E Diel, 1 Nëntor 2026

Virusi AH1N1, shtohen 9 raste të tjera të dyshuara me virus



Emanuela Sako

Instituti i Shëndetit Publik bën të ditur se janë 9 raste të reja që dyshohen se janë prekur nga virusi AH1N1. Nga analizat e bëra në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, këta persona kanë rezultuar mbartës të virusit pandemik. Specialistët e shëndetësisë kanë nisur mostrat për kryerjen e ekzaminimeve në Rumani. Aktualisht, pacientët po trajtohen në Spitalin Infektiv në QSUT, ku po marrin mjekimin e zakonshëm me Tamiflu. Tashmë pritet përgjigja e rezultateve që do të vijnë nga Rumania, por problemi i vetëm qëndron te vonesat që ndodhin në kryerjen e ekzaminimeve dhe përgjigjen. Kjo pasi, pacientët duhet të trajtohen në një kohë të caktuar, sepse nëse kalojnë 72 orë nga prekja e virusit, atëherë mjekimi nuk ka efektin e duhur. Deri tani në vendin tonë janë konfirmuar 20 të prekur nga virusi A/H1N1, ku asnjë prej tyre nuk ka pasur komplikacione me shëndetin.
Situata
Nga të dhënat e fundit të Institutit të Shëndetit Publik, bëhet e ditur se aktualisht janë marrë 500 mostra në të gjithë qytetet e vendit. Një pjesë tjetër e mostrave të mbledhura janë do të analizohen në ISHP dhe më pas, nëse do të ketë rezultatet negative do të dërgohen për ekzaminime më të specializuara në Bukuresht. Laboratori i virologjisë në ISHP është pjesë e rrjetit europian të survejancës së gripit dhe raporton çdo javë pranë këtij rrjeti. Aktualisht në këtë laborator po analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Në këtë laborator kryhet testi i Imunofluoreshencës Direkte dhe testi i shpejtë që japin përgjigjen paraprake të identifikimit të virusit brenda 2 orësh. Më pas kryhet kultura në linja qelizore nga ku izolohet virusi dhe kjo procedurë zgjat nga 24-72 orë dhe më pas deri në 1 javë.
Konfirmimi
ISHP-ja ka bërë një shpjegim për rastet e konfirmuara dhe të mundshme, që bën dallimin nga personat e prekur dhe nga ata që dyshohen se janë prekur. Sipas specialistëve të ISHP-së, raste të konfirmuara janë të gjitha rastet të cilat kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit pandemik A(H1N1) në laboratorin e references për Europën Juglindore në Bukuresht, Rumani. Ndërsa raste të mundshme janë të gjitha rastet të cilat kanë plotësuar përkufizimin e rastit
dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit A në Laboratorin e Virologjisë, pranë ISHP-së. Raste të dyshimta janë të gjitha rastet që mund të kenë simptoma të njëjta dhe mendohet se mund të jenë prekur, por asgjë nuk është e vërtetuar nga specialistët dhe analizat laboratorike.

Qytetet që kanë përhapje të virusit

Mostrat e personave të dyshuar me virus shtohen çdo ditë e më tepër. Ndërsa autoritetet shëndetësore në rrethe kanë marr urdhër të mos neglizhojnë asnjë rast të dyshuar, pasi do të bëhej një rrezik për personat e tjerë. Në hartën e qyteteve të dyshuara janë futur pothuajse të gjithë qytetet e vendit. Në krye të listës për numrin e personave të prekur dhe atyre që dyshohen qëndron kryeqyteti. Vendin e parë për raste të ekzaminuara dhe të konfirmuara e zë Tirana, me 370 ekzaminime deri tani. Listës së prekjes së virusit gjatë javëve të fundit, i janë shtuar qytetet të tjera si Përmeti, Berati, Kurbini, ndërsa qytetet e tjera ku rastet janë konfirmuar dhe më parë, tani kanë shtuar listën e personave të dyshuar. Qytetet e tjera, ku ka dyshime
për virusin janë: Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora, Korça, Devolli, Mati, Saranda, Fieri etj. Specialistët e ISHP-së japin të dhënat se në Spitalin Infektiv të QSUT-së janë marrë 250 mostra, çka përbën dhe numrin më të lartë nga të gjitha qytetet dhe qendrat e tjera spitalore. Ndërsa vendin e dytë e zë Spitali i Pediatrisë me 75 mostra të marra për ekzaminime, por deri tani ende nuk është konfirmuar asnjë rast, ndërsa dyshohen dy raste për fëmijë të moshës 5 dhe 14 vjeç. Mostrat e fëmijëve janë nisur në Bukuresht për të kryer ekzaminimet përkatëse.

Analizë për rastet e konfirmuara me grip pandemik AH1N1 në Shqipëri

Grupmosha: 4 raste 15-24 vjeç, 10 raste 25-44 vjeç, 2 raste 45-59 vjeç
Shumica e rasteve i përkasin moshave aktive dhe deri tani asnjë rast nuk është vënë re në moshat e vjetra apo ato nën 14 vjeç
Gjinia: 10 meshkuj dhe 6 femra, plus 4 rastet e reja
Vendbanimi: Tirana - 11 raste, Durrës - 4 raste, Saranda -1 rast
Paraqitja në spital: Janë paraqitur 13 raste dhe janë shtruar në spital 8 raste
Pranë Departamentit të Sëmundjeve Infektive në QSUT janë paraqitur 8 raste

Shenjat dhe sindromat klinike:

Kolla ka qenë e pranishme në të gjitha rastet dhe në 5 raste është vënë re kollë me gëlbazë
Dhimbje fyti apo rrjedhje hundësh kanë qenë të pranishme në të gjitha rastet
Temperatura kryesisht mbi 38ºC ka qenë e pranishme në të gjitha rastet
Vështirësi në frymëmarrje në 2 raste
Rinofaringit si dhe riniti apo faringiti kanë qenë të pranishëm në 12 raste
Trakebronkiti është vënë re në 6 raste
Bronkiti difuz i pranishëm në 2 raste
Bronkopneumoni intersticiale në 2 raste
Insuficiencë respiratore akute në 1 rast

Trajtimi

Në dy raste me vështirësi në frymëmarrje është vënë re rëndim i menjëhershëm i frymëmarrjes dhe hipoksi
Kolla është shenja klinike, e cila është zhdukur më me vonesë duke arritur deri në tre javë pas fillimit të shenjave të sëmundjes
Tamiflu është përdorur në 4 raste
Përdorimi i Tamiflusë ka përmirësuar menjëherë shenjat e sëmundjes, kur është përdorur menjëherë në ditën e dytë apo të tretë të fillimit të këtyre shenjave
Rastet kanë qenë pa temperaturë në përgjithësi pas ditës së tretë të sëmundjes përveç rasteve që kanë pasur bronkopneumoni intersticiale dhe bronkiti difuz bilateral
Tamiflu është përdorur në ato raste kur ka pasur komprometim të sistemit respirator si trakebronkit, bronkiti difuz bilateral dhe bronkopneumoni intersticiale
Dy raste që kanë pasur si sëmundje shoqëruese diabetin, kanë paraqitur forma të rënda të sëmundjes, si bronkopneumoni intersticiale dhe insuficiencë respiratore
Në një rast me bronkopneumoni intersticiale, Tamiflu është përdorur për 7 ditë, duke sjellë përmirësim të shenjave klinike të sëmundjes
Në 2 raste të tjera Tamiflu është përdorur për 5 ditë
Antibiotikoterapia është përdorur në 12 raste, kryesisht me ato me kompromentim të sistemit respirator si edhe në disa raste me rinofaringit

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›