E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat, sot takimi Berisha-Dule

Kreu i maxhorancës do të vijojë sot takimet me krerët e partive parlamentare për zgjedhjen e Presidentit.

Pas refuzimit ndaj Edi Ramës, Kryeministri fton kreun e PBDNJ.

Pas pushimit në fundjavë, edhe për shkak të një vizite në Malin e Zi, Kryeministri Sali Berisha do tu rikthehet sërish sot negociatave, në përpjekje për të tentuar zgjedhjen e një Presidenti në raundin e parë.
Burime nga Partia Demo-kratike bëjnë të ditur për gazetën Panorama se kreu i qeverisë ka fiksuar në axhendën e tij një takim me kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. I pozicionuar në opozitë dhe me kritika të herëpashershme ndaj qeverisjes së vendit, Dule është kryetari i parë i një partie të koalicionit kundërshtar që do të takohet nga Kryeministri Berisha. Në të njëjtën kohë, në këtë raund të parë negociatash, i vetmi me të cilin kryetari i demokratëve nuk do të takohet është kundërshtari i tij më i rëndësishëm, kryesocialisti Edi Rama. Edhe gjatë takimit që do të zhvillohet sot në mesditë, Kryeministri do të konfirmojë qëndrimin e shumicës për të gjetur një emër të mbështetur edhe nga opozita për ta zgjedhur që në raundin e parë. Kjo duket e vështirë, sidomos sot, një ditë pas takimit të dështuar mes negociatorëve të PD-së dhe PS-së. Kryeministri Berisha pati një ditë të ngjeshur takimesh të premten e kaluar, kur takoi në një interval prej katër orësh tre aleatët e tij në qeveri, fillimisht kreun e LSI-së, Ilir Meta, e më pas Shpëtim Idrizin dhe Fatmir Mediun. Lideri i maxhorancës u shpreh se nëse ekziston vullneti mes të gjitha forcave politike, vendi mund të ketë një President që në raundin e parë. Unë mendoj se në rast se mbizotëron realizmi, mbizotëron vullneti për ti dhënë vendit në përputhje me Kushtetutën, por me mbështetjen më të gjerë të mundshme, Presidentin që meriton, kjo mund të realizohet dhe në raundin e parë. Unë gjykoj se nuk ka arsye që të cedojë konsensusi, unë gjykoj që nuk ka shkak të predominojë  mosbesimi ndaj besimit. Unë gjykoj se duhet të predominojë serioziteti dhe përkushtimi ynë, për ti dhënë vendit një President me mbështetjen më të gjerë. Ne si maxhorancë kemi vullnet të plotë për këtë, u shpreh Kryeministri. Në takimet e para, ra në sy fakti se PD-ja dhe LSI-ja nuk kanë të njëjtin qëndrim për zgjedhjen e kreut të shtetit, ku demokratët vazhdojnë të mbështesin një kandidaturë të tyren, ndërsa Meta ka folur gjithmonë e më shumë për një emër konsensual.

Topi
Mund të jetë edhe një President i PD-së. Askush nuk ka të drejtë që të gjykojë në këtë mënyrë, por në rast se një figurë nga PD-ja do të gëzonte një mbështetje të gjerë parlamentare, që do të thotë se do të shkojë në një konsensus më shumë se sa 71 vota, më shumë se sa koalicioni qeverisës, atëherë do merrte kuptimin e një Presidenti më shumë sesa maxhoranca politike. Por, për ta kufizuar në atë term që jemi mësuar ta dëgjojmë këto ditë, do të isha për një President që ka një mbështetje të gjerë, që është sinonim i një Presidenti konsensual, u shpreh Topi pak ditë më parë.

Meta
Duke vënë theksin te takimi Berisha-Rama, Meta tha të shtunën se natyrisht që Tsvangirai ulet me Mugaben, i cili ende vazhdon të jetë Presidenti i  Zimbabves, jo sepse ka harruar të kaluarën, jo sepse ka harruar të vrarët, jo sepse ka harruar manipulimin e zgjedhjeve, por sepse ai e di se në rast se nuk do të ulen, nuk do të bisedojnë, nuk do të bashkëpunojnë, akoma më shumë njerëz do të vriten në Zimbabve, akoma më shumë fëmijë do të mbeten jetimë, akoma më shumë gra do të mbeten të veja. Ndaj ngritja mbi të kaluarën është një kërkesë imediate e politikanëve kudo.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›