E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensioni familjar, dosja e plotë me kushtet e përfitimit

Sigurimi, kategoritë që kanë të drejtë të marrin pension familjar. Masa që përfitohet sipas kategorive dhe formula e llogaritjes

Jonida Tashi

Zbardhet dosja e plotë me kushtet që duhet të plotësohen për të përfituar pension familjar. Familjet që kanë humbur kryefamiljarin janë një kategori që mund të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore. Ndryshe ky përfitim quhet pension familjar dhe shërben për të mbrojtur personat që janë në ngarkim të mbajtësit të familjes, i cili është ndarë nga jeta, pavarësisht nëse ka qenë ose jo i siguruar. Ligji i sigurimeve shoqërore mbron me të ardhura edhe personat që janë në ngarkim të mbajtësit të familjes, i cili vdes, pavarësisht nëse në momentin që vdes ka qenë ose jo i siguruar dhe pavarësisht nga koha kur ka vdekur. Kushtet e përfitimit për personat në ngarkim të personit që vdes dhe rrethin e personave familjarë, përfitues përcaktohen në Nenin 40 të ligjit për Sigurimet Shoqërore, i cili shprehet: “Personat që janë në ngarkim të personit që vdes, i cili kishte kushte për përfitimin e njërit nga llojet e pensioneve ose merrte pension, kanë të drejtë të marrin pension familjar”.
Përfituesit
Përfitues të pensionit familjar janë disa kategori individësh, për të cilët janë përcaktuar kushte të veçanta përfitimi. Kështu, sipas ligjit, pension familjar përfitojnë: e veja, kur provohet se ajo është: mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç; e paaftë për punë ose ka mbushur moshën 50 vjeç; burri i ve, kur provohet se ai është: mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në 8 vjeç; i paaftë për punë ose ka mbushur moshën 60 vjeç; jetimi kur provohet që ai ishte në ngarkim të atij që vdiq dhe ka një moshë nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë, para se të arrijë moshat e mësipërme; prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë, prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë; nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në një rast të tillë ata trajtohen si jetimë. E veja dhe personi i ve humbasin të drejtën për pension familjar kur martohen.
Sigurimi
Në kushtet për të përfituar pension familjar është dhe periudha e nevojshme e sigurimit që duhet të kishte i ndjeri në momentin që vdes. Periudha e sigurimit e nevojshme për një pension familjar llogaritet sipas Nenit 35 të ligjit, nëpërmjet formulës (moshë - 20 vjet)/2. Shembull: Një mbajtës familjeje që vdes, ishte në moshën 40 vjeç. Në këtë rast periudha e nevojshme e sigurimit që duhet të kishte i/e ndjeri/a, është (40-20)/2= 10 vjet. Masa e pensionit llogaritet njëlloj si pensioni i pleqërisë. Në jetën e përditshme ndodh që vdes mbajtësi i familjes, por nuk e kishte periudhën e nevojshme të sigurimit siç e kërkon ligji. Në rastin tonë, sipas shembullit të mësipërm, mbajtësi i familjes që vdes kishte 5 vjet pune gjithsej, dhe jo 10 vjet, sa kërkon ligji. Në këtë rast, personat në ngarkim të mbajtësit të familjes që vdes do të marrin një pension familjar të reduktuar. Shkalla e reduktimit të këtij pensioni del nga raporti i viteve që ka pasur i ndjeri me vitet që kërkon ligji ose 5:10 = 0.5.

Shuma që mund të përfitojë kjo kategori

Shuma e pensionit familjar për personat përfitues përcaktohet në mënyrë të plotë nga Neni 41 i ligjit, i cili shprehet si vijon: “Pensioni familjar është pjesë e pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit, dhe jepet në masën: 50 për qind për personin e ve dhe 25 për qind për çdo jetim ose persona të tjerë që përfitojnë”. Kur nuk merret pension i parashikuar në masën 50 për qind për personin e ve, masa e pensionit për jetimin është 50 për qind, kur ai është ose mbetet vetëm pjesëtar në pension. Kur pjesëtarë në pension janë më shumë se një jetim, masa e pensionit familjar për secilin prej tyre është 25 për qind. Shuma e një pensioni familjar nuk duhet të kalojë masën e pensionit që merrte ose do të merrte personi që vdes. Jetimi ka të drejtën e një pensioni familjar edhe në qoftë se prindi që jeton është i punësuar, është ekonomikisht aktiv, ose merr një pension si të drejtë të tij. Në këtë rast masa e pensionit për çdo jetim ose person tjetër që përfiton është 25 për qind e pensionit që i takonte të ndjerit, por jo më tepër se 50 për qind e tij. Jetimi që humbet të dy prindërit do të marrë një pension jetimi për secilin prej tyre. Sipas përcaktimeve të ligjit rezulton se 50 për qind e masës së pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit e merr bashkëshorti ose bashkëshortja, sipas rastit, ndërsa jetimët marrin në çdo rast nga 25 për qind, por jo më shumë se 50 për qind kur janë më shumë se dy jetimë. Në rastet kur jetimi është ose mbetet i vetëm në skemë, mbasi mund t’i kenë vdekur dy prindërit ose një prind është i papunë, pensioni i jetimit është 50 për qind. Kjo vlen gjithmonë për personat që banojnë në qytet, ndërsa për personat që banojnë në fshat masa 50 për qind për jetimin nuk mund të merret kur njëri nga prindërit është në moshë pune, pra detyrimisht është person ekonomikisht aktiv mbasi e ka objektin e punës, tokën.

Kategoritë që përfitojnë pension familjar:

E veja
kur provohet se ajo është:
mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç
e paaftë për punë
ose ka mbushur moshën 50 vjeç

Burri i ve
kur provohet se ai është:
mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në 8 vjeç
i paaftë për punë
ose ka mbushur moshën 60 vjeç

Jetimi
kur provohet që:
ai ishte në ngarkim të atij që vdiq
ka një moshë nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç
nëse studion ose është i paaftë për punë, para se të arrijë moshat e mësipërme.

Prindërit
kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë, prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë.

Nipërit e mbesat
kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në një rast të tillë ata trajtohen si jetimë.

16 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›