E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionohet Roy Makaay

Sulmuesi i Feyenoordit, Roy Makaay do të pensionohet nga futbolli në fund të këtij sezoni, duke i dhënë fundin karrierës gjatë së cilës realizoi 253 gola në 17 sezone të kaluara në pesë klube.

Makaay, i cili shënoi gjashtë gola në 45 paraqitje për Holandën, ka bërë të ditur të hënën se nga sezoni i ardhshëm do të jetë trajner i ekipit të të rinjve të Feyenoordit. “Roy Makaay është duke kaluar javët e tij të fundit si futbollist profesionist.

Sulmuesi ka njoftuar drejtorin teknik Leo Beenhakker se do të pensionohet në fund të këtij sezoni”, thuhet në një komunikatë të publikuar në ueb faqen zyrtare të Feyenoordit. 35 vjeçari Makaay e filloi karrierën në klubin holandez Vitesse Arnhem para transferimit në Spanjë, ku së pari luajti për Tenerifen e më pas Deportivo La Corunan.

Ai ishte pjesë edhe e Bayern Munichut para se të kalonte në Feyenoord tri vjet më parë. Makaay mban rekordin e golit më të shpejtë në Ligën e Kampionëve, që shënoi për Bayernin pas 11 sekondave kundër Real Madridit më 2007. Ndeshja e tij e fundit mund të jetë takimi i kthimit i finales së kupës holandeze kundër Ajaxit në De Kuip më 6 maj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›