E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj: Nuk lejojmë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve serbe në veri të Kosovës përbën rrezik për stabilitetin jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe për sigurinë në të gjithë rajonin.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Ansamed, të zhvilluar gjatë qëndrimit në Romë, Hoxhaj ka thënë se përpjekjet e Beogradit, paraqesin një shkelje flagrante të sovranitetit të Kosovës dhe se Qeveria e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet ligjore që ka në dispozicion, për t`i ndaluar ato.

“Vendimi i Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve legjislative e komunale më 6 maj edhe në territorin e Kosovës, përfaqëson një shkelje flagrante të sovranitetit tonë dhe për t`i penguar ato, do të përdorim të gjitha mjetet ligjore që kemi në dispozicion, pasi është në pikëpyetje siguria e të gjithë rajonit”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka folur edhe për hapjen e Kosovës për investimet italiane dhe për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Italisë në fushën ekonomike, tregtare, arsimit por edhe në temën e vizave, transmeton Lajmeshqip.

Lidhur me proceset integruese, Hoxhaj ka veçuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së Italisë në avancimin e shpejtë të perspektivës evropiane të Kosovës, duke nisur nga realizimi i studimit të fizibilitetit, si hapi i parë drejt marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›