"Tirana, kështu humb edhe ndaj Skënderbeut"
Leonard Karaj
Për të Tirana e ndeshjes me Flamurtarin ishte kopja negative e kësaj skuadre kampione në fuqi. Por nuk është çudi që bardheblutë të humbasin edhe këtë të shtunë ndaj Skënderbeut nëse nuk reagojnë menjëherë. Deklarata vjen nga një personalitet i futbollist që njeh mirë që të dyja skuadrat. Te Tirana ka kaluar gjithë karrierën e tij futbollistike ndërsa Skënderbeun e ngjiti këtë sezon në Superligë, në të parën herë që luante rolin e trajnerit. Ky është Indrit Fortuzi, i cili shfajëson totalisht trajnerin Lonçareviç për humbjen duke e justifikuar këtë me mungesat e shumta që Tirana ka në këto momente. Në një intervistë për "Panorama" Fortuzi kërkon me ngulm edhe rikthimin e Toni Pezos, lojtari që sipas tij mund të bëjë diferencën tek kjo skuadër. Madje ai shkon edhe më tej kur thotë se me të Tirana edhe mund të mos kishte humbur ndaj Flamurtarit.
Një Tiranë që e ka nisur keq kampionatin....
Defekti më i madh është te mungesa e futbollistëve. Di që Tirana aktualisht ka shumë lojtarë cilësorë të dëmtuar dhe kjo gjë ka ndikuar mjaft në lojën e ekipit. Në finalen e Superkupës u luajt më mirë dhe skuadra ishte e përqendruar që të mos pësonte, ndërsa në ndeshjen e dytë çuditërisht u shpërbë që në pjesën e parë.
Jeni parë gjatë pushimit të ndeshjes me Flamurtarin që t’i afroheshit pankinës së Tiranës....
Po, shkova te stoli i Tiranës për të parë dhe mësuar më mirë se çfarë po ndodhte. Konstatova se ekipi kishte mjaft mungesa dhe lojtarët që trajneri Lonçareviç kishte hedhur në fushë nuk ishin më të mirët por të vetmit me të cilët mund të luante. Siç mund ta keni vënë re edhe ju ai nuk bëri asnjë zëvendësim deri në minutën e 70-të kjo jo se nga lojtarët që kishte në fushë nuk duhej ndërruar asnjëri, pasi sipas meje të paktën 4 prej tyre ishin poshtë nivelit të kërkuar, por se kur kthente kokën pas në pankinë nuk shihte asnjë që të mund të bënte diferencën në fushë.
Në fakt do të jetë po ajo Tiranë edhe këtë javë ndaj Skënderbeut...
Problematike, mjaft shqetësuese për trajnerin sidomos. Të humbësh një takim nuk është fundi i botës natyrisht, por të vazhdosh në të njëjtin ritëm është e patolerueshme. Unë uroj që Lonçareviç të mund të rikuperojë disa futbollistë dhe të mund të futet në fushë ndaj Skënderbeut vetëm për një rezultat, fitoren pasi është e vetmja gjë që i bën punë një Tirane kampione në fuqi.
Mendoni se trajneri rrezikon postin e tij nëse humbet me Skënderbeun?
Jo, nuk e besoj për këtë gjë. Unë kam folur disa herë me drejtuesit e Tiranës dhe duket se tashmë ka ikur ajo koha kur për çdo gjë i vihet faji trajnerit. Besoj se paçka rezultatit jo vetëm këtë javë por edhe më tej Lonçareviç do të jetë trajneri i Tiranës sipas kontratës së nënshkruar.
Kështu u tha edhe vjet për Sliskoviç por nuk qëndroi më shumë se 14 javë....
Shumë e vërtetë por sapo ju thashë se gjërat kanë ndryshuar. Presidenca bardheblu ka kuptuar se nuk mund të fajësohet gjithnjë trajneri, ndaj gabimet që janë bërë në të shkuarën jam i bindur se nuk do të përsëriten më. Një trajner punësohet në bazë të një plan-programi, projekti dhe për ta vënë atë në zbatim i nevojitet koha e domosdoshme por edhe mjetet e nevojshme. Nuk mund të fajësosh sot Lonçareviç, kur ai ka gjysmën e skuadrës titullare në infermieri.
Ju keni qenë trajneri i Skënderbeut, si e shikoni këtë skuadër tashmë në Superligë?
Në futboll gjithçka është e mundur. Askush s'besonte se pas finales së Superkupës Flamurtari do fitonte me Tiranën por ja që ndodhi. Gjithsesi unë kam një lloj nostalgjie për Skënderbeun e Korçës, pasi ka qenë skuadra e parë që unë kam drejtuar si trajner dhe uroj që për këtë sezon jo vetëm të mund të qëndrojë në Superligë, por edhe të mos e diskutojë mbijetesën.