E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet në vitin 2010, rritja më e madhe do të jetë për fshatin

Projektbuxheti i vitit 2010 parashikon rritje të pensioneve deri në 15 për qind

Ervin KOÇI

Qeveria ka parashikuar që të rrisë pagat dhe pensionet edhe vitin që vjen, deri në masën 10 për qind, duke i ndarë shpenzimet për këto zëra edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm. Me përparësi vitin e ardhshëm qeveria synon të trajtojë pensionistët, sidomos ata të fshatit, ku sipas të dhënave të projektbuxhetit 2010, rritja e pensioneve do të jetë më e madhe për ata persona që jetojnë në fshat. Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar që niveli i përfitimeve të pensionistëve do të jetë nga 7-10 për qind për qytetin dhe 15 për qind për fshatin. Sipas ministrit të Financave Ridvan Bode, “qeveria synon që deri në fund të vitit të ardhshëm (2010) të jetë eliminuar diferenca që ekziston midis pensioneve të fshatit dhe atij të qytetit”. Për këtë qëllim, edhe në fondin që qeveria ka parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2010 për pagat dhe pensionet, parashikohet një shtesë e re në mes të vitit, që do të kalojë nga fondi i kontingjencave. Kjo përkon me objektivat për vazhdimin e reformës së rritjes graduale të moshës së daljes në pension në një kohë që rritja e pagave të punonjësve buxhetorë do të vijojë edhe vitin e ardhshëm në masën 4-10 për qind, e diferencuar. Vetëm nga programi i pensioneve publike transfertat në buxhetet familjare llogariten në rreth 4.8 për qind të PBB-së.

Rritjet

Një tjetër objektiv është rikuperimi total i efekteve të inflacionit në masën e pensioneve individuale. Me këtë masë rritjeje rikuperohen efektet e inflacionit, përmirësohen të ardhurat mujore të pensionistëve duke u realizuar një rritje modeste të nivelit të jetesës. Gjithashtu, përfitimet e tjera nga programe të veçanta të qeverisë apo të statuseve do të indeksohen përgjithësisht sipas zhvillimit të indeksit të çmimeve, apo edhe sipas masës së indeksimit të pensioneve për ato kategori që parashikohen me ligj. “Numri i personave që trajtohen me pensione parashikohet të arrijë në 535.9 mijë nga rreth 531.6 mijë aktualisht, ndërkohë janë mbi 25 000 persona që trajtohen me përfitime suplementare apo pagesa të tjera”, - thekson relacioni.
Sistemi i sigurimeve në vitin e ardhshëm parashikohet të ofrojë mbulim për rreth 730 mijë persona, ose 51 400 persona më shumë se në vitin 2009. “Mbi këtë bazë, raporti i varësisë së sistemit kontribuues-përfitues, në total parashikohet 1.36 kontribuues për 1 përfitues, ndërsa për pensionet e pleqërisë 1.7 kontribuues për 1 përfitues”, - thuhet në relacion.

Sigurimet shoqërore

Qeveria parashikon që në projektbuxhetin e vitit 2010 të shtojë edhe fondet për ISSH-në, me qëllim përballimin e rritjes graduale të nivelit të pensioneve si në fshat, ashtu dhe në qytet. Sipas ministrit të Financave, vitin e ardhshëm parashikohet që dhe të ardhurat nga kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore të rriten. Nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të ardhurat e pritshme për vitin 2010 arrijnë në 60.3 miliardë lekë, ose 12 për qind më shumë se viti 2009, duke arritur në 4.7 për qind të PBB-së. Parashikimi i të ardhurave nga kontributet për vitin 2010 bazohet në parashikimet për rritjen e aktivitetit ekonomik, të punësimit, të nivelit të pagave, si dhe në uljen e vazhdueshme të informalitetit në tregun e punës. Për vitin 2010, të ardhurat e fondit të sigurimeve shoqërore të detyrueshme e suplementare programohen në rreth 53 757 milionë lekë (sig. det. 53 557 milionë lekë, ndërsa sig. supl. 200 milionë lekë). Në total, rritja e të ardhurave krahasuar me PBB-në parashikohet në rreth 0.1 për qind. Në këtë rritje, rreth 5214 milionë lekë parashikohet të jetë efekt pozitiv nga rritja e numrit të kontribuuesve (nëpërmjet rritjes së nivelit të punësimit dhe uljes së evazionit të kontributeve), ndërsa si efekt i rritjes së bazës së kontributeve (pagës mesatare mbi të cilën paguhen kontributet) parashikohet një rritje e të ardhurave me rreth 1.8 milionë lekë.

Rritja ekonomike

Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se rritja ekonomike në 2010-n do të vijojë të jetë e lartë. Të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin 2010 janë parashikuar duke u bazuar në ecurinë e treguesve makroekonomikë e fiskalë të vitit 2009, si dhe mbi kuadrin e rishikuar makroekonomik 2010-2012. Kështu, supozimet kryesore për kryerjen e parashikimeve bazohen në tregues si rritja ekonomike reale, e cila për 2010-n do të jetë 6.5 për qind. Të ardhurat në buxhet për vitin 2010 në total do të jenë 360.9 miliardë lekë, me një rritje 10.6 për qind kundrejt vitit 2009. Të ardhurat nga tatimet e doganat parashikohen 246 miliardë lekë, me rritje 10.5 për qind, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore në 60.3 miliardë lekë, me rritje 12 për qind, të ardhurat nga pushteti lokal 20.9 miliardë lekë me rritje 13.8 për qind dhe të ardhurat jotatimore në 24.5 miliardë lekë.

18 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›