Gjirokastër, kontrolle për cilësinë e ujit të pijshëm
Për të mbajtur nën kontroll cilësinë e ujit të pijshëm që konsumohet nga popullata në qytetin e Gjirokastrës ka filluar të funksionojë një grup i veçantë kontrolli. Pjesë e tij janë inspektorë të higjienës dhe epidemiologjisë, specialistë të Ndërmarrjes së Ujësjellësit etj. “Qëllimi i funksionimit të këtij grupi kontrolli është mbajta në parametra normale të situatës epidemiologjike të ujit të pijshëm”, thonë burime nga ky grup pune. Specialistët realizojnë kontrollin ditor të cilësisë së ujit të pijshëm në burimet e furnizimit të qytetit, rezervuarët e shpërndarjes në lagjet e ndryshme si dhe analizat e kampioneve të mara në pika të veçanta të rrjetit të ujësjellësit. “ Nga kontrollet e ushtruara kemi konstatuar se cilësia e ujit të pijshëm që konsumohet nga popullata është në parametra normalë”, thonë specialistët. Ndërkohë Ndërmarrja e Ujësjellësit ka rritur sasinë e klorit në ujin e pijshëm me qëllim shmangien e çdo situate të padëshiruar e cila do të ndikonte negativisht në shëndetin e popullatës. Në këtë periudhë të verës shqetësim për specialistët vazhdon të ngelet rrjeti tejet i amortizuar i ujësjellësit në lagjet e brendshme të qytetit të Gjirokastrës. “Mungesa e investimeve rikonstruktuese në këtë drejtim ka bërë që amortizimi i rrjetit të jetë nja faktor negative përsa i përket mundësisë së ndotjes së ujit të pijshëm që konsumohet nga popullata”, thonë specialistët.