E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimi po paguan haraçet e politikës

Është një fjalë e urtë që thotë: "Ǒdo mbjellësh, do korrësh". Në fakt, sistemi i edukimit e shkollimit të brezave, që në të ardhmen do të kenë në duart e tyre të gjitha fatet e vendit, është nën influencën e një sëmundjeje të përgjithshme. Por sëmundja e të njëjtit sistem, në zonën verilindore të vendit, është me përmasa katastrofike, vetëm e vetëm për shkak të përfitimit momental politik. Thënë me pak fjalë, emërimet politike në arsim kanë goditur edhe atje ku të gjithëve do t‘u duket e dhimbshme, - te edukimi dhe shkollimi i fëmijëve. Pasi për të hapur një vend pune për një militant partiak është hedhur në punë edhe mësuesi me 30 vjet përvojë. Ndërsa njeriu që e ka zëvendësuar, në shumë raste rezulton me shkollë të mesme dhe pothuaj, në të shumtën e rasteve, pa asnjë lidhje me profesionin e mësimdhënies. Në Qarkun e Kukësit, përfshirë Hasin dhe Tropojën, shembuj të tillë janë të shumtë dhe kuptohet që, haraçi në këto raste paguhet nga nxënësit që vihen përballë diletantëve të mësimdhënies.

Po e ilustrojmë: Në Komunën Arrën ka 12 arsimtarë, të gjithë me arsim të mesëm dhe vetëm tre me arsim përkatës. Nga këta, 9 mësues janë kryesisht të profilit bujqësor, ndërsa tre prej tyre ende nuk e kanë përfunduar arsimin e mesëm. Pikërisht këta u kanë zënë vendin mësuesve me vjetërsi dhe përvojë deri në 30 vjet në arsim. Militantizmi, nga ana tjetër, nuk e ka ndaluar një agronom në fshatin Skavicë të japë mësim në shkollën e mesme. Ka dyshime se mund të ketë edhe drejtorë, që janë me shkollë të mesme, pasi të lartën e kanë falsifikuar. Kjo politikë katastrofike arsimore ka prodhuar shifrën, sipas së cilës, aktualisht në Qarkun e Kukësit 50% e mësuesve janë pa arsim përkatës.

Por e keqja më e madhe është akti i falsifikimit të gjithçkaje. Kjo masë laramane drejtuesish të arsimit, me qëllim që t‘i sigurojë të drejtë vetes për të jetuar sa më gjatë, duket se falsifikimin e të dhënave e ka gjetur si zgjidhjen më të lehtë. Kështu, veç diplomave false të mësuesve militantë, falsifikohet edhe pjesëmarrja në mësim apo braktisja e shkollës nga nxënësit. Vetë mësuesit thonë se shifrat që jep Drejtoria Arsimore e Kukësit për braktisjen nuk janë të sakta dhe se ajo është shumë pranë shifrës prej 50% të nxënësve. Njëkohësisht, me largimin politik të mësuesve profesionistë, në të gjithë zonën janë duke dhënë shpirt edhe vlerat e krijuara me mund për dekada me radhë. Janë ato vlera që arsimi nuk i humbi edhe pas ndërrimit të sistemeve në fillim të viteve ‘90, kur falë punës së këtyre mësuesve profesionistë, që tashmë janë hedhur në rrugë, janë përgatitur pafund intelektualë, shkrimtarë e poetë, piktorë, historianë apo dhe shkencëtarë, me të cilët të gjithë krenohemi. Por çfarë po fabrikohet sot në sistemin arsimor të kësaj zone?

Përsëri disa shembuj: Në të gjitha shkollat e këtij Qarku mungojnë laboratorët dhe as që bëhet fjalë për kompjuterët e premtuar. Në qytetin e Kukësit, laboratori i fizikës dhe i kimisë qëndrojnë në magazinë, sepse nuk ka vend për montimin e tyre. Në këtë qytet ka një klasë elektrike që po shkon drejt mbylljes, sepse mungon stafi i specializuar pedagogjik. Saktësisht mungojnë specialistët, që të vënë në eficencë laboratorët. Në të gjitha shkollat e Qarkut mungon baza materiale, madje ka tre vjet që nuk është dërguar as edhe një tavolinë.

