E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peqin, kryebashkiaku rreh trajnerin Duro

Tekniku i Besës, 10 minuta pa ndjenja pas dhunës nga Ilir Rrushaj dhe zv.trajneri i Shkumbinit, Dervishi

Peqini rikthen dhunën në futbollin shqiptar. Viktima e radhës është bërë trajneri Shpëtim Duro. Arsyeja? Sepse arriti ta kualifikonte Besën në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke “këputur” ëndrrën e Shkumbinit që të fitonte për të parën herë në histori një trofe të rëndësishëm. Ngjarja ka ndodhur në fundin e ndeshjes së kthimit në gjysmëfinale, ku kavajasit fituan me rezultatin 1-0. Në dhomat e zhveshjes, Duro është goditur me grushte nga kryetari i Bashkisë së Peqinit, Ilir Rrushaj dhe nga zv.trajneri i Shkumbinit, Klodian Dervishi. Për shkak të goditjeve të marra, ish-ndihmësi i Oto Bariç në krye të Kombëtares shqiptare ka humbur ndjenjat për afro 10 minuta, ndërsa ka pësuar edhe dëmtime në sy. Situata ka qenë e tensionuar gjatë gjithë ndeshjes, madje në sekondat shtesë të pjesës së parë, trajneri Duro ka replikuar ashpër me stolin e Shkumbinit. Gjithçka ka lindur prej minutave të para, kur zv.trajneri i peqinasve, Dervishi, por edhe disa lojtarë që ndodheshin në stolin e rezervave, kanë sharë pa ndërprerje Daniel Xhafajn. Sulmuesi dhe numri 2 i stolit të Shkumbinit kanë pasur përplasje që prej takimit të parë, të luajtur në Kavajë. Duke parë presionin e jashtëzakonshëm që ushtrohej ndaj lojtarit të tij, Duro ka pretenduar nga zyrtarët e FSHF-së, të pranishëm për të vëzhguar takimin e Kupës, që të ndërhynin. Kërkesa e teknikut nuk është pëlqyer nga ata që ndodheshin në pankinën e ekipit vendas, të cilët kanë filluar ta ofendojnë. Nga ana e tij, drejtuesi i stolit kavajas ka reaguar duke iu përgjigjur me të njëjtën monedhë, ndërsa më tej situata degjeneroi me pështyma dhe sharje me shefin e klubit të Shkumbinit, Astrit Isai.

Për t’u theksuar është fakti se gjatë 90 minutave të ndeshjes, tension mbi normalen ka pasur edhe në fushën e lojës. Për të përkeqësuar edhe më tepër situatën ka hyrë në lojë gjyqtari i FIFA-s, Albano Janku, me një arbitrim skandaloz. “Bilbili” ishte protagonist i një turpi të vërtetë, ku me tolerimet ndaj ndërhyrjeve të ashpra të futbollistëve të Shkumbinit ka nxitur lojën brutale, duke rrezikuar në shumë raste shëndetin e lojtarëve të Besës. Goli i fitores së kavajasve u realizua nga talenti Sokol Cikalleshi, kur kronometri tregonte 69 minuta lojë. Lojtari i përfaqësueses Under-21 e dërgoi topin në rrjetë pas një goditjeje fluturimthi nga jashtë zonës. Në të 81-ën, sulmuesi 20-vjeçar është larguar nga fusha me karton të kuq, duke lënë verdhezinjtë në inferioritet numerik. Një ndëshkim i ekzagjeruar nga gjyqtari Janku, i cili ka falur në dy raste sulmuesin e peqinasve Mustafaji, për ndërhyrje të ashpra pa top, por edhe mbrojtësin Sasha Gjorevski, që duhej të kishte dalë nga loja prej minutës së 60-të.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›