Nis regjistrimi i fëmijëve në kopshte, afati deri në 13 shtator
Jonida Tashi
Nis në datën 1 shtator regjistrimi i fëmijëve në çerdhe dhe kopshte. Prindërit do të kenë 13 ditë kohë në dispozicion për të kryer regjistrimin e vogëlushëve në këto institucione. Burime nga Drejtoria Arsimore e Tiranës bëjnë të ditur se data 13 shtator do të jetë dita e fundit e regjistrimit. Për të evituar kaosin që ndodh pothuajse çdo shtator për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe e kopshte, Drejtoria Arsimore e Tiranës u bën apel prindërve që të respektojnë afatet e vendosura për këtë proces. Për këtë arsye, inspektorët që do të kryejnë procesin e regjistrimit sqarojnë procedurat që duhet të ndiqen. Inspektorët theksojnë se prindërit duhet të tregohen korrekt në dokumentet që paraqesin për të bërë regjistrimin e fëmijëve. Në të kundërt, ata do të jenë të detyruar të paraqiten sërish pranë qendrave të regjistrimit.
Regjistrimi
Regjistrimi i fëmijëve për në çerdhe dhe kopshte do të kryhet pranë Drejtorisë Arsimore Tiranë dhe te shkolla e mesme Ekonomike. Regjistrimet mund të kryhen nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 16.30 të pasdites pranë këtyre qendrave. Është vendosur që regjistrimi të bëhet në këto dy qendra në mënyrë që prindërit të mos sorollaten nga një kopsht në një tjetër, ndërkohë që drejtuesit e tyre mund t’i thonë edhe që nuk ka vende. Ndërkohë që krejt e kundërta ndodh nëse prindi paraqitet fillimisht pranë Drejtorisë Arsimore, ku inspektorët mund ta informojnë atë hollësisht se në cilin kopsht ekzistojnë vende të lira dhe në cilin jo. Inspektorët sqarojnë se nëse nuk ka vend në kopshtin që prindi është drejtuar fillimisht, ata mund t’i japin atyre disa mundësi të tjera zgjedhjeje.
Dokumentet
Çdo prind për të bërë regjistrimin e fëmijës në çerdhe apo kopsht duhet të dorëzojë në qendrën e regjistrimit dy dokumente kryesore që janë: certifikata personale e fëmijës e pajisur me fotografi, e cila duhet të jetë e tre muajve të fundit si dhe vërtetimin nga mjeku i lagjes për gjendjen shëndetësore që tregon se fëmija i tyre i ka kryer vaksinat e detyrueshme. Kërkimi i këtij vërtetimi shëndetësor bëhet me qëllim që të evitohet përhapja e ndonjë sëmundje nga njëri fëmijë tek tjetri si dhe që prindërit të jenë të qetë për shëndetin e fëmijës në kopsht. Por, nëse një prind kërkon ta regjistroj fëmijën në një kopsht tjetër jashtë njësisë së tij bashkiake nevojitet edhe vërtetimi që tregon se fëmija është banor i kësaj zone të Tiranës. Për këtë, inspektorët sqarojnë se prindërit fillimisht do të pyeten për kopshtin që kanë pranë shtëpisë së tyre. Nëse ai kopsht është i mbyllur atëherë atyre do t’u rekomandohen nga inspektorët alternativa të tjera.
Listat
Inspektorët e Drejtorisë Arsimore Tiranë shprehen se para datës 10 shtator në çdo kopsht do të afishohen listat me emrat e fëmijëve që do ta frekuentojnë atë. Të dhënat e çdo fëmije që regjistrohet bashkë me dokumentet e tij personale do të dërgohen në çdo kopsht ose çerdhe. Pas përfundimit të dërgimit të këtyre të dhënave, do të bëhet i mundur edhe detajimi i emrave në lista. Aktualisht, në Tiranë funksionojnë 41 kopshte. Numri maksimal i fëmijëve që pranon çdo kopsht varet nga kapaciteti i tyre. Kështu, kopshtet që kanë shumë dhoma pranojnë më tepër fëmijë. Ndërsa kopshtet e vegjël me pak dhoma pranojnë më pak fëmijë. Arsimi parashkollor publik është niveli i parë i sistemit arsimor publik në Republikën e Shqipërisë. Institucionet që realizojnë arsimin parashkollor janë kopshtet e fëmijëve. Institucionet parashkollore publike, në bashkëpunim me prindërit, synojnë edukimin e zhvillimin e personalitetit të fëmijëve dhe i parapërgatitin ata për në shkollë. Regjistrimi në kopshte i fëmijëve të moshës 3-6 vjeç bëhet sipas dëshirës së prindërve dhe në përputhje me aktet e Ministrisë së Arsimit. Kopshtet funksionojnë gjatë gjithë vitit. Kopshtet mund të jenë pa ushqim ose me ushqim. Kriteret e pagesës në kopshtet me ushqim caktohen nga Këshilli i Ministrave.
28 Gusht 2009