Mjerimit të reformës partiake në arsim nuk i ndahet asnjë hap infrastruktura përkatëse. Kështu, në këto vite të fundit nuk është ndërtuar as edhe një shkollë e vetme, por edhe të vjetrat janë lënë në mëshirë të fatit. Probleme ka edhe mish-mashi i krijuar, që ka shtuar klasat kolektive në zona të thella, ashtu si dhe mbingarkesa në zona më pranë qyteteve. Ndërkohë, në Tropojë, arsimi parashkollor thuajse nuk ekziston fare.

Për 17 vjet, në qytetin e Kukësit nuk është ndërtuar asnjë shkollë e re. Është ndërtuar vetëm një shkollë 9-vjeçare, e lënë përgjysmë në katin e dytë, e që tani po shkatërrohet. Në shumë zona, në shkolla, ka numër të madh të nxënësve në një klasë, rreth 52-54. Kështu që, në një tavolinë detyrohen të ulen 5 nxënës, që aspak nuk kanë si të jenë rezultativë. Në Tropojë, arsimi parashkollor thuajse nuk ekziston fare. Në shkollat 9-vjeçare ka klasa kolektive. Mungojnë konviktet. Arsimi profesional mungon në Rrethin e Tropojës. Shkolla 9-vjeçare në Komunën Arrën është me dy mësues.

Kjo është katandisja aktuale politike e arsimit në verilindje. Por një kastë njerëzish të përkohshëm nuk mund të errësojnë punën e ndritur të atyre arsimtarëve që falë profesionalizmit kanë ndërtuar një sistem më të fortë vlerash. Të atyre që janë duke bërë planet për një ndryshim rrënjësor me qëllim rikthimin në traditën më të mirë të mësimdhënies. Këta janë intelektualët e vërtetë të zonës, që nuk kanë asnjë lidhje qoftë me militantizmin, qoftë me diplomat false. Janë ata që kanë hartuar edhe një strategji bashkëkohore për zhvillimin e arsimit në këtë zonë. Janë ata që flasin me pasion dhe me interes për detyrën e edukimit të fëmijëve. Janë ata që thonë se në politikat aktuale të zhvillimit të arsimit nuk ka transparencë. Se nuk ka asnjë studim që të përcaktojë se çfarë profesionesh nevojiten në këtë zonë. Janë të njëjtët që ngrenë problemet me librat, mungesën e teksteve alternative, në kushtet e mungesës së standardeve etj. Të interesuar për të ardhmen, filluar nga fëmijët e tyre, të njëjtët këmbëngulin në strategji të ndryshme për zhvillimin e arsimit në këtë zonë. Një ide e tyre është përqendrimi i shkollave për të minimizuar klasat kolektive apo edhe përqendrimi i nxënësve nëpër konvikte. Kjo do të ndikonte në rritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe do të krijonte kushte më të mira për nxënësit. Me qëllim që të mos ketë rrjedhje të trurit në mësimdhënie, ata rekomandojnë që të bëhet diferencimi i pagës së mësuesve që pranojnë të shkojnë në fshat si dhe të stimulohen studentët për të punuar në Qarkun e Kukësit. Po kështu, strategjia e hartuar prej tyre thotë që mësuesit dhe kryesisht drejtuesit e arsimit duhet të merren me konkurs dhe se duhet të investohet seriozisht për kualifikimin e tyre... Gjithçka me qëllimin e vetëm që të korrat të jenë të mbara.

Shkrimi ka marrë shtysë pas një takimi të zhvilluar në Pallatin e Kulturës në Kukës, me pjesëmarrjen e 100 mësuesve dhe prindërve të ardhur nga Kukësi, Hasi e Tropoja



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›