E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si zbutet kriza?

Qeveria dhe shteti të bëjnë zgjidhjet e duhura për situatën. Parashikime pesimiste për turizmin në sezonin që po vjen

Fatos Çoçoli

Diskutimet lidhur me pasojat e krizës botërore financiare, e cila pastaj u shtri në ekonominë reale të planetit, kanë marrë tek ne ngjyra aq politike sa kanë shkurajuar shumë ekonomistë dhe vrojtues të ekonomisë sonë të shprehen për të. Megjithatë, është në të mirën e vendit të jepen ide për zgjidhje në vështirësitë që kalojmë dhe këtë ekonomistët duhet të vijojnë ta bëjnë. Shumë nga ne shqiptarët i përjetojmë pasojat e krizës botërore me shprehjen dhe mendësinë: “Ne kemi qenë gjithnjë në krizë, kështu që kjo e fundit nuk ka se ç’të na bëjë”. Kjo është e vërtetë në lidhje me disa mungesa në shërbime publike jetësore (furnizim me energji elektrike, ujë etj.), pse vërtet ka pak gjasa që kriza e sotme do të rëndojë furnizime të tilla. Por, nga ana tjetër, kriza avitet në horizont me peshën e problemeve që po krijon në rieksportet tona (prodhimet me material porositësi: këpucë, veshmbathje etj.), në të ardhurat e pakësuara, që sidomos zonat rurale marrin nga emigrantët, e kështu me radhë. Kemi qenë një vend ku kreditë rriteshin me 5 për qind çdo muaj, në krahasim me të njëjtin muaj një vit më parë. Mirëpo në dhjetor 2008 kredia u rrit vetëm me zero pikë pesë për qind. Pra, dhjetë herë më pak rritje; ose, thënë ndryshe, bankat po tkurrin kreditë, huat që i japin ekonomisë dhe qytetarëve. Kjo sigurisht do të ngadalësojë zhvillimin tonë. ǒmund të bëjmë? Ne si qytetarë pak, por shteti dhe qeveria, shumë. Më 28 shtator 2008, në kulmin e krizës financiare, ministri gjerman i Financave doli dhe deklaroi publikisht se qeveria e tij garantonte pa kufizim të gjitha depozitat e kursimeve të popullatës në bankat që vepronin në Gjermani. Dy muaj më vonë ministri homolog grek e rriti nivelin e garantimit të depozitave në vendin e vet në 50 mijë euro. Vetëm ne kemi nivelin më të ulët të garantimit të kursimeve të popullatës në rajon, me 3.5 milionë lekë të vjetra, ose 2 mijë e shtatëqind euro. Kjo është një arsye shumë e fortë pse qytetarët kanë rendur për të tërhequr depozitat e tyre nga bankat tregtare, duke i vendosur në Bankën e Shqipërisë, që në gjuhën e përditshme, më të moshuarit i thonë “Banka e shtetit”. Mirëpo banka jonë qendrore shet bono, por nuk jep kredi në këmbim të marrjes së parave kartëmonedhë. Kredi që ndihmojnë ekonominë japin vetëm bankat tregtare. Mirëpo atyre, kur u pakësohet paraja “kesh” nga rrjedhja e depozitave, u humbet edhe kuraja për t’u shtrirë në dhënie huash të reja. Prandaj është urgjente që shteti ynë të veprojë. Ka fjalë që Banka jonë qendrore po punon për të rritur garantimin e depozitave. Kjo duhet bërë sa më shpejt. Ndoshta ia vlen edhe të deklarohet garantimi me shumëfisha të shifrës së sotme prej 3.5 milionë lekësh të vjetër. Asnjë e keqe nuk vjen, madje edhe nga garancia pa kufi, pse bankat tona tregtare janë mirë të kapitalizuara dhe nuk kanë rrezik falimentimi. Garancia e fortë i qetëson qytetarët dhe do të shikonim rikthimin e tyre dhe të depozitave pranë bankave tregtare, aty ku ato i shërbejnë më shumë ekonomisë. Pa këtë masë, kreditë do të vijojnë të jenë të shtrënguara dhe nga kjo gjendje kemi vetëm dëm e mungesë rritjeje ekonomike. Një tjetër shqetësim që nuk po duket shumë te strukturat tona vendimmarrëse ka të bëjë me sektorin e turizmit. Sipas parashikimeve të Organizatës Botërore të Turizmit, prenotimet tek operatorët ndërkombëtarë më të fuqishëm kanë rënë për këtë vit, për shkak të krizës, me 20-25 për qind. Duhet të dimë mirë se turizmi është industria më e madhe e vendit, duke ia kaluar edhe ndërtimit. Ai ka sjellë vitin e kaluar mbi 1.1 miliardë euro në ekonomi. Nëse ulet ai për këtë vit vetëm me dhjetë për qind, do të kemi probleme. Prandaj qeveria duhet ta mendojë shpejt krijimin e Fondit të Zhvillimit të Turizmit, strukturë e parashikuar në ligj, por që ende nuk është ngritur. Ky fond mund të ndihmojë të zhvillojmë turizmin komunitar, duke e shtrirë shërbimin turistik në të gjithë vendin dhe në të gjithë vitin. Mund të kompensojmë kështu disa humbje të pritura nga ardhje më e pakët e turistëve perëndimorë në bregdet. Po ashtu, duhet të mendojmë për prodhimin bujqësor dhe shitjen e tij. Vetëm dhjetë milionë euro subvencione të drejtpërdrejta nuk mjaftojnë. Edhe pse është një vit zgjedhor, qeveria duhet të bëjë zgjedhjet e duhura për të zbutur pasojat e krizës që po na prek. Nuk jemi ne si vend në krizë, por është një krizë e importuar që ka hyrë edhe tek ne dhe që duhet ta përballojmë me gjithë përgatitjet e duhura.

14 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›