E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmenden çmimet e karburanteve, 10 lekë për litër brenda pak ditëve



Ervin KOÇI

Edhe dita e djeshme (e martë 14 dhjetor) u mbyll me një çmim të rritur të hidrokarbureve të cilat arritën çmimin rekord të këtyre viteve të fundit. Vetëm dje tabelat e stacioneve të tregtimit me pakicë të karburantit në kryeqytet shënonin vlerat e 156 dhe 157 lekëve për litër përkatësisht për naftën euro-diesel dhe për benzinën. Nga fillimi i muajit dhjetor deri sot që data shënon 15 dhjetor 2010, çmimi i karburanteve u rrit me të paktën 10 lekë për litër, rritje e cila nuk ishte shënuar asnjëherë kaq e lartë. Bashkë me hidrokarburet këto ditë është shtrenjtuar edhe gazi i lëngshëm që përdoret gjerësisht nga qytetarët për ngrohje dhe gatim në këto ditë të ftohta. Përball gjithë kësaj situate, asnjë prej institucioneve qeveritare nuk ka reaguar qoftë edhe për të kontrolluar konjukturat e tregut të hidrokarbureve, duke lënë të kuptohet se mes shtetit dhe grosistëve mund të ketë një “marrëveshje” të heshtur. Të vetmit që kanë dhënë alarmin për këtë situatë kanë qenë këto ditë mediat dhe analistët e ekonomisë, të cilët kanë thënë se, “kostoja e jetesës së shqiptarëve po njeh vetëm rritje në këto ditë të fundit të këtij viti”.

Rritja e çmimit
Çmimi i naftës dhe ai i benzinës ka arritur majat duke u tregtuar me 156 dhe 157 lekë për litër vetëm dje. Shuma e rritur varion nga 5 deri në 10 lekë për litër në varësi të kompanive. Arsyet e rritjes se çmimit sipas Shoqatës së Hidrokarbureve janë dy: rritja e nivelit të çmimit në bursat ndërkombëtare, si dhe niveli i lartë i akcizës në vend. Por ndryshe nga vitet e tjera rritja këtë vit ndodh pikërisht në prag të festave të fundvitit, çka ka bërë që të gjitha çmimeve të shtrenjtuara t’i shtohet edhe kjo barrë jo e vogël. Ekspertët e ekonomisë e kanë cilësuar atë si, “abuzimin e radhës” që po bëjnë grosistët e hidrokarbureve, ku përveç abuzimit me cilësinë ata duke përfituar nga mungesa e vëmendjes së shtetit në këto ditë për shkak të ngjarjeve në veri, kanë përfituar duke e rritur çmimin e hidrokarbureve. Benzina pa plumb ka arritur në kuotën e 157 lekëve për litër në Tiranë, ndërkohë që në nivele rekord (155 lekë) ishte edhe litri i naftës euro-diesel. Në prill të këtij viti u shënua rritja e parë e çmimeve, me 136 lekë për dieselin e thjeshtë, ndërsa 1 litër benzinë pa plumb kapi 148 lekë. Në fund të po këtij muaji, benzina u ankorua në 150 lekë/litri, duke mbetur e pandryshuar gjatë gjithë muajve në vazhdim. Aktualisht, çmimi i naftës në tregjet botërore ka kaluar në mbi 88 dollarë për fuçi, ndërkohë që leku ka humbur terren ndaj dollarit në këmbimet valutore. Megjithatë, faktori ndërkombëtar duket se ka ndikuar pak në këtë rritje çmimi.

Bursat
Ajo që vihet re në çmimet e karburanteve në vendin tonë është reagimi i menjëhershëm që vjen nga bursat ndërkombëtare kur rritet çmimi. Ndërsa kur çmimi në bursë ulet, tregu shqiptar nuk e reflekton atë. Këtë e fakton edhe grafiku që tregon ecurinë e çmimit të naftës në bursë dhe tabela e çmimeve me të cilin karburanti është shitur në vendin tonë. Sipas të dhënave, nga janari deri në nëntor të këtij viti çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ka shënuar si rritje po ashtu dhe ulje, nga 75 në 95 dollarë për fuçi. Por në tregun vendas gjatë kësaj periudhe nuk kemi parë të ketë ulje çmimi. Por ata që ndiejnë në mënyrë të menjëhershme pasojat janë konsumatorët, pasi iu duhet të shpenzojnë më shumë për të njëjtën sasi që konsumojnë. Rritje e çmimit të hidrokarbureve është vënë re pothuajse çdo fund viti në vendin tonë pasi kjo periudhë përkon edhe me ardhjen e emigrantëve në Shqipëri për të kaluar festat, gjë që çon në rritje të kërkesës së karburantit.

