E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pentagoni me plane për sulme në Pakistan?

Ushtria amerikane është duke hartuar plane për sulme të njëanshme kundër talebanëve në Pakistan, në rast se ata do të ndërmerrnin sulme të suksesshme terroriste brenda territorit të SHBA-së, njoftoi gazeta Washington Post.

Planet për sulmet hakmarrëse janë nxitur nga lidhjet ndërmjet Faisal Shahzadin, i cili përgatiti sulmin e dështuar në Times Square, me talebanët në Pakistan, theksoi WP, duke cituar disa zyrtarë të lartë të ushtrisë amerikane, të cilët deshën të mbetën anonim.

Ushtria do të përqendrohej në sulme ajrore dhe sulme me raketa, por do të mund të shfrytëzonte edhe një numër të vogël të forcave për operacione speciale, të cilat veprojnë aktualisht përgjatë kufirit me Afganistanin.

Sulmet ajrore do të mund të dëmtonin aftësitë e militantëve për të ndërmarrë sulme, por do të dëmtonin edhe marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Pakistanit.

CIA tashmë ka ndërmarrë disa sulme me fluturake pa pilot, në rajonet fisnore të Pakistanit.

Zyrtarët theksuan se reagimi i ushtrisë do të merrej vetëm atëherë parasysh, nëse ndonjë sulm terrorist bind presidentin Barack Obama se fushata e CIA-s nuk është efektive.

Një zyrtar amerikan theksoi ketë javë se Pakistanit tashmë i është thënë se ka vetëm edhe disa javë në dispozicion, për të dëshmuar përparim në fushatën e vet kundër talebanëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›