Pensioni politik trondit Edvinin, e lë atë në ekzil
Afron data e dekretimit të zgjedhjeve dhe ngushtohet koha e reformës elektorale. Por Edi Rama, i tmerruar nga një ballafaqim elektoral që do t’i sillte pensionin politik, detyrohet të mbajë peng ndryshimet në Kodin Zgjedhor, qoftë me kërkesa fiktive në KQZ, qoftë me ekzilin e tij të tejzgjatur, të maskuar nën emërtesën “pushime” apo “probleme familjare”
Edi Rama, frikacaku i zgjedhjeve të lira e të ndershme, po vë në rrezik procesin e zgjedhjeve vendore, që do të mbahet vitin e ardhshëm. Ndërsa Kushtetuta përcakton se pas dekretimit të datës së zgjedhjeve, të cilën Presidenti i Republikës është i detyruar ta shpallë brenda javës së parë të shtatorit, KQZ-ja nga ana e saj duhet të fillojë punën për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme. Për pasojë, teket e Edi Ramës, nën pretekstin e hetimit të supozuar të zgjedhjeve, ashtu siç ka bërë dhe herë të tjera më parë, ku në zgjedhjet vendore të vitit 2007 nxori si pretekst certifikatat, ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, nxori si pretekst tjetër kartat e identitetit, nuk është çudi që më e mira t’i hapë rrugë ndryshimeve në Kodin Elektoral në çastin e fundit dhe më e keqja, të mos bëhet pjesë e këtyre ndryshimeve, duke kërcënuar zgjedhjet vendore.
Kushtetuta e Shqipërisë nuk përcakton ndonjë afat se sa kohë para zgjedhjeve ligjvënësi duhet të dorëzojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, nëse ka. Menjëherë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve, në bazë të Kodit Zgjedhor, institucionit të zgjedhjeve i duhet të fillojë punën me listat e zgjedhësve dhe pastaj me të gjitha të tjerat. Por në skenën politike ekziston ende debati i sforcuar i nxitur nga Edi Rama për hetim zgjedhjesh, sforcim që një herazi rrezikohet të përdoret nga Edi Rama, si pretekst për të mos u bërë pjesë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Ndërkohë, ndërsa në javët e para të shtatorit KQZ-së i duhet të përcaktojë zonat e administrimit zgjedhor, sipas kodit të miratuar nga dy forcat e mëdha politike, institucionit të zgjedhjeve do t’i duhet të harxhojë kohë edhe me një debat tjetër, që është ai i djegies së fletëve të votimit të mbetura nëpër magazina që nga zgjedhjet e 29 qershorit të vitit të kaluar. Ky problem bëhet edhe më prezent, po të kihet parasysh që nga ana e saj PS-ja po kërcënon politikisht që fletët të mos digjen për efekt hetimi, ndërsa KQZ-ja ka kaluar çdo afat të ruajtjes së tyre.
Në rast të një skenari të tillë të mundshëm, nëse do të harxhohet ende kohë me deklarata politike, duke ndërhyrë në punën e KQZ-së dhe duke i dërguar ndryshime pas ndryshimesh në kod në çastet e fundit, atëherë kemi të bëjmë me proces zgjedhor, të paragjykuar dhe si një tjetër alibi për Edi Ramën, për të atakuar më pas rezultatin edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Edi Rama, këtë alibi, sigurisht që do ta përdorë sërish, për t’u ankuar sikur zgjedhjet u cenuan, afatet nuk u respektuan dhe do të vazhdojë të vijojë sërish me të tjera deklarata dhe kundërdeklarata politike, të cilat as më shumë e as më pak nuk bëjnë gjë tjetër veçse i shtojnë koston politike PS-së, në këtë sjellje prej pengmarrësi të kryetarit të saj. Në këtë kuadër shihen edhe angazhimet e ditëve të fundit për të paralizuar opinionin publik e KQZ-në, jo vetëm me kërkesa fiktive për referendume, të cilat s’kanë asnjë bazë ligjore, sa kohë s’shoqërohen me firmat përkatëse, e po ashtu edhe me shashka si ato të një të përditshmeje në shërbim të tij, sikur qenka gati një pakt i madh për reformat. Reforma zgjedhore është një çështje madhore e mbi palët, e cila ka një afat skandence, dhe nëse në zgjedhjet e ardhshme do të detyrohemi të shkojmë me të njëjtin kod zgjedhor, përgjegjësia kryesore i përket Edi Ramës, i cili ka refuzuar rregullisht apelet për mbledhjen e Komisionit Zgjedhor. Konsensuset e tjera edhe mund të presin, por edhe ato janë të inkuadruara në një paketë reformash të propozuara nga Komisioni Europian e të cilat presin të kalojnë në parlament, sapo opozita të japë miratimin e saj formal, çka do të mundësonte edhe arritjen e shumicës së cilësuar prej 84 votash që nevojitet në këto raste. Tufëzimi i këtyre dy prerogativave s’duket të ketë sukses në këtë muaj të nxehtë gushti dhe as zëvendësimi i buratinëve të tij në media me praninë në selinë e PS-së s’do të mund t’ua ndryshonte kredencialet propozimeve mirëfilli kushtetuese e që synojnë të arrijnë veç një gjë, futjen në kolaps të zgjedhjeve vendore dhe shmangien e një ballafaqimi të vërtetë që Edvinit do t’i afronte pensionin politik.