E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtim Duro kërcënon: Do ti denoncoj, kisha dëshmitarë

Ngjarja Policia peqinase konfirmon dhunën, por bën “fajtor” trajnerin e kavajasve

Peqini, një ndër fushat e njohura për incidente të dhunshme në edicionet e kaluara të kampionatit shqiptar të futbollit, në sezonin e fundit e kishte humbur këtë “nam”. Edhe ne e kishim harruar se ekzistonte Peqini në këtë aspekt, edhe pse nuk ka munguar ndonjë rast sporadik. Por dje kjo fushë i është rikthyer traditës së frikshme: Pas ndeshjes së kthimit, e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë Shkumbini-Besa 0-1, është dhunuar trajneri i Besës, Shpëtim Duro, i cili ka mbetur për disa minuta pa ndjenja dhe ka përfunduar me një plagë të rëndë në sy. Lajmi është bërë i njohur vetëm pak minuta më pas në të gjitha mediat shqiptare, ndërkohë që ai është konfirmuar si nga forcat e rendit të këtij qyteti, ashtu edhe nga vetë i dëmtuari, Duro. Sipas burimeve, Duro është dhunuar nga kryetari i Bashkisë së Peqinit, Ilir Rrushaj, në korridorin që të çon në dhomat e zhveshjes. Pas incidentit, trajneri i Besës ka rënë pa ndjenja për dhjetë minuta. Sikurse është bërë e ditur, situata e tensionuar ka pasur zanafillën e saj gjatë ndeshjes, kur ka pasur përplasje verbale mes drejtuesve të stafit të Shkumbinit dhe trajnerit të Besës, por në fund është parë e arsyeshme që t’i “lajnë hesapet” me “mikun” Duro. Teksa ai po hynte në dhomat e zhveshjes, është sulmuar nga kryetari i bashkisë, Rrushaj, dhe zëvendëstrajneri i Shkumbinit, Klodian Dervishi. Lajmi është konfirmuar si i vërtetë nga burime të besueshme pranë komisariatit të policisë së qytetit, të cilët kanë nxituar të nënvizojnë se protagonisti i fillimit të sherrit ishte bërë pikërisht trajneri i Besës, i cili ka “ofenduar numrin një të qeverisë vendore të Peqinit”. Por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga i dhunuari Shpëtim Duro. Vetëm pak kohë pas incidentit, tekniku i kavajasve ka rrëfyer: “Policia dhe trajneri Edmond Gëzdari ishin dëshmitarë. Kryebashkiaku i Peqinit (Ilir Rrushaj) më goditi me grusht dhe për këtë arsye do ta denoncoj. Në korridoret e stadiumit jam goditur edhe nga zëvendëstrajneri i Shkumbinit (Klodian Dervishi). Nuk e kuptova përse na pritën në këtë mënyrë në Peqin dhe e kishin përgatitur ndeshjen me kaq shumë presion. Në takimin e parë në Kavajë, Shkumbini nuk pati asnjë problem, përkundrazi ata luajtën të qetë dhe u larguan me një barazim”. Sipas Komisariatit të Peqinit, trajneri i Besës nuk ka bërë ende denoncimin. Por nëse Duro do të denoncojë, organet e drejtësisë do të jetë të lira ta hetojnë çështjen, pasi kryetarët e bashkive nuk kanë imunitet dhe rrezikojnë madje deri edhe shkarkimin në rast se “dënohen për kryerjen e një vepre penale me vendim të formës së prerë nga gjykata”. Në fund të ndeshjes, dy tifozeritë kanë konfrontuar ashpër, me sharje dhe ofendime në distancë, me peqinasit që janë shfaqur mjaft “aktivë” në hedhjen e gurëve, ndërsa forcat e rendit dukeshin më tepër si spektatorë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›