Vlora, 24 orë pa drita dhe ujë
Qyteti i Vlorës në 24 orët e fundit është hasur me probleme të shumta. Në këtë qytet ka probleme me ujin e pijshëm, energjinë elektrike si dhe vonesa në port. Kështu, vetëm në rrjetin elektrik të tij janë njohur 35 defekte, një pjesë e të cilave ende nuk janë riparuar dhe lagje të tëra janë zhytur në errësirë qysh mbrëmjen e djeshme. Më problematike në këtë drejtim janë lagjet Pavarësia, Lirimi dhe Kushtrimi. Si rrjedhojë e mungesës së energjisë elektrike në
pompat e ujësjellësit qyteti ka ngelur edhe pa ujë të pijshëm për orë të tëra. Drejtues të Ndërmarrjes së Ujësjellësit kanë deklaruar se nuk ka asnjë defekt nga ana e tyre por shkak është vetëm mungesa e energjisë elektrike tek pompa numër 2. ndërkohë probleme ka pasur edhe në portin e qytetit ku tragetet e udhëtarëve e kanë pasur shumë të vështirë të ankorohen. Për orë të tëra së bashku me pasagjerët në bord ata kanë pritur në Gjirin e Vlorës për të gjetur momentin e duhur për tu ankoruar pranë kalatave. V. Sako