Vdekja e maturantit, babai çon litarin në gjykatë
Me pretendimin se nga provat e dokumentuara në dosjen e vdekjes së 17-vjeçarit Mikel Ajce nuk rezulton të ketë ndodhur një vrasje e mundshme që dyshohet nga familjarët, prokurori i çështjes Hysen Kulla ka kërkuar mbylljen e çështjes dhe kalimin e dosjes nën administrim të gjykatës. Kjo ka qenë kërkesa e prokurorisë pas rinisjes së çështjes nga ana e familjarëve të gjimnazistit Mikel Ajce, i cili u gjet i varur në litar dy vjet më parë. Familja e 17-vjeçarit nga Bilishti, që ka nisur këtë çështje për rihapjen e hetimeve për vdekjen e djalit, ka kërkuar në seancë zhvarrosjen e kufomës së tij, për t’iu nënshtruar sërish ekspertizës mjekoligjore. Sipas familjarëve, kjo do të ndihmonte në zbardhjen e shkakut të vërtetë të vdekjes dhe nëse ndaj 17-vjeçarit është ushtruar dhunë fizike përpara se ai të gjendej i varur. Në seancën paraardhëse babait të adoleshentit, Halim Ajces, iu kërkuan prova të tjera që vërtetojnë dyshimet që ai ka për fatin e të birit. Ai ka sjellë me vete litarin, me pretendimin se në të nuk ka pasur shenja gjaku apo lëkure, gjë që, sipas tij, tregon se nuk është ushtruar forcë mbi litar dhe si rrjedhojë djali nuk mund të jetë vetëvarur. Sipas Halim Ajces, nuk ka pasur shenja të dukshme në fytin e djalit të tij. Ai pretendon se varja është inskenuar dhe ka kërkuar për të disatën herë që të kryhet zhvarrimi. Por prokurori i çështjes që ka sjellë para gjykatës dosjen e plotë hetimore, ka paraqitur të gjitha procesverbalet dhe aktet e ekspertimit të shoqëruara me fotografi, ku sipas tij dhe mendimit të dhënë për këtë çështje nga specialistët dhe hetimi rezulton se 17-vjeçari ka varur veten, gjë që është vërtetuar nga ekspertiza mjekoligjore dhe ajo në vendin e ngjarjes. Ndërkohë është theksuar se në trupin e viktimës nuk janë vërejtur shenja dhune. Veç kësaj, përfaqësuesi i prokurorisë, deklaroi se kjo çështje është hetuar një herë dhe tashmë nga organi i akuzës konsiderohet e mbyllur. Do të jetë seanca tjetër gjyqësore që do të vendosë në rast se do të rihapen hetimet për këtë ngjarje apo jo.
#