E Diel, 1 Nëntor 2026

Shfaqet merimanga e zezë, në spital 3 pacientë

Është shfaqur sërish Merimanga e Zezë. Sot në spitalin e Fierit kanë përfunduar 3 persona, të cilët sipas mjekut janë jashtë rrezikut për jetën. Janë shtruar urgjent në spital Arqile Shuli, 48 vjeç nga Ndërmënas, Libofshë, Aida Mërtika, 21 vjeç nga Libofsha si dhe Denado Gremi, Daullasi Fier.

Sipas mjekut Kilo Stoja mundësia më e madhe është që personat të jenë pickuar nga merimanga e zezë e cila bëhet shumë aktive në këto muaj.

Precedenca

Jo më kot quhet "e zezë" sepse helmi i saj ka shkaktuar edhe viktima. Madje vitin e kaluar merimanga e zezë, ka vrarë dy persona ndërkohë që pre e saj kanë qenë 20 persona të tjerë të cilët për fat të mirë i kanë shpëtuar helmit vdekjeprurës.

Pickimet e merimangës

Helmi i saj toksik shkakton dhimbje të papërshkrueshme, madje mund të marrë edhe jetë njerëzish, nëse nuk i drejtohen mjekut specialist në kohë, për të marrë mjekim. "Dua të theksoj se helmimi i saj është shumë i rrezikshëm nëse pacientit nuk i jepet ndihmë në kohën dhe mënyrën e duhur, nga mjeku specialist",- theksoi Zihni Sula  shef i shërbimit të Toksikologjisë pranë Spitalit.

Sipas tij, merimanga e zezë është shfaqur para 10 vjetësh në vendin tonë dhe çdo verë sulmon dhjetëra persona. Kështu, ai pohon se gjatë kësaj dekade numërohen plot 240 pacientë të sulmuar nga merimanga e zezë, ku 2 prej tyre vitin e kaluar gjetën vdekjen.

Harta e rrezikut

Mund të gjendet në gjithë vendin, por merimanga e zezë preferon më shumë zonat fushore. Sipas Zihni Sulës, numri më i madh i pacientëve janë nga Myzeqeja, Golemi Kavaja, Durrësi, por nuk përjashtohen edhe zonat kodrinore dhe malore. "Epidemia e merimangës së zezë fillimisht ka qenë e kufizuar në vende të tilla, si Kavaja apo Golemi, por tashmë mund të gjendet gjithkund",- thotë Sula, duke shpjeguar se kjo shpjegon natyrën e importuar të saj, çka do të thotë se merimanga e zezë ka ardhur nga vendet e tjera. Sa i takon rrezikshmërisë së merimangës së zezë, Sula theksoi se ajo është e parikuperueshme nëse neglizhohet. "Helmi i saj është tepër toksik dhe përmban një kompleks proteinash biologjike, të cilat depërtojnë në organizimin e njeriut",- theksoi Zihni Sula. Sipas tij, janë disa lloje merimangash që pickojnë, por merimanga e zezë është më e rrezikshmja, për shkak të helmit të saj dhe veprimit që shkakton në organizëm. Madje, Suli pohon se pickimi i merimangës së zezë prek të gjitha organet e njeriut, duke përfshirë edhe enët e gjakut. "Helmi i saj shkakton një dëm të madh fizik dhe psikik, pasi pacientët humbasin edhe arsyen dhe nuk janë në gjendje të njohin as njerëzit e afërm të tyre",- shpjegon Zihni Sula, duke shtuar se pas mjekimit nuk lë pasoja për shëndetin.

Mjekët, ja cilat janë shenjat e pickimit të merimangës së zezë

Pasoja shumë serioze, deri në rrezik të sigurt për jetën. Kështu shprehen mjekët, për atë që sjell pickimi i merimangës së zezë. Madje helmin e saj ata e konsiderojnë vdekjeprurës, nëse nuk merren masa të menjëhershme për kurim. Ata shpjegojnë se njerëzit duhet të paraqiten menjëherë për ndihmë mjekësore, sapo të vënë re shenjat e para të pickimit. Këto shenja janë mpirje e gjymtyrëve, dridhje të trupit, dhimbje barku, dobësi dhe humbje e kontrollit. "Pickimi i merimangës, këto shenja i jep në pak minuta, ndaj dhe veprimi i saj mbi organizmin e njeriut është shumë i shpejtë. Si rrjedhojë, nuk duhet neglizhuar asnjë sekondë, sepse pasojat janë të rënda",- theksojnë mjekët. Sa i takon hartës së veprimit të merimangës së zezë, specialistët pohojnë se jo vetëm arat dhe fshatrat janë të rrezikuara, por merimanga mund të jetë e pranishme edhe në vende të tjera.

Pse quhet "vejusha e zezë"

Vejusha e zezë e ka "pagëzuar" populli, për shkak të veprimit të llahtarshëm që bën. Ndoshta e habitshme, por merimanga e zezë quhet ndryshe edhe "vejusha e zezë" pasi merimangën mashkull, nuk e lë të jetojë më shumë se një muaj. "Merimanga e zezë mashkull, nëse nuk ngordh vetë për një muaj, atëherë merimanga femër e ngordh atë vetë, ndaj dhe ka marrë emrin "vejusha e zezë",- thotë toksikologu, Zihni Sula. Sipas tij, ajo ka krahë të gjata dhe bark më të madh se merimangat e tjera dhe në të ka një njollë të kuqe, në formën e orës së rërës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›