E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, gati drafti i ri për ndryshimin e bazës së përfitimeve



Jonida Tashi

Skema e pensioneve pritet të ndryshojë së shpejti. Ekspertët e Ministrisë së Financave dhe Sigurimeve Shoqërore kanë përfunduar draftin e ri, për ndryshimin e bazës së përfitimit për pensionet. Sipas këtij drafti, diferenca midis pensionit minimal dhe atij maksimal do të rritet me një pension minimal. Aktualisht, pensioni maksimal i pleqërisë përbëhet nga dy pensione minimale, por pas miratimit të draftit të ri, pagesës së këtij përfitimi do t’i shtohet edhe shuma e një pensioni minimal. Sipas kalkulimeve paraprake, rritja e shkallës së përfitimit nga dy pensione minimale, në tre pensione minimale, do të prekë jo vetëm përfituesit më të rinj që do të bëhen pjesë e skemës së pensioneve, por edhe të gjithë pensionistët që janë midis dy ekstremeve të përfitimit, pensionit minimal dhe atij maksimal. Sipas Ligjit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni maksimal, me ligj është sa dy pensione minimale pavarësisht se sa para paguan për sigurimet shoqërore.
Drafti
Ekspertët që janë marrë me hartimin e draftit të ri të pensioneve theksojnë se qeveria ka vendosur dhe po bën gati edhe ligjin për në Kuvend, për ta zëvendësuar me tre pensione minimale diferencën e pensionit maksimal. “Pensionet do të kenë disa objektiva specifike sepse pensionet jo vetëm që do të rriten, ashtu siç është njoftuar në programin për 4-vjeçar që nis në shtator, por synohet që të shkohet drejt një ristrukturimi më të thellë, që do të thotë se do të fillojmë të thellojmë diferencën mes pensionit minimal dhe atij maksimal. Deri më sot, ne japim maksimumi dy pensione minimale. Me ndryshimet që kemi gati, ne mendojmë të japim 3 pensione minimale. Kjo është hera e para dhe do të jetë një reformë e thellë në sistemin e pensioneve”,- theksojnë specialistët e Sigurimeve Shoqërore. Sipas ekspertëve në fushën e pensionit, kjo reformë do të jetë e thellë, sepse do t’i përfshijë të gjitha përfitimet. “Ne do të bëjmë një lidhje të fortë dhe më të drejtpërdrejtë midis kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe përfitimeve nga këto kontribute”,- sqarojnë specialistët.
Përfituesit
Për rrjedhojë, sipas tyre, ndryshimi i skemës, pra rritja e bazës së përfitimeve të pagesave mujore të pleqërisë, do të përfshijë të gjithë pensionistët. Deri tani nuk dihet nëse reforma e pensioneve do të ketë efekt prapaveprues apo jo, si dhe nëse kjo reformë do të jetë për ata që janë aktualisht në punë, apo edhe për pensionistët. Përfundimisht efektet e reformës së pensioneve do të mësohen pas saktësimit të vendimit të qeverisë, e cila do të japë verdiktin e fundit se si do të realizohet ajo dhe cilat do të jenë kategoritë që do të përfitojnë më shumë. Gjithsesi, ajo që dihet deri tani është fakti se rritja e shkallës së përfitimit nga dy pensione minimale, në tre pensione minimale, do të përfshijë të gjithë pensionistët që janë midis dy ekstremeve të përfitimit.
Kufijtë
Pensioni i pleqërisë ka kufijtë e vet minimal dhe maksimal. Pensioni minimal përcaktohet çdo vit nga Këshilli i Ministrave. Ndërsa pensioni maksimal është sa dyfishi i pensionit minimal. Gjithashtu, pensioni i pleqërisë nuk mund të jetë më i lartë se 75 për qind e pagës mesatare neto të indeksuar të tre viteve rresht në dhjetë vitet e fundit të punës. (Pp = Paga neto x 75 për qind). Kjo presupozon dhe një shkallë zëvendësimi të pagës në momentin e pensionimit. Shuma fillestare e pensionit mujor të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Në bazë të ligjit aktual të sigurimeve shoqërore, pensioni mujor i pleqërisë llogaritet në bazë të formulës së mëposhtme. Pp = Mpb + Sh, ku: Pp është pensioni i plotë mujor i pleqërisë; Mpb është masa e pensionit bazë, që u jepet të gjithë personave të siguruar, që duhet të sigurojë një standard minimum jetese. Ky komponent korrektohet çdo vit me indeksin e çmimeve të disa mallrave të përzgjedhura, siç parashikohet në rregulloren e ISSH-së dhe përcaktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave. Aktualisht, masa pensionit bazë është 9515 lekë në muaj. Por, specialistët e pensioneve shpjegojnë se ka një historik të zhvillimit të pensionit bazë që fillon me pensionin minimal të vitit 1991 dhe që rritet çdo vit sipas një politike të përafrimit me minimumin jetik të llogaritur; Sh është shtesa mbi pensionin bazë. Ky komponent llogaritet, është individual, varet nga madhësia dhe zgjatja e periudhës kontributive dhe është 1 për qind për çdo vit sigurimi shumëzuar me “bazën mesatare të vlerësueshme” (paga mbi të cilën janë paguar kontributet).

