike, por të zëvendësohen me qese letre. Letra degradon, kalbet dhe kjo ka qenë arsyeja që shumë vende kanë vendosur këtë masë. Së dyti, do të përcaktohet mekanizmi i trajtimit të shisheve. Deri sa të arrijmë në kulturën që shqiptarët të bëjnë ndarjen e mbeturinave, duke i hedhur në kosha të veçantë, të vendosim një stimul për përdorimin e shisheve. Së treti, të kufizojmë në maksimum, përveçse për qëllime të serave, përdorimin e plasmasit, kudo që të jetë e mundur. Të përcaktojmë kushte për fermerët, edhe me një stimul, se si duhet të veprojnë për plasmasin që përdorin, të cilin e ndërrojnë pas një viti dhe e hedhin. Të përcaktojmë edhe bonuse, në mënyrë që ti dorëzojnë aty, ku do të dorëzohen edhe shishet plastike”, ka vlerësuar kreu i qeverisë.

Ky lajm është publikuar: 22/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›