Shqipëria po nis të përmirësojë imazhin e saj në Europë
Publicisti Fahri Balliu flet për “La Libre Belgique”, e përditshmja më e madhe në Belgjikë Në shkrimin e gazetës, citohet edhe opinioni i Kryeministrit belg Yves Leterme se “heqja e vizave për qytetarët shqiptarë do të ndodhë përpara fundit të presidencës së Belgjikës” Eksperienca e Serbisë, e Malit të Zi dhe e Maqedonisë “ka ftohur jo pak veta” dhe presidenca belge e BE-së e ka vënë re këtë. Sapo Komisioni Europian propozoi me 27 maj që edhe shqiptarët e boshnjakët (sigurisht, ata me pasaporta biometrike) të mund të lëvizin pa viza në hapësirën Shengen, shtetet anëtare të Unionit i këshilluan Tiranën dhe Sarajevën që të sillen në mënyrë edhe më rigoroze, sidomos për rekomandimet e parashkruara, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Nëse ata i përmbushin kriteret, ne s’mund të bëjmë prapa” thotë një burim zyrtar i ministrisë belge. Ajo çka në fakt druajnë europianët është një fluks i ri masiv i të ardhurve, të cilët s’do të jenë në vendet e BE për vizitë apo udhëtim turistik, por për t’u ngulur aty për një periudhë më të gjatë, ilegalisht kuptohet. Gjatë vizitës në Bruksel, javën e shkuar, kryeministri shqiptar Sali Berisha premtoi se strukturat e shtetit shqiptar do të bënin ç’kishin në dorë për të qenë vigjilentë për të ndaluar një gjasë të tillë. Për këtë shkak, tha kryeministri Berisha, kemi ndërmarrë një fushatë të gjerë “sqaruese” për qytetarët, duke u shpjeguar atyre se koha e qendrimit në vendet e BE-së s’mund të jetë më e gjatë se 90 ditë. Shefi i qeverisë belge, Yves Leterme, nga ana e vet, shpreson që kjo çështje të bitiset për mirë deri në fund të presidencës belge,, domethënë, brenda këtij viti. Por, duke e pritur këtë eveniment, të dyja palët kanë shfrytëzuar rastin për të nënshkruar marrëveshjen e ripranimit, që i mundëson Belgjikës të kthejë të burgosurit shqiptarë në vendin e tyre të origjinës. Por Tiranës i duhet të bëjë shumë për të përmirësuar si duhet imazhin e saj. “Niveli i informacionit me partnerët tanë perëndimorë s’ka qenë i mjaftueshëm, dhe përgjegjësia për këtë u takon qeverive”, thotë gazetari dhe botuesi i njohur shqiptar Fahri Balliu, i cili në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës, ka shkruar skenarë për studion kinematografike kombëtare. “Kriminelët s’paraqesin veç një përqindje të vogël të shqiptarëve që jetojnë jashtë, por ata i kanë dhënë një imazh negativ vendit, thotë ai. E gjithë kjo botë kriminelësh ka patur në një moment a në një tjetër një mbështetje politike në Shqipëri. Përveç kësaj, pengesë kryesore mbetej edhe mungesa e një legjislacioni të miratuar për ekstradimet. Por janë regjistruar progrese të qendësishme. Imazhi duhet të ndryshojë gjithashtu. Sidomos po të mendojmë mijëra studentë shqiptarë që aktualisht po formohen me sukses në universitetet europiane”. “Shqiptarët kanë vuajtur shumë prej izolimit dhe e meritojnë heqjen e vizave”, thotë Fahri Balliu. “Lëvizja e lirë do mundësojë përhapjen e vlerave europiane edhe më shumë e gjithashtu do t’i ndihmojë shqiptarët të shkompleksohen. Ajo do na ndihmojë të ndahemi njëherë e mirë nga mendësitë komuniste që po na pengojnë ende”, thotë gazetari i njohur për afërsinë e tij me kryeministrin Berisha dhe ministrin e jashtëm Ilir Meta. “Institucionet europiane duhet t’i kërkojnë Shqipërisë me një këmbëngulje edhe më të pakompromis që të dënojë krimet e regjimit komunist. Nëse kjo nuk do të bëhet në mënyrë të plotë, kjo mangësi do të sjellë vonesa të tjera në maturimin e shoqërisë shqiptare. Të mos harrojmë se një e keqe që s’shërohet plotësisht, rikthehet”. Impassi politik në të cilin gjendet vendi që prej zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, në njëfarë mënyre paraqitet si një reminishencë. Opozita e majtë nuk i njeh asnjëherë rezultatet e zgjedhjeve dhe jostabiliteti politik që rrjedh prej këtij qendrimi rrezikon të pengojë progresin e vendit drejt Unionit. Kujtojmë se Tirana e ka paraqitur kandidaturën e saj për anëtarësim, në prill të 2009-s. Por asnjë zgjidhje s’po përvijohet ende. Opozita socialiste i është rikthyer parlamentit, pasi e pat bojkotuar për disa muaj, por rrezikon të pengojë miratimin e ligjeve të tilla që sjellin forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, meqë për këtë nevojitet një shumicë cilësore. “Opozita s’do miratojë asnjë ligj në parlament dhe beteja jonë do të ashpërsohet në muajt e ardhshëm, nëse qeveria nuk i merr parasysh pretendimet tona”, pat deklaruar Edi Rama, drejtuesi i PS dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, në fillim të qershorit që kaloi. Opozita ka mbajtur protesta të rëndësishme në Tiranë, për të bërë publike pretendimet e saj dhe 27-shja e shfaqi hapur shqetësimin e vet, duke vlerësuar se “ishte koha për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për krizën aktuale”. “La Libre Belgique”
...