Pensionet, si do të funksionojë sistemi tri kolonësh

Përveç ndryshimit të bazës së përfitimit, që pritet të realizohet së shpejti, sërish skema e pensioneve në vendin tonë do të pësojë ndryshime. Ekspertët e Sigurimeve Shoqërore kanë vendosur të ndryshojnë skemën aktuale të pensioneve, duke e përshtatur atë me vendet e tjera të zhvilluara të botës, që operojnë sipas sistemit me disa shtylla. Sistemi i quajtur shumë shtyllash, i cili do të aplikohet edhe në vendin tonë është i përbërë prej tri shtyllash kryesore. Shtylla zero është për të moshuarit, pavarësisht nëse ata kontribuojnë apo jo. Në disa vende kjo shtyllë aplikohet vetëm për të moshuarit e varfër dhe në disa të tjera për të gjithë të moshuarit mbi një moshë të caktuar. Qëllimi i kësaj kolone është të ofrojë një nivel të ardhurash bazë për të gjithë të moshuarit. Ndërsa, shtylla e parë është sistemi i pensioneve me kontribut që aktualisht ekziston në Shqipëri. Ky është një sistem publik i bazuar në solidaritet, por ku pensioni varet nga vitet dhe niveli i kontributit. Shtylla e dytë ka hyrë në disa vende si një sistem kursimesh, ku punonjësve dhe punëdhënësve u kërkohet të vendosin një përqindje të pagës në llogari të specializuara kursimesh, të cilat pastaj investohen. Pasi del në pension punonjësi përfiton kontributin dhe interesat e krijuara nga ky sistem. Kjo shtyllë mund të menaxhohet në mënyrë publike apo private dhe nuk mbështetet në sistemin e solidaritetit. Së fundi, shtylla e tretë është e ngjashme me shtyllën e dytë, por punonjësit dhe punëdhënësit mund të bëjnë vullnetarisht kontribute shtesë në mënyrë që të rrisin nivelin e pensionit të tyre të ardhshëm. Sistemi aktual i pensioneve në Shqipëri fokusohet kryesisht në reduktimin e varfërisë dhe ka një strukturë të ngjeshur të përfitimeve të pensionit në krahasim me gamën e gjerë të kontributeve të paguara në sistem. Tri shtyllat e reja, të propozuara për ndryshimin e skemës së pensioneve do të jenë efektive vetëm pas disa vitesh. Ministria e Financave, si iniciatorë e reformës, nuk ka përcaktuar ende kushtet, por një gjë është e sigurt që, brezi i popullsisë që aktualisht merr pensione, nuk do të përfitojë nga reforma. Sot të gjithë ata që janë të punësuar paguajnë rreth 30 për qind të pagës për të përfituar nga sigurimet shoqërore. Vetëm 23 për qind e saj shërben për pensionin, pjesa tjetër janë për asistencë mjekësore dhe shërbime të tjera. Skema aktuale është e bazuar në sistemin solidar. Pra, paratë që mbahen nga paga e një të punësuari, nuk shërbejnë për pensionin e tij, por për pagesën e të moshuarve që tashmë kanë dalë në pension. Kjo skemë sigurohet edhe me mbështetjen e buxhetit të shtetit, dhe i ka të përcaktuara pensionet maksimale dhe minimale në qytet dhe fshat. Kjo skemë, që përdoret aktualisht, sipas specialistëve dhe Bankës Botërore, po shkon drejt falimentimit. Për këtë arsye është propozuar sistemi tjetër. Ai me tri shtylla.

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›