Pensionet, zbardhet shtesa e re
Qeveria do të vijojë edhe këtë vit politikën e saj të rritjes së pagave dhe pensioneve, dhe nga data 1 korrik pritet që të bëjë shtesën e radhës. Burime nga Ministria e Financave zbardhin për gazetën detajet lidhur me masën e rritjes për të gjitha kategoritë për pensionin minimal të qytetit, për pensionin maksimal apo pensionet në fshat. Përkundër kritikave që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë për të qenë të kujdesshëm me shpenzimet dhe politikës që kanë ndjekur vendet e tjera duke shkurtuar pensione, qeveria duket se do të vijojë me mbajtjen e asaj që ka premtuar. Nga ky vendim i qeverisë pritet që të përfitojnë mbi 560 mijë pensionistë që janë pjesë e skemës.
Për qytetin
Në qytet një pension minimal aktualisht është 11.117 lekë dhe duke i shtuar edhe përfitime të tjera të skemës që përfshijnë subvencione të ndryshme, përftimi në fund arrin në 13.267 lekë/muaj. Të njëjtat burime nga Ministria e Financave bëjnë me dije se pas rritjes, një pension minimal në qytet do të bëhet 11.506 mijë lekë e duke përfshirë edhe pjesën tjetër të subvencioneve, në fund do të arrijë 13.656 mijë lekë/muaj. Pra, në total, shtesa që qeveria do të bëjë për një pension minimal qyteti do të jetë 389 lekë në muaj. Në përqindje, rritja që qeveria do të bëjë është 3.5 për qind. Nga ana tjetër, e njëjta procedurë do të përsëritet për pensionet maksimale në qytet. Këto të fundit do të rriten gjithashtu me 3.5 për qind nga qeveria. Nëse aktualisht një pension maksimal qyteti shkon 22.234 lekë/muaj, ai do të bëhet 23.012 lekë/muaj dhe shtesa përkon me 778 lekë në muaj. Së bashku me subvencionet e tjera që merren me pensionin, përfitimi shkon në 23.512 lekë në muaj. Pak ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi që rritja e pensioneve të qytetit do të ishte me mbi 4 për qind, por sipas burimeve nga Ministria e Financave, rritja nuk do të jetë më e lartë se 3.5 për qind.
Pensionet në fshat
Barazia e pensioneve të fshatit me qytetin, aq shumë e lakuar nga qeveria, duket se do të mbetet ende larg. Nga 1 korriku përfitimet e pensionistëve në fshat do të rriten me vetëm 5 për qind, duke e çuar vlerën e pensionit të fshatit nga 7468 lekë që është aktualisht, në 7841 lekë në muaj. Kjo vlerë është pa i shtuar këtu subvencionin e energjisë apo të tjera. Nëse vlerës fillestare i shtojmë edhe masën e subvencioneve pas 1 korrikut, një pensionist në fshat do të marrë një pension 8731 lekë në muaj. Shtesa prej 5 % përkon në vlerë monetare me 373 lekë në muaj. Më herët kreu i qeverisë, në një mbledhje të kabinetit, deklaroi se pensionet e fshatit do të rriten me mbi 5 për qind, por që edhe në këtë rast duket se do të ruhet sjellja e kujdesshme dhe rritja do të mbetet pak më shumë se indeksimi, edhe pse inflacioni gjatë këtij viti ka shënuar vlera të ulëta. Qeveria ka filluar një polikë të rritjes së pagave dhe pensioneve prej vitesh tashmë, duke e mbajtur këtë edhe gjatë kulmit të krizës, por kjo lëvizje jo pak herë është kritikuar nga institucione si FMN-ja. Në përgjithësi, rritjet kanë qenë më tepër të nivelit të indeksimit, sidomos për kategorinë e pensionistëve, ndërsa për administratën, për profesione të ndryshme, si mësuesit apo infermierët, rritja ndër vite ka qenë më e lartë.
Rritja e pensioneve
Pensioni minimal qyteti
Është
11117 (baza) + 2150 (subvencione) = 13267
Bëhet
(shtohet 3.5%)
11506 (baza) + 2150 (subvencione)= 13656
Shtesa 389 lekë/muajPensioni maksimal qyteti
Është
22234(bazë) + 500( subvencione) = 22734
Bëhet
(shtohet 3.5%)
23012(bazë) + 500( subvencione) = 23512
Shtesa 778 lekë/muajPensioni fshati
Është
7468 (bazë) + 890 (subvencion)= 8358
Bëhet
(shtohet 5%)
7841(bazë) + 890 (subvencion = 8731
Shtesa 373 lekë/muaj
Reforma për ndryshimin e skemës
Aktualisht vendi ynë, nën asistencën e Bankës Botërore, është duke punuar për të ndryshuar skemën e pensioneve. Banka Botërore do të ishte e para që do të vinte alarmin se skema ishte e falimentuar dhe duhej ndryshuar, ndërkohë që ekspertë të saj kanë ngritur shqetësimin se rritja e jetëgjatësisë në përgjithësi kërkon medoemos masa për të ruajtur qëndrueshmërinë e skemës.
Shtohen 4400 pensionistë të rinj në skemë
Çdo vit, mesatarisht, skemës së pensioneve i janë shtuar më pak se 13 mijë përfitues. Përfundimi i reformës së rritjes graduale të moshës, që përfundoi në vitin 2011, ka sjellë në skemë për këtë vit një numër më të lartë përfituesish. Sipas drejtoreshës së ISSH-së, Vjollca Braho, përfitojnë pension pleqërie 17 100 persona. Pra, që këtë vit parashikohet të trajtohen me pensione pleqërie të plotë dhe të pjesshëm rreth 4400 persona më shumë se një vit më parë, ose me një efekt vjetor financiar të parashikuar me rreth 670 milionë lekë.
NERTILA MAHO