NBA-Oklahoma

Rasëll Uestbruk, i cilësuar tashmë si më i miri lojtar anësor i kampionatit, shënoi 36 pikë duke fituar duelin personal me Kobi Brajantin, në një ndeshje që u vendos vetëm në pjesën e katërt.
Brajant shënoi 23 pikë, tepër pak për nivelet e tij, duke gabuar shumë në gjuajtjet nga loja, sidomos në gjysmën e dytë të takimit. Uestbruk udhëhoqi skuadrën e tij edhe me 6 asistë, ndërsa Kevin Durant shënoi 21 pikë dhe kapi 11 topa në tabela.
Në Majemi, vendasit nuk e patën shumë problem të fitonin ndaj Dallasit, me rezultatin 106-85. Në një përsëritje të finales së vjetshme, nënkampionët dolën edhe një herë më të fortë se kampionët.
Asnjëri nga yjet vendas nuk shënoi shumë, ndërsa ekipi e mori veten pas 2 humbjeve radhazi. Xhejms dhe Bosh shënuan nga 19 pikë, Uejd shtoi 16 të tjera, ndërsa Xhejms dhe Bosh kapën edhe nga 9 topa në tabela. Tariaf shërbeu 6 asistë dhe Xhejms e Uejd nga 5.
Për Dallasin, Novicki ishte shënuesi më i mirë me 25 pikë, por kampionët humbën luftën nën tabela.
Në dy ndeshjet e tjera të luajtura, Indiana fitoi në shtëpi ndaj Uashingtonit, 93-89 dhe Portlend po ashtu bëri detyrën në fushën e tij, 99-93 ndaj Nju Orlinsit.