E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimi i detyrueshëm, qeveria synon të shtojë numrin e individëve



Një nga objektivat e rëndësishëm në fushën e pensioneve për qeverinë është dhe shtimi i numrit të kategorisë së individëve që bëjnë sigurimin e detyrueshëm. Ky program synon rikuperimin total të efekteve të inflacionit në masën e pensioneve individuale, rritjen e tyre në përqindje më të lartë se ai i indeksit, në funksion të përmirësimit të kushteve të jetesës së pensionistëve në përgjithësi. Kjo synon gjithashtu rritjen me ritme të shpejta të pensioneve të ulëta e minimale, me synimin që pensionet minimale të plotësojnë kërkesat dhe nevojat jetike të pensionistëve, duke mbetur kështu edhe një faktor i rëndësishëm i reduktimit të varfërisë. Për këtë, në vitin 2010 pensionet parashikohen të rriten nga 7-15 për qind. Me këtë masë rritjeje rikuperohen totalisht efektet e inflacionit, përmirësohen të ardhurat mujore të pensionistëve duke i realizuar edhe një rritje modeste të nivelit të jetesës. Përfitimet e tjera nga programe të veçanta të qeverisë apo të statuseve do të indeksohen përgjithësisht sipas zhvillimit të indeksit të çmimeve apo edhe sipas masës së indeksimit të pensioneve për ato kategori që parashikohen me ligj.

Buxheti 2010, miratohet në parim nga Komisioni Ekonomisë

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar dje në parim buxhetin e shtetit për vitin 2010, duke i hapur rrugë miratimit të tij përfundimtar në Kuvend në seancën e të enjtes. Pasi ka kaluar në qeveri me disa ndryshime, për shkak të diskutimeve me anëtarët e forcave të tjera aleate, projektbuxheti pritet që brenda javës aktuale të miratohet në parim në seancën plenare. Sipas draftit të miratuar, shpenzimet totale të buxhetit për vitin e ardhshëm do të jenë 411 miliardë lekë me një rritje prej rreth 3 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërsa të ardhurat pritet të shkojnë në 361 miliardë lekë me një rritje prej 11 për qind nga viti 2009. Qeveria thotë se përmes këtij buxheti, do të rrisë sërish pagat dhe pensionet për vitin e ardhshëm dhe do të alokojë më shumë fonde për sektorët më prioritarë të ekonomisë. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë buxheti i shtetit pritet të kalojë në kuvend pa debat, për shkak të mungesës së opozitës.

18 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›