Pensionet, skema që na kushton 380 mln dollarë
Buxheti i shtetit 2012 do të duhet të mbajë një barrë të rendë të shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore, e cila nuk arrin të financojë veten e saj duke iu nevojitur nga viti në vit më shumë subvencione. Kontributet që derdhen nga të punësuarit nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet vjetore të saj duke detyruar kështu qeveritë që në çdo vit kur bëhet hartimi i buxhetit të ndajnë edhe një shumë të posaçme për të mbuluar deficitin e skemës.
Një studim i bërë nga Open Data, tregon shumën e subvencioneve që i kanë kaluar Sigurimeve Shoqërore nga Buxheti i Shtetit duke filluar nga viti 1993. Nga grafiku vërehet një rritje e fortë e subvencioneve të alokuara gjatë viteve tre viteve të fundit ku qeveria ka ndarë për ISSH-në më shumë se 30 miliardë lekë çdo vit. Referuar buxhetit të 2012, subvencioni për këtë vit përllogaritet të jetë rreth 38.2 miliardë lekë ose 3.2 miliardë lekë më shumë se 2011.
Të dhënat më të fundit nga Instat flasin për një rritje të mëtejshme të punësimit në Shqipëri. Por nëse punësimi ka ardhur në rritje, shtimi i të ardhurave në skemën e Sigurimeve Shoqërore nuk është me të njëjtin ritëm me rritjen e shpenzimeve duke bërë mëse të domosdoshme mbështetjen me fonde të posaçme nga buxheti i shtetit. Nisur nga kjo, qeveria ka ndarë në vitin 2007 për skemën e Sigurimeve Shoqërore rreth 18 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, në vitin 2008 shuma e subvencionit u rrit në 20.8 miliardë lekë, në vitin 2009 ajo arriti në 22.9 miliardë lekë, në vitin 2010, 28.2 miliardë lekë, në vitin 2011, rreth 35 miliardë lekë dhe në vitin 2012, pritet që të jetë mbi 38 miliardë lekë.
Duhet theksuar se gjatë kësaj periudhe, qeveria ka rritur pensionet duke rritur kështu edhe shpenzimet, por gjithsesi kostoja e rritjes së pensioneve, mesatarisht 2 miliardë lekë, është e pakrahasueshme me masën e subvencionit që transferohet nga buxheti i shtetit. Në lidhje me këtë, drejtues të ISSH-së kanë shpjeguar se fondet që ndan qeveria çdo vit për këtë institucion nuk shkojnë të gjitha për të mbuluar deficitin e skemës së pensioneve, por edhe pagesa të tjera, të cilat ekzekutivi ia ka deleguar institutit.
Në të gjithë vendin numërohen rreth 570 mijë pensionistë të cilët përfitojnë çdo muaj të ardhura nga skema e Sigurimeve Shoqërore, në formë pensioni. Instituti i Sigurimeve Shoqërore lidh çdo vit mesatarisht 20 mijë pensione të reja, të cilat ndahen kryesisht në pension pleqërie dhe invaliditeti. Shuma e parave që del nga skema nëpërmjet financimit të pensioneve është më e madhe se të ardhurat që mblidhen nga kontributet. Drejtues të ISSH-së kanë shpjeguar se niveli i ulët i arkëtimeve lidhet direkt me numrin e kontribuuesve. Për çdo pensionist në Shqipëri, aktualisht kontribuojnë 1.3 të punësuar, ndërkohë që në vendet e rajonit raporti është 1 me 3.
Si përfitohen pensionet alternative
Ligji njeh të paktën edhe dy lloje pensionesh të tjera, të cilat mund të përfitohen pa i plotësuar moshën e daljes në pension dhe 35 vite punë të siguruara. I pari është pensioni i pjesshëm i pleqërisë dhe i dyti pensioni i reduktuar i pleqërisë, të cilët mund të përfitohen pasi i interesuari të përmbushë disa kushte specifike të parashikuara.
Pension të pjesshëm pleqërie përfitojnë të gjithë ata që kanë mbushur moshën e daljes në pension duke përfituar pension të plotë pleqërie, por qe nuk mund ta marrin atë për shkak të viteve të pamjaftueshme të punës. Pensioni i pjesshëm i pleqërisë vlen për të gjithë ata që kanë minimumi 15 dhe maksimumi 35 vite pune. Masa e pensionit të pjesshëm të pleqërisë caktohet si pjesë e pensionit të plotë të pleqërisë dhe llogaritet duke shumëzuar shumën e pensionit të plotë me kohën e periudhës së sigurimit. Shuma e dalë pjesëtohet me 35 vjet, e cila është periudha e sigurimit minimale për të përfituar pension të plotë.
Pensioni i reduktuar i pleqërisë, funksionin sipas një logjike tjetër. Kushti themelor është që i interesuari të ketë mbushur minimumi 35 vite punë. Mosha kur lind e drejta për të përfituar është 62 vjeç për burrat dhe 57 vjeç për gratë. Pensioni i plotë i pleqërisë reduktohet me 0.6 për qind për çdo muaj të dalë në pension para afatit të moshës të përcaktuar në ligj. Nëse një burrë kërkon të dalë në pension në moshën 62 vjeç, shuma që ai përfiton do të jetë sa 78.4 për qind e pensionit të plotë. Nëse një person kërkon të marrë pension të reduktuar, ai do të mbetet në fuqi deri në fund.
