E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, rritja e 2009-s proporcionale

07/04/2009  Efektet maksimale të rritjes do të jenë për pensionet e fshatit, ndërsa minimale për ato të qytetit

Kjo skemë synon të ruajë kufirin ndërmjet kontributeve maksimale dhe atyre minimale

Detajohet skema e rritjes së pagave dhe pensioneve që do të shkojë për çdo kategori të punonjësve në administratë dhe pensionistëve në të gjithë vendin. Brenda pak ditësh pritet që të dërgohet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe shkresa nga organet e financës për rillogaritjet e reja që do të përfitojnë pensionistët, së bashku me shtesat e përcaktuara me vendim qeverie. Rritja do të hyjnë në fuqi për të gjitha kategoritë përfituese duke filluar nga data 1 maj. Sipas zëvendësministrit të Financave Sherefedin Shehu, pensionet do të kenë një rritje proporcionale, çka do të ndihmojë në ruajtjen e duhur të diferencës që duhet të ekzistojë ndërmjet pensioneve minimale dhe atyre maksimale bazuar në kontributet e derdhura.

Shtesat

Skema e përcaktuar detajon se rritja e majit për kategoritë e pensionistëve do të jetë përkatësisht në masën 20 për qind për pensionistët në fshat dhe 10 për qind për ata të qytetit. Tërheqja e masës bashkë me shtesën e përcaktuar zyrtarisht do të hyjë në fuqi duke filluar nga data 1 maj. Kjo do të thotë se pensionistët, kur të tërheqin pensionin e muajit maj, do të marrin dhe shtesën e caktuar me vendim të posaçëm të qeverisë, procedurë e cila do të jetë e ripërsëritshme çdo muaj. Duke filluar nga viti i shkuar, rritja e pensioneve është bërë në mënyrë proporcionale, e cila është përcaktuar në varësi të skemës së kontributeve të derdhura (nuk është e njëjtë për të gjithë përfituesit). Shehu ka deklaruar se para 2008-s skema e rritjes bazohej në modelin e përshkallëzuar, që sillte rritjen më shumë të pensioneve të ulëta e veçanërisht ato të fshatit, ndërsa tani skema e rritjes do të jetë proporcionale, duke respektuar kontributet e derdhura nga secila shtresë përfituese e pensionistëve. Rritja proporcionale detajon të gjitha shtresat do të përfitojnë të paktën 10 për qind më shumë të masës aktuale të pensionit.

Rillogaritja

Tashmë janë përcaktuar dhe masat e reja të përfitimeve që do të shkojnë për secilën nga kategoritë e pensionisteve. Sipas llogarive të bëra nga ekspertët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, skema e rritjes që do aplikohet duke filluar nga muaji maj, do të lëvizë në këta kufij:

Të ardhurat minimale për pensionin e plotë të qytetit nga 11275 lekë që ishte me rritjen e përcaktuar do të shkojë në masën 12226 lekë. Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit nga 19530 lekë me shtesën e re do të arrijnë në kufijtë e 21433 lekëve. Ndërsa për pensionet e fshatit është përcaktuar që të ardhurat e pensionit të plotë do të lëvizin nga 6090 lekë në 7139 lekë, në të cilën është përfshirë dhe shtesa e parashikuar.

Rritja e re e pensioneve që pritet të hyjë në fuqi gjatë muajit të ardhshëm, do të zbatohet për të gjitha kategoritë dhe llojet e pensionit që jepen qoftë pension i plotë, i pjesshëm, i reduktuar, familjar apo invaliditeti. Përllogaritjet për çdo përfitues do të bëhen nga drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore sipas të njëjtit standard të përcaktuar në skemën e rritjes.

Llojet e pensioneve

Kategorizimi

Personat që nuk kanë plotësuar moshën ose vitet e nevojshme të punës mund të përfitojnë pension të reduktuar ose të pjesshëm. Me këto dy lloje përfitimesh aplikuesit nuk mund të marrin të ardhura aq sa do të përfitonin me pension të plotë pleqërie. Konkretisht, pensioni i përfituar mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit, ndërkohë që i nënshtrohet të gjitha rritjeve që u bëhen pensioneve nga politikat e qeverisë. Ndërsa një tjetër kategori përfitimi janë edhe pensionet e invaliditetit, që shërbejnë për të mbrojtur me të ardhura personat e siguruar kur humbin aftësinë për punë si pasojë e një gjendjeje të caktuar shëndetësore. Kjo gjendje mund të jetë e përkohshme apo e përhershme, ndërkohë që përfitimi mund të jetë i plotë ose i pjesshëm, në varësi të gjendjes së personit përfitues

Përfitimi familjar

Përveç llojeve të përfitimeve të përmendura, një kategori tjetër që mund të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore janë edhe ato familje, që kanë humbur kryefamiljarin. Këto përfitime quhen “pensione familjare” dhe shërbejnë për të mbrojtur personat që janë në ngarkim të mbajtësit të familjes që është ndarë nga jeta, pavarësisht nëse ka qenë ose jo i siguruar. Në kushtet për të përfituar pension familjar është dhe periudha e nevojshme e sigurimit që duhet të ketë i ndjeri në kohën që vdes. Periudha e sigurimit e nevojshme për një pension familjar llogaritet sipas nenit 35 të ligjit nëpërmjet formulës (moshë- 20 vjet ) /2.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›