Pensionet, ja si do të shpërndahen 2.6 miliardë lekë rritje për çdo kategori
Pensionet do të rriten në korrik në masën nga 4 për qind deri në 10 për qind. Burime nga Ministria e Financave bënë të ditur dje se rritjen më të madhe është vendosur për pensionet minimale për shkak të plotësimit të diferencimit mes pensioneve minimale dhe atyre maksimale.
Sipas të njëjtave burime mësohet se rritja do të nisë nga vlera e inflacionit deri në 10 për qind. Për vitin 2010, fondi i lënë në dispozicion si kontigjencë për politika pensionesh është 2.7 miliardë lekë. Në vitin 2011, kjo shumë do të ulet me 100 milionë lekë, për t'iu fiksuar në 2.6 miliardë lekë. Vetëm për vitin 2010-të, qeveria ka miratuar një fond kontigjence për rritjen e pensioneve në masën 2.7 miliardë lekë. Vendimi "Për miratimin e kuadrit makroekonomik dhe treguesve fiskalë 2010-2012", i miratuar në Këshillin e Ministrave parashikon një fond kontigjence prej rreth 83 milionë dollarësh për rritjen e pensioneve. Ky fond është i ndarë përgjatë vitet 2010, 2011 dhe 2012. Fondi i lënë për rritjen e pensioneve është thuajse i njëjtë në tre vitet. Rreth 530 mijë pensionistë pritet të përfitojnë mesatarisht një fond prej 27 milionë dollarësh rritje në tre vitet e ardhshme.
Aplikimi
Për të gjitha kategoritë e pensioneve është pothuajse gati skema e re e rritjes së tyre e cila do të aplikohet pas datës 1 Korrik. Ndërsa Instituti i Sigurimeve ka realizuar skemën e përfitimeve kategoritë përkatëse, në të cilat bëjnë pjesë pensionistët në fshat e në qytet, invalidët, ish minatorët apo edhe mësuesit e mjekët në pension do të mund të përfitojnë pensionin bashkë me shtesat përkatëse më një Korrik. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur rritja për të gjitha kategoritë. Skema e re e rritjes për të gjitha kategoritë dhe efektet financiare kanë filluar në 1 Maj, ndërkohë që pensionet dhe shtesat për çdo kategori përkatëse do të jepen menjëherë pas 1 Korrikut. Sipas përllogaritjeve pensionet do të rriten nga 4 për qind për pensionet e larta deri në 10 për qind për pensionet minimale.
Profesionet
Llogaritja e moshës si dhe e viteve të nevojshme të punës për të përfituar pension llogaritet në bazë të kategorive të punëve që ka bërë aplikuesi për pension. Kështu, në kategorinë e parë në përgjithësi përfshihen punët në nëntokë. Në të dytën, në mënyrë masive përfshihen mësuesit dhe pedagogët, apo mjekët e infermierët si edhe ushtarakët me grada, si dhe punët drejtuese dhe shfrytëzuese. Ndërsa në kategorinë e tretë futen përgjithësisht nëpunësit dhe punonjësit e shërbimit. Tre janë profesionet dominuese të klasifikuara sipas tri kategorive, që janë dhe më favorizuarat në rastet e aplikimit për të përfituar një pension pleqërie. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ish-minatorët dhe industria e rëndë përfitojnë të parët. Mësuesit, mjekët dhe ushtarakët me grada janë pjesë e kategorisë së dytë, ndërsa nëpunësit bëhen përfitues të kategorisë së tretë. Në kategorinë e parë në përgjithësi përfshihen punët në nëntokë, në ish-industritë ushtarake, në ish-industritë kimike, aviatorët dhe shkrirësit në metalurgji dhe fonderi. Në kategorinë e dytë, masivisht përfshihen mësuesit dhe pedagogët, ushtarakët me grada, si dhe punët drejtuese dhe shfrytëzuese në minierat në sipërfaqe, punonjësit e mekanizmave të rënda (ekskavatoristë, buldozeristë, vinçierë). Ndërsa në kategorinë e tretë futen përgjithësisht nëpunësit dhe punonjësit e shërbimit. Kështu, për punët e kategorisë së parë dhe të dytë, nga vjetërsia e punës gjithsej që kërkohet, 3/4 e saj duhet të kenë kryer një punë të kategorisë së parë dhe të dytë, me përjashtim të personave që kanë punuar në miniera në nëntokë ose në punime të tjera të nëntokës, të cilëve u kërkohet që 1/2 e periudhës së punës të jetë në këto punime. Vjetërsia e punës për profesionet e kategorisë së parë duhet verifikuar nga aplikuesit, pasi shumë prej minierave apo industrive kimike dhe ushtarake janë mbyllur dhe një pjesë e ish-punonjësve të këtyre ndërmarrjeve kanë punuar në punë të tjera, të cilat mund të mos përputhen me të njëjtën kategori, si puna e mëparshme.
Rritja
4 për qind pensionet e larta
10 për qind pensionet e ulëta
Tabela me llogaritjet të pensioneve për çdo kategori për vitin 2010
Ishte Bëhet
Pensioni minimal i fshatit
7308 7600 8038
Pensioni maksimal i fshatit
8845 9198 9729
Pensioni minimal i qytetit
12403 12899 13643
Pensioni maksimal i qytetit
21483 22342 23631
Pensioni i invalidëve
11 000 11440 12100
Pensioni i pleqërisë
12 000 12480 13200
Ornela Manjani