Pensionet private, kontrata individuale për çdo kontribuues
Hyn në fuqi në datën 21 janar ligji Për fondet e pensionit vullnetar. Ligji i qeverisë Për fondet e pensionit vullnetar, që tashmë është botuar edhe në Fletoren Zyrtare, rregullon krijimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e fondeve të pensionit vullnetar me kontribute të përcaktuara. Çdo anëtar mund të bëhet anëtar i një fondi pensioni, nëse më parë ka lidhur kontratë me shoqërinë administruese. Për të përfituar nga skema e pensioneve private, çdo i interesuar,
mund të investojë letra me vlerë, para, apo çdo pasuri tjetër për të siguruar pensionin e tij të ardhshëm. Konvertimi i kontributeve të investuara në kuotë pensioni do të bëhet nga shoqëria administruese, me të cilin anëtari i fondit të pensionit ka lidhur kontratën. Po ashtu, ligji i ri ka përcaktuar edhe tre rastet kur anëtari i fondit të pensionit mund të marrë pagesën e menjëhershme të vlerës neto të aseteve në llogarinë e vet ose pagesat periodike në formë pensioni. Këto tre raste përfshijnë: kur anëtari mbush moshën e pensionit, 5 vjet para saj dhe kur bëhet i paaftë për punë. Sipas ligjit, tërheqja e parakohshme në kundërshtim me këto tre raste shoqërohet me penalitete. Nëse anëtari vdes përpara se të marrë pagesën e të gjitha aseteve të veta, ato do tu shpërndahen trashëgimtarëve të tij. Fondi i pensionit është gjithmonë i garantuar dhe nuk mund të jetë pjesë e procedurës së falimentimit të shoqërisë administruese. Kjo e fundit administron fondin e pensionit pasi të jetë licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.