BOX////////////////////////
Akciza e unifikuar, arsyeja për rritjen e karburanteve

Tregu i karburanteve ka shfaqur ndjeshmëri nga rritja e barrës fiskale për grosistët e naftës në vend. Sipas reformimit fiskal në sistem, karburantet kanë shkuar drejt unifikimit të akcizës, me 37 lekë litri, duke e kthyer në taksë fikse, kur më parë ishte e ndryshueshme. Në janar të vitit të kaluar, qeveria miratoi projektin e unifikimit të akcizës për tre llojet kryesore të karburantit (naftë D1, D2 dhe benzen), në 37 lekë për litër. Reagimi i grupeve të interesit ishte tepër i madh, pasi rritja e taksimit, që përkthehet në treg në rritje çmimi, vinte në një kohë krize. Tregtarët thonë se rritja e akcizës në 37 lekë/litër ndikoi në çmimin final për, të paktën, me 6 lekë/litri. Nga ky ndryshim, qeveria futi në arkën e saj rreth 2 miliardë lekë ekstra, ndërsa këtë vit parashikohen dyfish të ardhura. Por, një vendim tjetër ndryshoi nivelin e akcizave për disa produkte nafte, që konsumohen kryesisht si lëndë e parë në ndërtim, por edhe për furnizimin e mjeteve të transportit. Kështu, nafta virxhin u taksua, për herë të parë, me akcizën prej 70 lekësh litri, kur më parë niveli ishte zero. Ndërsa karburantet tip vajguri, që u futën në listën e produkteve që duhet të paguajnë akcizë, taksohen me 20 lekë për litër. Rritja në 37 lekë nga 5 lekë, që ishte më parë, preku edhe hidrokarburet aciklike dhe ciklike, ku hyjnë grupet etilen, benzen, toluol, ksilol.

Tab////////////////////////////////////
Ecuria e çmimit të naftës gjatë vitit 2010
1. Janar 143 lekë/litër
2. Qershor 148 lekë/litër
3. Dhjetor 156 lekë/litër

Shkurt////////////////////////
Euro forcohet ndjeshëm një ditë përpara liberalizimit të vizave

Një ditë përpara hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave, euro është forcuar ndjeshëm në tregun tonë të këmbimit duke ju afruar kuotës së 140 lekëve. Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se shkak i forcimit të monedhës europiane kundrejt lekut shqiptar është kërkesa e lartë e qytetarëve që do të udhëtojnë drejt vendeve europiane pas datës 15 dhjetor. Në agjencitë valutore monedha europiane blihet me 139 dhe shitet me 139.6 lekë ndërsa dollari këmbehet me 103.4 lekë në blerje dhe 104 lekë në shitje. Sipas ekspertëve euro do të ruajë këto nivele të larta edhe gjatë muajve të ardhshëm. Në këtë periudhë të vitit, forcimi i euros ka më shumë disavantazhe për ekonominë tonë. Të parët që do të preken janë klientët e bankave që kanë marrë kredi në këtë monedhë, pasi do të paguajnë më shumë për këstet mujore. Gjithashtu pritet shtrenjtimi i importeve, çka paralajmëron rritje të çmimeve në treg. Forcimin e euros do ta vuajë edhe buxheti i shtetit pasi do të rriten kostot e borxhit.

Posta shqiptare, lëshon certifikatat elektronike

Posta shqiptare është operatori i parë shqiptar që arrin të lëshoj në tregun shqiptar por edhe më gjerë certifikatat elektronike ose dixhitale. Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, deklaroi se tashmë çdo shqiptar ka mundësinë të nënshkruajë kontrata dhe të marrë pjesë në prokurimet publike me mjetet elektronike. Specifika e këtij shërbimi të ri është fakti se shtrirja e këtij shërbimi do jetë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nënshkrimi i dokumenteve në mënyrë elektronike për herë të parë u ligjërua në Amerikë në vitin 1995. Tashmë krahas institucioneve shtetërore që përdorin firmën elektronike, edhe qytetarët do të mund ta përdorin këtë shërbim të ofruar nga Posta Shqiptare. Ministri Pollo u shpreh se ndoshta në të ardhmen ky shërbim i ri do të shërbejë edhe për të votuar, duke i dhënë mundësi çdo individi, edhe pa qenë fizikisht në një qendër votimi të japë votën e tij. Kjo mënyrë e re e firmës elektronike synon të minimizojë koston financiare dhe kohore, si dhe të rrisë efektivitetin dhe transparencën e administratës.

15 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›