Peqin, gjendet i vrarë me armë zjarri një 60-vjeçar
Elbasan- E kanë qëlluar me armë zjarri nga pas dhe ka gjetur vdekjen sapo e kanë transportuar për në spital. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Peqinit kur kalimtarët kanë gjetur në afërsi të stacionit të trenit një 60-vjeçar, në gjendje të plagosur, të shtrirë mbi shina.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, viktima është ende i paidentifikuar dhe është përcjellë për në morgun e qytetit. Ndërkohë grupi hetimor është duke hetuar për të zbardhur ngjarjen, e së bashku me të edhe identitetin e viktimës.
“Pas një njoftimi në sallën operative të këtij komisariati forcat e policisë kanë kontrolluar vendin ku edhe ishte lajmëruar dhe kanë gjetur të shtrirë dhe të gjakosur një shtetas rreth të gjashtëdhjetave. Ndërsa është transportuar për në spital, i plagosuri nuk ka mundur të mbijetojë duke gjetur vdekjen”- thanë burimet policore.
Nga kqyrja e kufomës konfirmohet se ky shtetas është qëlluar me pistoletë nga prapa.Paraprakisht dyshohet se viktima është endacak për shkak të veshjeve që kishte.
Policia ka bërë të ditur edhe veshjet e tij duke kërkuar ndihmën e komunitetit për ta identifikuar. Viktima kishte veshur një palë pantallona të zeza, këmishë me kuadratë dhe sandale ngjyrë kafe. Një nga pistat e ndjekura nga policia është ajo e vrasjes për shkak të lëvizjes së tij natën. Gjithsesi gjithçka mbetet për t’u konfirmuar së bashku me identitetin e viktimës.