E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti i Rooneyt

Wayne Rooney është zgjedhur futbollisti më i mirë i vitit në Premierligë nga Asociacioni i Futbollistëve Profesionistë. Përzgjedhja e Rooneyt para kandidatëve të tjerë Cesc Fabregas, Carlos Tevez dhe Didier Drogba nënkupton se Manchester United ka shërbyer fituesit e çmimit prestigjioz për vitin e katërt me radhë.

24 vjeçari ka treguar formë të shkëlqyeshme këtë sezon, duke shënuar 34 gola për Manchester Unitedin dhe tetë për Anglinë. Ai është shpresa kryesore e Kombëtares për Kampionatin botëror.

“Është ndjenjë e mirë të marr çmimin e Futbollistit të Vitit sepse votohet nga futbollistët. Është diçka që më bën të ndihem krenar dhe është nder i madh. Më kujtohet kur kam ardhur këtu më 2005 dhe 2006 për të marrë çmimin e Futbollistit më të mirë të ri. Kam parë futbollistë duke fituar çmimin kryesor dhe prej atëherë ka qenë synim i imi”, tha Rooney i cili mungoi në fitoren 3-1 ndaj Tottenhamit të shtunën për shkak të një lëndimi në ijë që pësoi në stërvitje.

Por, golashënuesi më i mirë i Premierligës, me 26 gola, shpreson të kthehet në ndeshjen e fundit të sezonit kundër Stoke dhe premtoi të jetë plotësisht i rikuperuar për Kampionatin botëror.

“Gjithçka do të jetë në rregull, nuk ekzistojnë brenga. Shpresoj të luaj për ekipin në ndeshjen e fundit të sezonit”, shtoi Rooney i cili është futbollisti i parë anglez që fiton çmimin, pas Steven Gerrardit më 2006. Ai iu falënderua menaxherit Sir Alex Ferguson për ndikimin në karrierën e tij.

“Uria e tij përcillet te futbollistët. Është 68 vjeç, por nuk ka ndryshuar aspak. Jam i sigurt se do të jetë me ne edhe për një kohë të gjatë”, u shpreh ai. Rooney ishte i nominuar edhe për çmimin e Futbollistit më të mirë të ri, por fitues ishte James Milner i Aston Villas.

Ekipi më i mirë i vitit në Premierligë përbëhet nga katër futbollistë të Manchester Unitedit. Arsenali përfaqësohet nga Fabregas dhe Thomas Vermaelen, ndërsa Chelsea ka Didier Drogban dhe Branislav Ivanovicin. Përfshirja e Milnerit dhe Richard Dunne i sjell dy përfaqësues edhe për Aston Villan.

Ekipi i vitit në Premierligë: Joe Hart (Birmingham City), Branislav Ivanovic (Chelsea), Thomas Vermaelen (Arsenal), Richard Dunne (Aston Villa), Patrice Evra (Manchester United), Cesc Fabregas (Arsenal), James Milner (Aston Villa), Darren Fletcher (Manchester United), Antonio Valencia (Manchester United), Wayne Rooney (Manchester United), Didier Drogba (Chelsea).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›