E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, përfituesit e rinj nga 1 korriku 2009-30 qershor 2010

10/06/2009  Procedura e aplikimit pranë agjencive rajonale të sigurimeve

Kushtet e përfitimit për secilën kategori që plotëson kriteret e trajtimit në këtë hark kohor

Skema e pensioneve do të njohë përfitues të rinj, të cilët duke filluar nga 1 korriku i këtij viti e deri më 30 qershor të 20010-s do të gëzojnë të drejtën e përfitimit të pensionit të pleqërisë. Aktualisht janë përcaktuar edhe detyrimet që këto kategori duhet të përmbushin (si për moshën, ashtu dhe vjetërsinë e punës) për t’u bërë pjesë e kësaj skeme. Plotësimi i kritereve të përfitimit ndryshon sipas kategorisë në të cilën specifikohet profesioni i personit që aplikon për t’u përfshirë në skemën e pensioneve. Sipas ekspertëve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, aplikuesit, bazuar në tabelën e moshës dhe vjetërisë së punës, duhet të paraqiten pranë zyrave përkatëse të sigurimeve, pranë vendbanimeve të tyre. Në këto të fundit ata duhet të plotësojnë kërkesën me shkrim për të zyrtarizuar në kohën e duhur të drejtën e përfitimit. Ndërsa kategoritë e tjera që plotësojnë kriteret, por që nuk disponojnë dokumentet, duhet të bëjnë vetëdeklarimin me shkrim në kërkesën paraprake.

Kushtet

Sipas skemës tashmë të përcaktuar nga zyrtarët e ISSH-së, e drejta e përfitimit për 2009–2010-n inicion për punët e kategorisë së parë: kur burri arrin moshën 58 vjeç dhe gruaja 53 vjeçe. Është e domosdoshme që të dyja gjinitë e mësipërme, që të bëhen pjesë e skemës përfituese, duhet të kenë të faktuara 30 vite si vjetërsi pune. Për punët që përfshihen në kategorinë e dytë mosha e daljes në pension arrihet për burrat 63 vjeç dhe për gratë 58 vjeçe. Ndërsa vjetërsia e punës për të dyja këto kategori vjen në rritje, çka do të thotë se duhet të kenë të mbuluara 35 vjet në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Kalimi drejt punëve që përfshihen në kategorinë e tretë shoqërohet dhe me rritjen e moshës së daljes në pension. Kështu, burrat e përfitojnë të drejtën e trajtimit në moshën 64 vjeç, ndërsa gratë në moshën 59 vjeçe. Periudha e viteve të siguruara mbetet po e njëjtë, ku të dyja palët duhet të vërtetojnë se kanë kontribuar në skemën e sigurimeve për të paktën 35 vjet me radhë. Gjithashtu periudha kohore që ka të bëjë me vjetërsinë e punës, ulet edhe më shumë kur bëhet fjalë për nënat që janë me shumë fëmijë. Mosha për të përfituar një pension pleqërie për këtë shtresë është 50 vjeç, si dhe kushtet për ta plotësuar atë arrihen kur kjo nënë ka të mbuluar rreth 30 vjet vjetërsi pune.

Vitet e siguruara

Legjislacioni i sigurimeve shoqërore përcakton që për profesionet që grupohen në kategorinë e parë dhe të dytë, si vjetërsi pune kërkohet që 3/4 e saj duhet të jenë kryer në punë të kategorisë së parë dhe të dytë, me përjashtim të personave që kanë punuar në miniera në nëntokë ose në punime të tjera të nëntokës, të cilëve u kërkohet që 1/2 e periudhës së punës të jetë në këto punime. Ndërkohë që specialistët ISSH-së shpjegojnë se llogaritja e pensioneve do të kryhet duke marrë parasysh pagat referuese sipas profesioneve përkatëse, të caktuara nga qeveria, të cilat nuk kanë pësuar asnjë ndryshim dhe koeficientet përkatës sipas viteve. Pagat referuese duhen shumëzuar me koeficientet e rinj, të miratuar nga qeveria në muajin e fundit të vitit 2008.

Ndarjet sipas kategorive të punës

Kategoritë që përfitojnë të drejtën e trajtimit me pension pleqërie, duke filluar nga 1 korriku i 2009-s deri më 30 qershor të 2010-s.

Punët e kategorisë së parë: Burri Gruaja

Mosha vjeç 58 53

Periudha e sigurimit vjet 30 30

Punët e kategorisë së dytë:

Mosha vjeç 63 58

Periudha e sigurimit vjet 35 35

Punët e kategorisë së tretë:

Mosha vjeç 64 59

Periudha e sigurimit vjet 35 35

Nënat me shumë fëmijë:

Mosha vjeç 50

Periudha e sigurimit vjet 30

Formula tradicionale e llogaritjes së masës mujore të pensionit

Pp = Mpb + Sh

Pp - pensioni i plotë mujor i pleqërisë

Mpb - masa e pensionit bazë që u jepet të gjithë personave të siguruar, që duhet të sigurojë një standard minimum jetese

Sh - shtesa mbi pensionin bazë

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›